Një atlete nigeriane ka fituar një medalje të artë në Festivalin Kombëtar të Sporteve. Aminat Idrees, 26 vjeç dhe 8-muajshe shtatzënë fitoi në kategorinë Mixed Poomsae në Taekwondo, thanë organizatorët, duke i përshkruar arritjet e saj si “frymëzuese”.
“Është një privilegj për mua. Vendosa ta provoj pas disa kohësh trajnim dhe ndihem vërtet mirë.”
Sidoqoftë, jo të gjithë e kanë parë si “frymëzuese” pjesëmarrjen e saj në lojëra. Disa e kanë kritikuar për pjesëmarrjen në këtë sport, për shkak të fazës së përparuar të shtatzënisë. Një përdoruese e Twitter shkroi:
“Kjo është më shumë sëmundje, se sa frymëzuese.”
Ndërsa dikush tjetër tha se “nënat bëjnë gjëra të tilla, pastaj stresojnë mjeket në maternitete”.
Sigurisht që të tjerë e mbështetën përfshirjen e saj në konkursin sportiv:
“E adhuroj mënyrën si e bëri gjithçka të duket kaq e lehtë. Performancë e mrekullueshme”, u shpreh dikush.
Idrees, tha se “i kupton edhe kritikët” sepse “shumë njerëz nuk janë në dijeni të formave të ndryshme të Taekwondos”.
“Shumë njerëz nuk e kuptojnë se çfarë është Taekwondo në të vërtetë. Unë mendoj se kjo është një rrugë për t’i edukuar ata. Taekwondo ka dy degë: sportin luftarak dhe Poomsae – e cila është një formë e stërvitjes me teknikat e duarve dhe këmbëve. Unë kam marrë pjesë në kategorinë Poomsae. Ndjeva që nuk kishte shumë rrezik të lidhur me të, kështu që vendosa ta provoj. Mjeku im, si dhe organizatorët e lojërave më certifikuan të aftë për të marrë pjesë në këtë sport”, tha 26-vjeçarja.