Me aprovimin për pezullim të grevës, përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri e konsideron të mbyllur grevën, për shkak se sipas tij, kërkesa kryesore e sindikatës është plotësuar.
Ymeri tha se greva për ta ka përfunduar, sepse kërkesa për Ligjin e Pagave është miratuar në Kuvend.
Sipas tij, ligji pritet të hyjë në fuqi në muajin shkurt.
“Greva është mbyll për shkak se Ligji i Pagave ka kaluar në leximin e parë, në leximin e dytë është miratuar në Kuvend edhe është shkurtuar afati që ka qenë tetë muaj ditë më përpara në një muaj dhe pritet të hyjë në fuqi në muajin shkurt, kjo ka qenë arsyeja pse ne e kemi mbyllur grevën”, ka deklaruar Ymeri.
Ai pohoi se për ta është mbyllur greva, duke i dërguar e-mail zyrtar Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, për shkak se sipas Ymerit është plotësuar kërkesa kryesore e tyre.
Sipas tij, tanimë është në duar të BSPK-së që të marrë vendim.
“Ne i kemi dërguar e-mail zyrtar BSPK-së, kemi thënë se për SBAShK-un greva është e mbyllur. Tani mbetet që BSBK-ja me marrë vendim. Mirëpo për SBAShK-un greva është e mbyllur për shkak se janë plotësuar kërkesat e Ligjit të Pagave ashtu siç kemi kërkuar”, tha ai.
I pyetur se sa do të jetë vlera e rritur e koeficientit, ai tha se vlera e koeficientit caktohet ashtu si është në Ligj.
Po ashtu ai tregoi se caktimi i vendimit për rritjen e pagave të mësimdhënësve, do të bëhet në këtë muaj.
Ymeri tregoi se kanë autorizuar kryetarin e Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli që të kontaktojë me qeverinë, për vlerë maksimale të koeficientit.
“Vlera e koeficientit caktohet ashtu si është është në Ligj, gjatë këtij muaji janar merr vendim qeveria dhe e cakton. Ne si SBAShK, e kemi autorizuar kryetarin e BSPK-së Atdhe Hykolli, që në kontakt me qeverinë të bëjë përpjekje që vlera e koeficientit të caktohet në vlerë maksimalisht të mundshme”, u shpreh ai.
Më tej, ai tregoi se Hykolli ka pasur një takim me kryeministrin Albin Kurti, ku sipas tij janë duke u bërë përllogaritjet se sa është e mundshme vlera e koeficientit për çdo punëtor.
“Një takim e ka pasur me kryeministrin. Sipas kryeministrit, janë duke e bërë përllogaritë me i vendos secilit punëtor me koeficient sipas ligjit të pagave duke i bërë përllogaritë se sa është e mundshme të caktohet sa më e madhe vlera e koeficientit”, tha Ymeri.
Në fund, Ymeri tregoi se kishin kërkuar që koeficienti të jetë 120 euro, e sipas tij, nëse ka më shumë është plus.
I pyetur se çfarë do të ndodh nëse është më pak se shuma e tyre e kërkuar, ai u përgjigj se do të bisedojmë për aq sa është e mundshme.
“Ne jemi të pajtimit, ne kemi kërkuar që së paku koeficienti me qenë 120 euro por nëse është më shumë se 120 euro është plus. Do të bisedojmë aq sa është e mundshme”, përfundoi ai për lajmi.net.
SBAShK-u pas takimit me kryetarët të nivelit komunal Sindikal dhe universiteteve, ka propozuar BSPK-së që të pezullohet greva.
Ligji i pagave është votuar në Parlament dhe pritet të nis implementimi i tij në shkurt të këtij viti.
Kundër ligjit të pagave ka dalë opozita, e cila ka dërguar këtë ligj në Gjykatë Kushtetuese.
Ndërkaq, edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi dje ka kërkuar nga Avokati i Popullit që këtë ligj ta dërgojë në Kushtetuese.