Hana Selmani ka krijuar programin për zbulimin e depresionit përmes inteligjencës artificiale. Në një bisedë për Portalb.mk ajo zbuloi më tepër se si funksionon ky program dhe inteligjencës artificiale.
Portalb.mk: Keni krijuar programin për zbulimin e depresionit përmes Inteligjencës Artificiale, na trego më gjerësisht rreth këtij programi?
Hana Selmani: Si nxënëse e shkencave kompjuterike, mua gjithmonë më ka tërhequr sfera e Inteligjencës Artificiale (IA), prandaj vendosa të eksploroj këtë temë më thellësisht me temën e diplomimit gjatë studimeve në New York University Abu Dhabi. Gjithashtu e dija që dua të merrem me projekt që do t’i ndihmojë shoqërisë. Mentorja ime, profesoresha Mai Oudah, merret me studimin e informatikës, dhe më saktë studime informatike që merren me mikrobiomën.
Hulumtimi përqendrohej në dy pyetje kryesore: a do mund të zbulohet depresioni përmes IA-së, dhe a do të zbulojmë lidhje mes një pjesës fizike të trupit si mikrobioma e zorrëve dhe një sëmundjes mendore si depresioni. Pasi që arrita me përgjigje pohuese të dy pyetjeve kryesore, u përqendrova në optimizmin e programit, që të jetë sa më i saktë dhe efikas që mundet.
Performanca finale është gati se e përkryer, me 99% kategorizim të saktë. Motivimi i këtij projekti është që të krijohet një vegël efektive, e qasshme, dhe me kosto të ulët. Diagnozat tradicionale psikiatrike mund të jenë të kushtueshme dhe të paarritshme për një pjesë të madhe të popullsisë, prandaj nevojitet një vegël si kjo.
Portalb.mk: Si funksionon konkretisht ky program si mund ta detektojmë depresioni?
Hana Selmani: Në këtë studim, ne përdorim teknikat e të mësuarit të makinerive (machine learning), apo IA, për të ndërtuar një model parashikues i bazuar në të dhënat e mikrobiomës së zorrëve për qëllime të zbulimit të depresionit. Në mënyrë më të kuptueshme, kjo do të thotë që “makina”, apo modeli i IA-së, trajnohet dhe mëson nga të dhënat e mikrobiomës së zorrëve.
Këta të dhëna janë të shënuara dhe të ndara mes mikrobiomës me depresion dhe mikrobiomës “të shëndoshë” (pa depresion). Modeli fillon të dallojë mes profilit të mikrobiomës me depresion dhe të asaj pa depresion-dhe në këtë mënyrë, në hapin e testimit hiqen shënimet dhe modeli duhet të gjej cila mikrobiomë është me depresion dhe cila është pa depresion. Të dhënat i kemi marrë prej një data bazë të laboratorëve, në të cilën përfshihen mikrobiomët e 43 njerëzve me depresion dhe 47 pa depresion.
Modeli arrin saktësi deri më 99% për shkak se programi që e krijuam identifikon një profil të 30-50 mikrobeve të cilat janë më informative dhe diskriminative për të dalluar mes klasave depresion” dhe “shëndoshë”. Kjo paraqet një kontribut tjetër me atë që mikrobet e identifikuara mund të merren nga studime biologjike për të zbuluar lidhje apo shkaqe mes këtyre mikrobeve dhe depresionit. Ata që janë të interesuar për më shumë detaje teknike dhe rezultate, këta mund t’i gjejnë në publikimin ndër titullin “Using Machine Learning for Depression Detection Based on Gut Microbiome“ në Springer Nature.
Portalb.mk: Cilat janë përfitimet dhe sfidat kryesore të këtij programi?
Hana Selmani: Përfitimet e programit janë kontributet e shumta në shkenca të ndryshme. Në sfera të programimit dhe IA-së ka kontribute në studime mes IA-së dhe mikrobiomës, IA-së dhe depresionit, si dhe teknika të optimizmit të modeleve – të cilat përshkruhen më thellësisht në publikimin, të njohura me termet “feature selection” dhe “feature engineering”. Në sferë të biologjisë ka kontribute në studime mes lidhjes së mikrobiomës dhe shëndetit mendor si dhe identifikimi i profilit të mikrobeve të cilat dallojnë në prezencën e depresionit. Përfitimi kryesor gjendet në qëllimin e programit-mundësia për të ndihmuar njerëzit në zbulimin e depresionit në mënyrë të qasshme dhe me kosto të ulët.
Një sfidë gjendet në atë që vetëm një psikiatër mund të jap diagnozën finale, përderisa programi i krijuar identifikon nëse struktura e mikrobiomës përputhet me strukturën e mikrobiomës me depresion apo pa depresion.
Programi zbulon depresionin saktësi të lartë, por nuk jep shpjegueshmëri të lidhjes mes profilit të mikrobeve dhe depresionit-si ndikon njëra mbi tjetrën? A ndikon depresioni mbi mikrobiomën apo mikrobioma shkakton depresionin? Këta pyetje duhet të hulumtohen më tej në sferat e biologjisë.
Portalb.mk: Sa kohë ju ka marrë për të krijuar një program të tillë?
Hana Selmani: Pjesa e programimit më ka marrë rreth një vit e gjysmë, megjithëse gjatë këtij viti isha studente e rregullt në universitet, dhe merresha me procesin e shkrimit të manuskriptës dhe dorëzimit për publikim. Prej dorëzimit deri në botimin final-online dhe në libër, më ka marrë edhe një vit tjetër.
Portalb.mk: A është bërë ndonjë eksperiment nga kjo vegël dha sa ka treguar efektiv?
Hana Selmani: Si pjesë të krijimit të programit, duhet të testohet modeli vazhdimisht. Eksperimentet dhe testet janë bërë me të dhënat nga data baza e përmendur-të cilat kanë treguar shumë efektive. Modeli më efektiv zbulon depresionin saktë 99% të rasteve.
Portalb.mk: A pritet të ketë përdorim praktik ky program?
Hana Selmani: Nuk ka plane tani për përdorim praktik nga ana ime, po nëse ka ndonjë kompani që dëshiron të krijoj një vegël për përdorim praktik sigurisht mund ti përdorin gjetjet e mia.
Portalb.mk: Ky program është i rrallë dhe pikërisht është bërë nga ju si një programere e sapo diplomuar, cilat janë synimet dhe planet e juaja për të ardhmen?
Hana Selmani: Unë planifikoj të vazhdoj studimet në shkenca kompjuterike dhe IA me një master në Mbretërinë e Bashkuar. Tani jam në procesin e publikimit të dytë, i cili është në fushën e sigurisë të çipave elektronikë. Synoj të vazhdoj të merrem me projekte dhe studime që do i ndihmojnë shoqërisë përmes teknologjisë dhe IA-së.
Portalb.mk: Cili do të ishte mesazhi i juaj për gjithë ata të rinj që duan të jenë pjesë e shkencës?
Hana Selmani: Mos e lejoni frikën të bëhet pengesë në arritjen e qëllimit tuaj. Nëse ndjeni pasion ndaj shkencës, i kisha këshilluar të gjithë të ndjekin këtë pasion. Me siguri nuk është një rrugë e lehtë, sidomos për vajzat e gratë që nuk inkurajohen nga shoqëria të ndjekin këtë rrugë, por me punë të lodhshme dhe pa dorëheqje mund të arrish një qëllim shumë shpërblyes.