Hapet një shkollë e re shqipe në Windau të kantonit St, Gallen

- Advertisement -

Hapet pika e re e shkollës shqipe në Widnau, në kantonin e St. Gallen

- paragrafi 1 -

Nxënësit e Shkollës Shqipe në Widnau të Kantonit të St. Galen së bashku me mësuesen Njomza Maliqi

- Advertisement -

Në Widnau të Kantonit të St. Gallenit u hap zyrtarisht pika e re e shkollës shqipe e cila u krijua pas një angazhimi të gjatë dhe përpjekjesh të vazhdueshme. Kjo pikë i shtohet rrjetit të dhjetëra shkollave shqipe që veprojnë në kantonin e St. Gallen nën kujdesin e LAPSH “Naim Frashëri”, ku tani më kemi disa pika shkollore si në Rebstein, Buchs SG, Trübach, Mels, Flums, Grabs, Oberriet, St. Gallen, Rorschach, Niederuzwil, Gossau , Rapperswil – Jona, Uznach etj.

Në javën e parë, klasës së gjuhës shqipe në Widnau iu bashkuan nxënësit Ajana, Liana, Jerina, Aulona, Leona, Lorenti, Shpati dhe Luani, të cilët me gëzim dhe emocion nisën udhëtimin e tyre për mësimin e gjuhës amtare. Bashkë me ta, edhe prindërit e shprehën mirënjohjen për hapjen e kësaj klase dhe apeluan që edhe familjet e tjera shqiptare të orientonin fëmijët e tyre drejt shkollës shqipe, duke theksuar rëndësinë e gjuhës amtare në ruajtjen e identitetit kombëtar.

- Advertisement -

Mësimin në këtë klasë e udhëheq mësuesja Njomza Maliqi, e cila shprehu kënaqësinë për t’u bërë pjesë e këtij rrjeti arsimor.

Ajo u shpreh: “Gjuha amtare është ura më e fortë që i lidh fëmijët me rrënjët e tyre. Ne kemi detyrimin që kjo urë të mos thyhet kurrë.”

Në realizimin e këtij projekti një rol të veçantë pati z. Vaxhid Sejdiu, bashkëkryetar i shkollave shqipe – LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër, i cili dha kontribut të çmuar për hapjen dhe organizimin e kësaj pike të re mësimore. Ai theksoi:

“Të humbasësh gjuhën amtare do të thotë të humbasësh një pjesë të shpirtit. Me hapjen e kësaj shkolle ne po mbrojmë shpirtin tonë kombëtar.”

Kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar tek brezat e rinj në diasporë. Siç shprehej edhe rilindësi i madh Naim Frashëri:

“Gjuha është themeli i një kombi. Po ta humbim gjuhën, humbim edhe kombin.”