Hap dyert shkolla shqipe në Frauenfeld të kantonit Thurgau

- Advertisement -

Edhe një pikë shkollore në gjuhën shqipe i shtohet kantonit Thurgau, pas punës së palodhur të mësuese Valbonë Alili, si dhe përkushtimit të veprimtarëve: Nexhat Hyseni dhe Vaxhid Sejdiu.

Fakt është se aty ku veprimtarët i bashkojnë forcat për një qëllim të përbashkët sukseset nuk mungojnë, siç po ndodh në kantonin Thurgau.

- Advertisement -

Në vazhdën e përpjekjeve të hapjes së pikave shkollore në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në kantonin Thurgau, shkollave shqipe në këtë kanton i shtohet edhe pika e re shkollore në Frauenfeld, e cila këto ditë hapi dyert për nxënësit që ta mësojnë gjuhën shqipe.

Duke pasur parasysh punën dhe angazhimin e madh të veprimtarëve dhe mësuesve të shkollave shqipe: Nexhat Hyseni, Valbonë Alili dhe Vaxhid Sejdiu, pas një përkushtimi së bashku me prindërit e qytetit Frauenfeld të kantonit Thurgau në Zvicër u arrit që të hapet pika shkollore, duke ua bërë të mundshme fëmijëve shqiptarë, që ta mësojnë në mënyrë të rregullt gjuhën amtare.

- Advertisement -

Këta fëmijë të mrekullueshëm me libra në dorë dëshmojnë përpjekjet e të gjithë atyre, që sot në Zvicër janë bërë shembulli më i mirë i përkushtimit dhe angazhimit në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare.

Në këtë pikë shkollore punon mësuesja Valbona Alili dhe mësimi zhvillohet çdo të enjte në Shkollën “Ergaten” në Frauenfeld, nga ora 16:15 -18:00.

Lirisht mund të themi se jo vetëm nxënësit ndiheshin të lumtur: Eliza, Rea, Adriana, Domenika, Sophie, Jonart, Ejmen, Lena, Cloe, Rafaelo, Riccardo, Filipo, të cilët iu bashkëngjiten mësimeve të gjuhës shqipe, por edhe prindërit, të cilët mësimin e gjuhës shqipe e shohin shumë të nevojshme për fëmijët e tyre.

Prandaj, ju bëhet thirrje prindërve shqiptarë të qytetit Frauenfeld, që në ditët në vijim t`i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe, e cila po e përgatit edhe ndarjen e fëmijëve në dy grupe, me qëllim që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që nxënësit ta mësojnë sa më lehtë dhe sa më mirë gjuhën shqipe. / Marrë nga prointegra.ch