Një ëndërr e komunitetit shqiptar në Irlandë u bë realitet këtë të shtunë me hapjen e shkollës së parë shqipe në Dublin themeluar dhe organizuar nga Albanian Book Lovers Club, Dublin.
Iniciativa dhe këmbëngulja e zonjave Liljana Picari dhe Arjana Rama solli një hap të rëndësishëm në promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare për fëmijët shqiptarë që jetojnë në Irlandë.

Shkolla filloi aktivitetin e saj në ambientet e “Blanchardstown Library, Dublin 15”, ku ishin të pranishëm prindër, nxënës dhe të ftuar nderi: Odise Papa, zv. kryetar i Shoqatës Shqiptare në Irlandë (ACAI); Ms. Anca nga biblioteka Blanchardstown; dhe Sokol Ukcamaj, gjysh atdhetar dhe aktiv në komunitet.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Uran Ferizi, i cili nuk mundi të ishte fizikisht i pranishëm, përshëndeti këtë iniciativë përmes një emaili zyrtar, duke shprehur gadishmërinë e Ambasadës për të furnizuar shkollën me paketa mësimore për gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Një fillim emocionues për nxënësit
Ceremonia u drejtua nga koordinatorja e shkollës, Liljana Picari, e cila përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe falënderoi komunitetin për mbështetjen.
Mësuesja Arjana Rama shprehu emocionin e saj:
“Sot po realizoj një ëndërr që e kam pasur që sapo kam mbërritur në Irlandë, e shprehur herë me zë e herë pa zë.”
Nxënësit prezantuan veten dhe vendlindjen, mësuan për flamurin shqiptar, shkronjat e alfabetit, historinë e shkollës së parë shqipe në Korçë, dhe këngën e flamurit kombëtar.
Aktiviteti përfshiu edhe këngën e nënës, të kënduar nga Liljana Picari, si një shenjë respekti dhe falënderimi për nënat e Albanian Book Lovers Club që mundësuan realizimin e këtij kursi.
Materialet dhe trajnimi i mësuesve
Për mësimin e parë u përdorën materiale online nga Qendra e Botimeve për Diasporën (QBD), abetare të blera në Tiranë dhe skeda mbi historinë e shkollës shqipe. Paketat e nivelit I dhe II pritet të arrijnë së shpejti nga Ambasada Shqiptare në Londër. Trajnimi paraprak i mësuesve u realizua online më 12 shtator 2025 nga Anila Kadija, mësuese në diasporë dhe përfaqësuese e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD).
Hapja e kësaj shkolle shënon një moment historik për komunitetin shqiptar në Irlandë, duke krijuar një hapësirë të dedikuar për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për brezat e rinj.