“Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, në mbështetje të Vendimit nr. 386, datë 1.6.2022 të Këshillit të Ministrave ‘Për miratimin e fushave dhe të programeve të studimit, që përbëjnë prioritet kombëtar dhe mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer e të studentëve, që ndjekin këto programe në institucionet publike të arsimit të lartë’, i ndryshuar, bën publik njoftimin si më poshtë:
Studentët, shtetas shqiptarë, të pranuar në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2023-2024, për program të parë studimi mund të aplikojnë për të përfituar mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, sipas kritereve të përcaktuara, sipas Vendimit Nr. 386, datë 1.6.2022, ndryshuar me VKM-në nr.397, datë 29.6.2023, sipas kategorive”, citohet në njoftimin e MAS, ku citohen më poshtë tri kategoritë përfituese.
- Të parët janë studentët e shkëlqyer. Të tillë cilësohen ata që kanë përfundar studimet e gjimnazit me notë mesatare 10.00 e gjithashtu në secilin prej provimeve kombëtare të detyruara të Maturës Shtetërore janë vlerësuar me jo më pak se nota e përshkallëzuar 9.5 deri në 10.00.
- Kategoria e dytë e përfituesve janë studentët që kanë fituar në olimpiada. “Studenti fitues i njërit prej tri çmimeve të para, në olimpiadat ndërkombëtare të arsimit parauniversitar, me më shumë se 15 vende pjesëmarrëse, pavarësisht notës mesatare, kur pranohet në programe studimi, që lidhen me lëndën/t/disiplinën ku ka fituar çmimin”, thuhet konkretisht në vendim.
- Kategoria e tretë e përfituesve të bursave janë ata që i janë bashkuar programeve prioritare të shpallura nga qeveria.
Të rinjtë kanë thuajse dy muaj kohë në përgatitjen e dokumenteve të aplikimit, përmes të cilave vërtetojnë se iu përkasin një prej tri kategorive të sipërcituara. “Aplikimet dorëzohen pranë Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL), në rrugë postare, me email në adresën: [email protected], ose dorazi në adresën: rruga ‘Naim Frashëri’, nr.37, Tiranë, nga data 18 tetor 2023 – 18 dhjetor 2023. Formulari i aplikimit, sipas modelit bashkëngjitur, vihet në dispozicion pranë AKFAL-it”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
/MaturaShtetërore/