Është hapur dega e shtatë të Shkollës së Gjuhës Shqipe “Gjergj Fishta” në Lesvos të Greqisë.
Klasa është hapur në zonën e Kallonit, duke mbajtur gjallë gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë që jetojnë në këtë ishull grek, shkruan AlbaianEducation.net.
Njoftimi i plotë:
📚🇦🇱 Hapja e Degës së 7-të të Shkollës Shqipe “Gjergj Fishta” – Kalloni, Lesvos
Me krenari dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj ruajtjes së gjuhës , kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare , njoftojmë hapjen e degës së 7-të të shkollës shqipe “Gjergj Fishta” në Kalloni, në ishullin e Lesvosit .
Kjo degë e re hapet me 20 nxënës të regjistruar – një dëshmi e qartë e interesit dhe përkushtimit të prindërve shqiptarë për ruajtjen e gjuhës amtare tek fëmijët e tyre dhe për të mos lejuar asimilimin. Duke forcuar rrënjët e identitetit kombëtar 🌳🇦🇱, ne marrim forcë dhe motivim për të vazhduar misionin tonë arsimor me seriozitet, përgjegjësi dhe dashuri .
Sot, shkolla “Gjergj Fishta” numëron shtatë degë të hapura në çdo cep të ishullit , me qëllim që të gjithë fëmijët shqiptarë, pa përjashtim dhe pa pengesa distance, të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën shqipe. Shtrirja e saj në zona të ndryshme të Lesvosit është një angazhim konkret për barazi në arsim , për ruajtjen e identitetit dhe për forcimin e komunitetit tonë në diasporë .
Shkolla mban me nder emrin e Gjergj Fishtës ✍️, figurë madhore e kulturës dhe letërsisë shqiptare, duke synuar që përmes mësimdhënies të kultivojë te nxënësit jo vetëm dijen gjuhësore, por edhe dashurinë për historinë 📜, traditat dhe trashëgiminë kombëtare.
✨ Në degën e Kallonit do të ofrohet:
Mësim i gjuhës shqipe (lexim, shkrim, drejtshkrim) 📝
Njohuri mbi historinë dhe kulturën shqiptare 📚
Veprimtari edukative dhe kulturore
Aktivitete festive me rastin e festave kombëtare.
Hapja e kësaj dege të re është një arritje e përbashkët e komunitetit shqiptar në Lesvos dhe një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së gjuhës sonë, kundër asimilimit dhe për trashëgimin e identitetit tonë brez pas brezi .
Ftojmë të gjithë prindërit të vazhdojnë ta mbështesin këtë nismë të rëndësishme, që fëmijët tanë të rriten me krenari për origjinën e tyre dhe të bëhen bartës të denjë të trashëgimisë sonë kombëtare .
Së bashku për gjuhën, kulturën, trashëgiminë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë! 📚❤️🇦🇱