Hapen dy klasa mësimore me teknologji të avancuar brenda spitalit pediatrik

- Advertisement -

Fëmijët e shtruar në spitalin pediatrik në QSUT, për herë të parë, do të kenë mundësi të zhvillojnë mësim brenda mjediseve të spitalit.

- paragrafi 1 -

Dy klasa, një për mësimin përmes teknologjisë dhe për mësimin sipas kurrikulës së shkollës për fëmijët dhe një klasë arti, janë gati për pacientët e vegjël.

- Advertisement -

Ato u inauguruan nga Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçi, dhe drejtues të Fondacionit izraelit SASA Setton.

“Kemi vendosur katër mësues të sistemit arsimor dhe një mësuese që është e përhershme në pediatri, mësuese e ciklit fillor. Katër mësues të cilët do të jenë pjesë e ‘shkollës’ së ndërtuar tashmë në Spitalin Pediatrik. Të dyja klasat janë funksionale, do të ofrojnë mësim, por edhe argëtim për fëmijët që trajtohen në këtë spital”, tha Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu.

Ky investim është rezultat i marrëveshjes tripalëshe, nënshkruar më herët nga Ministrja e Arsimit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe kreu i Fondacionit SASA Setton, Robert Singer, i cili shprehu vlerësimet maksimale për dy ministret.

- Advertisement -

“Faleminderit që keni caktuar ministre kaq të shkëlqyera, ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer,” tha Robert Singer, kreu i Fondacionit SASA Setton.

“Bëj dhe unë punë të mira nganjëherë,” tha Kryeministri Edi Rama.

Fondacioni SASA Setton ka ofruar eksperiencën për të ngritur një program të posaçëm edukues dhe argëtues për fëmijët e moshave të ndryshme, të shtruar në Spitalin Pediatrik.

Për fëmijët që e kanë të pamundur lëvizjen nga shtretërit, do të mundësohen tableta, smartphone dhe mjete didaktike të krijuara posaçërisht për ta. Krahas mësimit, do të ofrohen aktivitete që lidhen me leximin, fotografinë, muzikën, etj.