Vazhdimisht lexojmë lajme për hapjen e klasave në gjuhën shqipe në mbarë Zvicrën.
Nga java në javë, nga njëri Kanton në tjetrin Kanton të Zvicrës, mërgimtarët shqiptarë iu gëzohen lajmeve për hapjen e pikave të reja shkollore, të cilat janë bërë kryefjalë e jetës së tyre. Falë njerëzve të përkushtuar, shkolla shqipe po përhapet gjithandej dhe gjuha jonë e bukur po tingëllon ëmbël në gojët e fëmijëve të cilët kanë lindur dhe po rriten larg Atdheut. Një lajm i mirë është edhe ky për hapjen e një klase të re në gjuhën shqipe, në Buchrein të kantonit te Lucernit.
Të hënën me 14.04.2025 në shkollën HLB (Hinterleissbach) në klasën me 12 fëmijë, filloi ora e parë në gjuhën shqipe. Prindër, fëmijë e mësues së bashku kaluan një pasdite që do t`iu mbetet gjithmonë në kujtesë. Emocione të forta sidomos për prindërit që punuan shumë që kjo klasë të hapet në Buchrein. Ata ishin falënderues për angazhimin e Shkollës Shqipe në Zvicër që po punon me përkushtim, që fëmijëve në Zvicër t`u ofrohet mundësia e mësimit të gjuhës së nënës në shkollën, që ata ndjekin mësimet e rregullta.
Ora iku shumë shpejt, dhe ishin fëmijët ata të cilët kontribuuan, që gjithçka të ngjante me një klasë si në vendlindje, me një orë mësimi kudo në Shqipërinë tonë. Dikush një vjershë, dikush një këngë, dikush një përgjigje të pastër shqipe, dikush një përshëndetje të ëmbël dhe për një çast harron se je diku larg, në një vend ku flitet gjuhë tjetër. Prindërit ishin aty gjatë gjithë orës, ku përveç kënaqësisë e gëzimit që përjetuan, ata u interesuan edhe për detajet tjera të funksionimit të klasës së re. Mësuesja Lumnije Klinaku – Neziri ua dha informacionet e duhura, ua sqaroi rrugën se si vihet deri te hapja e një klase, punët administrative që duhen bëre e që e falënderoi me këtë rast z. Vaxhid Sejdiu për këtë pjesë, dhe të dy palët u zotuan për bashkëpunimin e mëtutjeshëm për hapjen e të klasave të reja në kantonin e Lucernit. Pastaj ajo i njoftoi me mësuesen e re Festina Bërdynaj që do ta mbajë mësimin në këtë klasë. Mësuese Festina u prezantua dhe u zotua se do të punoj me përkushtim me fëmijët e tyre.
Të lumtur , u përshëndetëm, për të vazhduar mësimin pas pushimeve pranverore.
Orari i mësimit për këtë vit shkollor 2024/25, pra deri në muajin korrik është ditën e hënë, nga ora 17.30- 19.15
Pushime të këndshme nxënës të dashur!
Suksese mësuese Festina!
“Shkolla Shqipe” i gëzohet hapjes së pikave shkollore në gjuhën shqipe si rrezeve të diellit.
Nga – Lumnije Klinaku – Neziri
Marrë nga Diasporashqiptare.al