Hapet pika shkollore në Dulliken të kantonit të Soloturnit në Zvicër

- Advertisement5 -

Pas një pune të përkushtuar në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare të prindërve të Dullikenit, mësueses Besarta Halili dhe koordinatorit të “Shkollës shqipe” në Zvicër, Vaxhid Sejdiut u bë e realizueshme që fëmijët të fillojnë me mësimin në gjuhën amtare. Dhe këto fotografi të bëra ditën ndërkombëtare të arsimit, më 24 janar 2024 përcjellin një mesazh shpresëdhënës për gjuhën shqipe.

- paragrafi 1 -

Përpjekjet e vazhdueshme për ta shtuar numrin e nxënësve të pikave shkollore në Zvicër vazhdojnë edhe gjatë këtyre ditëve edhe pse viti shkollor ka filluar qysh në muajin gusht 2023. Koordinatori i “Shkollës shqipe” në Zvicër z. Dr. Vaxhid Sejdiu së bashku me prindërit vazhdon me një përkushtim të veçantë siç është dokumentuar gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit me të vetmin qëllim që në orët mësimore në gjuhën shqipe të kemi sa më shumë nxënës.

- Advertisement - M1

Pra, thënë shkurt edhe pika shkollore e porsahapur në Dulliken të Kantonit të Soloturnit i bashkëngjitet pikave tjera shkollore në gjuhën shqipe në mbarë Zvicrën. Ju bëhet thirrje të gjithë prindërve të kësaj komune, që fëmijët e tyre t`i regjistrojnë në mësimin në gjuhën shqipe. Mësimi zhvillohet çdo të mërkure në shkollën fillore Dulliken nga ora 13:30 – 15:15. Mjafton një telefonatë në tel. kujdestar 076 321 26 94 dhe regjistrimi është punë e kryer.

Ashtu siç ka thënë dekada më parë dijetari i madh shqiptar Sami Frashëri se “Shenja e kombit është gjuha. Kur një komb e humb gjuhën, ai e humb edhe veten, në të njëjtën linjë janë edhe ekspertët zviceranë të edukimit, të cilët sa herë flasin për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve rëndësi të veçantë i kushtojnë edhe mësimit të gjuhës amtare.

Dhe më këtë rast nxënësit të cilët sa po filluan me mësimin e gjuhës shqipe: Erisi, Era, Joriku, Liana, Eniku, Ledijoni, Dritjona si dhe të tjerët të cilët do t`iu bashkëngjiten në javët në vijim ju bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre që të regjistrohen në shkollën shqipe sepse nuk ka kënaqësi më të madhe kur mësojmë, ruajmë dhe zhvillojmë gjuhën e të parëve tanë, gjuhën e nënës – gjuhën shqipe.

- Advertisement - m2

Mesazhi ynë: “Ejani fëmijë – shqip të mësojmë” është mesazh i përjetshëm sepse pa këtë gjuhë, thënia: “jam shqiptar”, lenë shumë për të dëshiruar.

“Shkolla shqipe” – Zvicër