Grevë e protestë nga punëtorët teknikë të shkollave në Gjilan – kjo është arsyeja

- Advertisement -

Tualetet e shkollës “Xhavit Avdyli” në Gjilan nuk janë pastruar që një javë, meqë stafi teknik që deri tash ka shërbyer, ka hyrë në grevë.

- paragrafi 1 -

Zyhrije Matoshi së bashku me kolegët e saj nuk e kanë marrë pagën prej 250 eurosh për muajin mars, meqë kompanisë “Krasniqi”, pjesë e së cilës janë, në mars i ka skaduar kontrata që e kishte me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Gjilanit.

- Advertisement -

“Ne jemi në këtë shkollë. Qe nëntë vjet punojmë me kolegët tonë, edhe tash për momentin kompanisë i ka skaduar afati i kontratës më 15 mars, na kemi qenë te komuna, kryetari na ka premtuar që punën mos me ndërpre sepse do t’i paguajë komuna. Kur e kemi marr informacionin e saktë që nuk kemi paga për muajin mars, punën e kemi ndërprerë”, ka thënë Matoshi.

Pas situatës së krijuar, nxënësit i pastrojnë vetë ambientet ku qëndrojnë.

“Ne jemi obliguar nga drejtori që ta pastrojmë ambientin ku po qëndrojmë. Normalisht është e vështirë, pasi po qëndrojmë në një ambient jo të duhur për mësim”, u shpreh Erijon Mujku, nxënës në gjimnazin natyror “Xhavit Avdyli”.

- Advertisement -

Njëjtë si stafi teknik në gjimnazin “Xhavit Avdyli”, janë edhe 120 punëtorë teknikë të 28 shkollave në Gjilan që nuk kanë marrë pagë që një muaj. Edhe me protestë, pakënaqësinë e kanë shprehur të mërkurën para Komunës.

“Na grevë kemi mbajtur vetëm një ditë në shkollën tonë. Kemi punuar në mënyrë të rregullt, shkaku i kolegëve të tjerë. Këta s’kanë punuar asnjë hiç, na jemi detyruar mos t’i lejmë nxënësit në bërllok, kemi fshi, i kemi bërë punët tona, i kemi kryer, ama kjo padrejtësi që po na bëhet neve, është shumë keq pasi mbajmë familje”, pohoi Fatime Latifi, punëtore teknike në shkollën fillore “Sadullah Brestovci”.

Pronari i kompanisë “Krasniqi”, Skender Krasniqi, tha t’i ketë njoftuar zyrtarët komunalë qysh nga muaji janar se kontrata është afër përfundimit, porse paralajmërimet e tij nuk janë marr parasysh nga Komuna.

Drejtoresha e Arsimit në Gjilan Selvete Sylejmani, tha se janë në diskutime me Zyrën e Prokurimit për ta zgjidhur këtë situatë.

“I kemi disa raste individuale të cilët janë duke e bojkotuar punën si shenjë pakënaqësie, por jemi duke punuar intensivisht që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur, që shërbimi i pastrimit t’u ofrohet objekteve shkollore më kohë dhe njëkohësisht këta punëtorë teknikë t’i marrin pagat e tyre për punën e bërë”, tha Sylejmani.

Probleme të njëjta këta punëtorë kanë pasur edhe në vitin 2019, kur për tre muaj nuk ishin paguar.

/koha.net/