Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka reaguar pasi greva në arsim ka hyrë në javën e pestë, duke thënë se është thellësisht i shqetësuar më këtë vonesë në fillimin e vitit shkollor.
Në një reagim dërguar mediave, UNICEF ka thënë se duhet të vihet në plan të parë interesi i fëmijëve dhe që ata t’i kthehen mësimit sa më parë që është e mundur.
Sipas UNICEF, privimi i vazhdueshëm i të drejtës për arsimim mund të ketë pasoja serioze në arritjet arsimore, shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve.
“Fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë tash e katër javë nuk kanë qasje në arsim. UNICEF-I është thellësisht i shqetësuar me këtë vonesë në fillimin e vitit shkollor, veçanërisht në kohën kur të gjitha përpjekjet duhet të fokusohen në kompensimin e humbjeve të mësimit për shkak të pandemisë COVID-19. Jemi duke e përjetuar një krizë globale në mësimnxënie, me gati dy të tretat e fëmijëve të moshës 10 vjeçare që nuk janë në gjendje ta lexojnë dhe kuptojnë një tekst të thjeshtë dhe privimi I vazhdueshëm i të drejtës për arsimim mund të ketë pasoja serioze në arritjet arsimore, shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve.
Ne duhet ta vëmë në plan të parë interesin më të mirë të fëmijëve dhe të sigurohemi që mund t’I kthehen mësimit sa më parë që është e mundur.”, thuhet në reagimin e UNICEF.
Ndryshe, sot pritet që anëtarësia e Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, të japë mendim për pezullimin e mundshëm të grevës në arsim.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka thënë, më 28 shtator, se i është drejtuar anëtarësisë greviste me një shkresë, përmes të cilës u ka kërkuar të japin mendimin e tyre për idenë që të pezullohet greva në arsim deri në janar të vitit 2022, dhe procesi mësimor të nisë nga tre tetori.
Në një komunikatë për media, SBASHK-u thotë se kërkimi i mendimit të anëtarësisë për pezullim të grevës vjen për shkak të mungesës së dialogut social.
Ata kanë thënë se nuk tërhiqen nga kërkesat për shtesë në pagë deri në zbatimin e Ligjit për paga, ndryshimin e Ligjit për skema pensionale dhe Ligjit për sigurime shëndetësore.