Përpjekjet tona për të hapur sa më shumë pika shkollore, në mënyrë që fëmijët shqiptarë në Zvicër ta kenë më afër mësimin në gjuhën amtare, janë pjesë e misionit tonë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Pavarësisht nëse jemi në fillim apo në fund të vitit shkollor, për ne kjo ka pak rëndësi, sepse misioni ynë vazhdon pandalshëm: t’i shërbejmë gjuhës shqipe dhe atdheut tonë.
Hapja e një pike të re shkollore është gjithmonë një lajm i rëndësishëm, sepse mësimi i gjuhës amtare në mërgatë ka një vlerë të veçantë. Këtë javë, një lajm i tillë gëzoi disa prej fëmijëve shqiptarë në Oberriet të kantonit të St. Gallenit, ku u hap zyrtarisht pika shkollore shqipe. Ajo hapi dyert për fëmijët shqiptarë të kësaj qyteze, duke krijuar një hapësirë të re për mësim dhe përjetim kulturor në gjuhën e nënës.
Me të drejtë, poeti ynë kombëtar Filip Shiroka thoshte: “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet.”
Nxënësit e Shkollës Shqipe në Oberriet të kantonit St. Gallen, gjatë një ore mësimore me mësuese Albulena Hasani
Mësimi nis zyrtarisht në klasën e re shqipe në Oberriet
Pas disa takimeve e përpjekjeve me prindërit shqiptarë, të enjten u zhvillua ora e parë mësimore në pikën e re shkollore në Oberriet, duke iu mundësuar fëmijëve shqiptarë të këtij vendbanimi të mësojnë rregullisht në gjuhën shqipe. Nxënësit Maliki, Besoni, Arbëri, Leonisi, Lyesi, Darisi, Leani, Ilani, Diari, Aniku, Alina, Ledioni, Dioni, Dionisi, dhe të tjerë që pritet t’u bashkohen në ditët në vijim, u shfaqën të entuziazmuar që më në fund do të mësonin në gjuhën e tyre amtare.
Me këtë rast, ftojmë prindërit shqiptarë të kësaj zone që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe në Oberriet. Mësimi zhvillohet çdo të enjte, nga ora 16:00 deri në 18:00.
Klasa që “flet” shqip dhe përhap buzëqeshjen shqipe
Nxënësit e kësaj klase të shkollës shqipe në Oberriet tashmë kanë filluar të flasin shqipen e shkollës, të gëzojnë kur i shqiptojnë fjalët e gjuhës sonë dhe të përjetojnë buzëqeshjet, të cilët vijnë natyrshëm përmes shkronjave të shqipes. Kështu ata e mësojnë gjuhën e të parëve të tyre.
Shkollat shqipe në Zvicër janë shndërruar në një model përkushtimi për mërgatën, pas një përkushtimi të veprimtarëve të palodhur si z. Vaxhid Sejdiu. Në bashkëpunim me prindërit e kësaj qyteze dhe mësuesen Albulena Hasani, ata arritën të shtojnë edhe një klasë të re në rrjetin e pikave shkollore shqipe. Kjo dëshmon se aty ku ka përkushtim, nuk mungojnë as rezultatet.
“Shkolla Shqipe” në Zvicër është krenare për punën e palodhur të prof. Vaxhid Sejdiut, i cili vazhdimisht dëshmon se është një promotor i denjë i vlerave kombëtare dhe në shërbim të arsimit në gjuhën shqipe.
Gjuha shqipe në duart e këtyre vogëlushëve është dhurata më e bukur e vitit shkollor!
Gjuha shqipe — dhurata më e bukur për këta fëmijë
Mësuese Albulena Hasani ua shpërndau nxënësve edhe librat mësimorë, të cilët janë falas dhe sigurohen nga institucionet tona. Ky është një rezultat i punës së përbashkët dhe i angazhimit vullnetar të veprimtarëve që sakrifikojnë kohë dhe mjete materiale, sepse edhe organizimi i takimeve dhe konsultimeve me prindërit ka koston e vet.
Në katër-pesë vitet e fundit jemi dëshmitarë të hapjes së dhjetëra pikave shkollore në mbi njëzet kantone të Zvicrës — një rrugëtim që dëshmon përkushtim të jashtëzakonshëm atdhetar dhe sakrificë.
Shembulli i prof. Vaxhidit është një frymëzim për të gjithë ata që angazhohen në emër të arsimit dhe veprimtarisë kombëtare. Siç ka shkruar edhe akademiku Idriz Ajeti: “Gjuha nuk është vetëm thesari i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare.”
Sektori për Informim
Shkolla Shqipe në Zvicër