Kriza në sistemin arsimor shqiptar po thellohet nga viti në vit.
Shpopullimi i zonave, pagat e ulëta të mësuesve dhe mungesa e interesit për degët e mësuesisë po krijojnë vështirësi të mëdha për shkollat në shumë pjesë të vendit.
Zv.presidenti i Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë, Isa Halilaj, foli për situatën që po përjeton arsimi parauniversitar dhe sfidat që lidhen me rënien e numrit të nxënësve dhe mungesën e mësuesve.
Sipas tij, arsimi duhet të trajtohet si një nga prioritetet kryesore kombëtare, pasi zhvillimi i vendit lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e sistemit arsimor.
“Arsimi duhet të kalojë në një prioritet kombëtar nga politika. Pas sigurisë kombëtare dhe integritetit territorial duhet të vijë arsimi. Kemi shpopullim të zonave dhe bashkë me prindërit largohen edhe fëmijët. Kjo ka sjellë rënie drastike të numrit të nxënësve.”- tha ai, për Ora News.
Fenomeni i emigrimit ka ndikuar drejtpërdrejt në shkollat e zonave të vogla, ku numri i nxënësve është ulur ndjeshëm. Në disa raste klasat janë bashkuar, ndërsa në zona të caktuara po funksionojnë gjithnjë e më shumë klasat kolektive.
Halilaj solli edhe një shembull konkret nga jugu i vendit.
“Për hir të së vërtetës, vitin e kaluar në Leskovik kishim vetëm dy nxënës në klasën e parë. Në zona të caktuara po shtohen çdo ditë klasat kolektive dhe nuk kemi një strategji të qartë për këtë situatë.”- shtoi Halilaj.
Një tjetër problem lidhet me mungesën e interesit për profesionin e mësuesit.
“Pagat e ulëta dhe vështirësitë e punës kanë bërë që shumë të rinj të mos zgjedhin më degët e mësuesisë.
Në disa zona tashmë ka mungesë të mësuesve për lëndë të caktuara, veçanërisht për shkencat dhe gjuhët e huaja”.
“Shumë studentë që diplomohen në gjuhë të huaja zgjedhin të punojnë në sektorë të tjerë, si turizmi, ku të ardhurat janë më të larta.”
Sipas Halilajt, situata lidhet edhe me nivelin e financimit për arsimin.
Ai kujtoi se vendet e Bashkimit Evropian investojnë mbi 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për arsimin, ndërsa në vendet skandinave kjo shifër arrin deri në 7.5 për qind.
Në këtë situatë, sipas tij, sistemi arsimor ka nevojë për një reformë të thellë dhe një qasje të re financimi që nga arsimi parashkollor deri te universitetet.