Hap dyert, shkolla shqipe në Grabs të kantonit të St. Gallenit

- Advertisement -

Vaxhid Sejdiu: Hap dyert, shkolla shqipe në Grabs të kantonit të St. Gallenit

Shkollat shqipe në të gjithë Zvicrën kanë marrë shkëlqimin e gjuhës sonë me atë ëmbëlsinë e dashurinë naimjane për të gjithë fëmijët e të rinjtë shqiptarë. Ishte një përpjekje e re, një dritësim i ri në vazhdën e shumë veprimtarive, të cilat na shoqërojnë jo vetëm viteve të fundit, por më shumë se tri dekada, duke përhapur “dritën së diturisë” në gjuhën shqipe.

- Advertisement -

Pika e re shkollore në gjuhën shqipe është vazhdimësi e këtyre veprimtarive të cekura më sipër. Kështu i shtohet shkollave shqipe në Zvicër, në kantonin e St. Gallenit, edhe kjo pikë shkollore, e cila hapi dyert që fëmijët shqiptarë ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën amtare.

Viteve të fundit është bërë një punë e admirueshme në hapjen e pikave shkollore në mbarë Zvicrën, pothuajse në të gjitha kantonet e Zvicrës. Puna dhe angazhimi ynë në bashkëpunim me prindërit shqiptarë ka dhënë frutat e saj, dhe në këtë mënyrë jemi bërë, shembulli më i mirë në përhapjen e dritës së diturisë në gjuhën shqipe. Para dy muajve fillova përpjekjet rreth organizimit të klasës në Grabs të kantonit të St. Gallenit, fillimisht punën administrative me Drejtorinë e shkollës, kontaktin me mësuesen Albulena Hasani, e cila pas një pune (zëvendësim) tre mujore në rajonin e Sarganserland-it, i hapi rrugës vetes, që të angazhohemi më shumë, për të, për t`i bërë vend në kuadër të Këshillit të Arsimtarëve të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër.

- Advertisement -

Dhe të gjitha këto përpjekje filluan të marrin rrugë dhe hap pas hapi filluan të realizohen. Bashkëbisedimi me prindërit, leja për klasën nga Drejtoria e shkollës, regjistrimi i nxënësve ishin vetëm disa hapa, të cilët si në çdo pikë shkollore marrin kohën e vet, ndaj janë edhe një ngarkesë administrative jo vetëm për ne, veprimtarët vullnetarë, por edhe për drejtoritë e shkollave zvicerane, sepse klasat po hapen gjatë gjithë vitit shkollor, pa e planifikuar më herët, prandaj themi padyshim është një ngarkesë për të gjithë faktorët.

Dita e parë e mësimit ishte e veçantë, e veçantë, sepse nuk ka gjë më të bukur kur këta fëmijë i dëgjojmë duke shqiptuar fjalët e gjuhës sonë – gjuhë e prindërve të tyre, gjuhë e të parëve të tyre. Nuk ka gjë më të bukur se kur këta fëmijë shqiptarë i sheh me librin shqip në duar dhe të gatshëm për ditët e reja në rrugëtimin e tyre për ta mësuar dhe ruajtur gjuhën shqipe. Nuk ka gjë më të bukur por njëkohësisht edhe më të vështirë kur e sheh strukturën e nxënësve, nxënës të moshave të ndryshme, të nivelit të parë apo të nivelit të dytë. Ata, të cilët sa po fillojnë me shkronjat e shqipes dhe ata, të tjerët që nuk njohin shkronjat dyshe dhe kanë shumë vështirësi t`i shqiptojnë. Në mesin e tyre ka edhe të atillë, të cilët me përkrahjen e familjeve e flasin dhe e shkruajnë mirë gjuhën. E gjithë kjo është një “betejë” e cila na shoqëron gjatë ditëve të javës nga një pikë shkollore në tjetrën. Tani më edhe mësuese Albulena i bashkëngjitet kësaj sfide, këtu në mërgim me qëllim që t`i mësojë fëmijët shqiptarë, ta përvetësojnë sa mirë gjuhën shqipe.

Në këtë betejë jemi me dhjetëra e dhjetëra mësues në mbarë Zvicrën. E fillojmë dhe e mbarojmë javën, me qëllim që fëmijët shqiptarë ta mësojnë dhe ta ruajnë sa më mirë gjuhën shqipe. Fakt është se çdo fillim është shumë i vështirë dhe kjo shihet te qindra e qindra nxënës të cilët vijojnë rregullisht mësimet në gjuhën amtare, por kur mësuesit e nxënësit janë këmbëngulës në rrugëtimin e tyre të përbashkët sukseset nuk mungojnë.

Kësaj “beteje” aq shpresëdhënëse i bashkëngjiten edhe nxënësit e shkollës shqipe në Grabs të kantonit të St. Gallen. Janë këta nxënës: Ana, Sara, Amira, Ajla Mendohija, Albini, Shkodrani, Gresa, Genti, Ariana, Ajani, Zejdi, etj., të cilët vijnë në këtë pikë shkollore për të marrë nektarin e gjuhës sonë.

Shpresojmë që buzëqeshja e tyre, si kjo në orët e mësimit të gjuhë shqipe në këtë fillim pranvere të mos zbehet kurrë, të mbetet për ta buzëqeshje pranverore gjithmonë. /Marrë nga shkollashqipe.ch