Mijëra persona, kryesisht gra shqiptare, besohet të kenë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në shumë raporte vendore e ndërkombëtare, theksohet se fenomeni i dhunimeve seksuale nga pjesëtarët e forcave paramilitare serbe ishte mjaftë i përhapur në Kosovë gjatë viteve 1998-99. Megjithatë, edhe 23 vite pas përfundimit të luftës, shumë pak raste në lidhje me këtë çështje janë hetuar e gjykuar nga institucionet vendore e ato të huaja. Madje, dy dekada nga lufta e fundit, ende nuk dihet as numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, derisa pak më shumë se 1000 personave u është njohur tashmë një status i tillë nga autoritetet kosovare.
Gjatë proceseve gjyqësore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi (TPNJ) është vërtetuar se dhunimet dhe abuzimet e tjera seksuale ndaj grave e burrave shqiptar kanë qenë dukuri e përhapur gjatë luftës në Kosovë. Por, shumë pak persona janë dënuar për këtë vepër që llogaritet si krim lufte.
Gazeta Online Reporteri.net në këtë seri shkrimesh për herë të parë sjell një hulumtim dhe rrëfim ekskluziv për rastet e dhunimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, që janë kryer nga forcat serbe ndaj disa grave shqiptare në objektin e Fakultetit Ekonomik dhe atij Juridik, brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës.
Hulumtimi që do të publikohet në tri pjesë përfshinë edhe rrëfimin e një viktime të dhunës seksuale që tregon për herë të parë në publik për përdhunimin dhe maltretimet që i përjetoi nga paramilitaret serbë 23 vite më parë në një nga sallat e ndërtesës që edhe sot shfrytëzohet nga Fakulteti Juridik në Prishtinë.
Raporti i Human Rights Watch apo “historia e harruar”
Në vitin 2000, organizata “Human Rights Watch”, që kishte hetuar përdorimin e dhunimeve dhe formave të tjera të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, konkludonte se këto metoda “në Kosovë në vitin 1999 ishin përdorur si armë lufte dhe si instrumente për ‘spastrimin etnik’ të vazhdueshëm”.
“Përdhunimet nuk ishin akte të rralla dhe të izoluara të kryera nga individë të forcave serbe apo jugosllave, por më tepër u përdorën në mënyrë të vetëdijshme si një instrument për të terrorizuar popullatën civile, zhvatjen e parave nga familjet dhe shtytjen e njerëzve për të ikur nga shtëpitë e tyre. Përdhunimet shtyu përpara qëllimin për të detyruar shqiptarët etnik të largohen nga Kosova”, shkruante HRW, përcjellë Gazeta Online Reporteri.net.
Në kuadër të raportit “Kosovo: Rape as a Weapon of “Ethnic Cleansing” [Kosova: Përdhunimi si armë e ‘spastrimit etnik’], HRW listonte disa mënyra se si ndodhnin këto dhunime seksuale gjatë luftës, përfshirë mbajtjen peng të grave shqiptare, përdhunimet në shtëpi dhe në të tjera objekte të shfrytëzuara nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë.
Një nga ndërtesat e kthyera në qendra ku ushtrohej dhuna seksuale ndaj grave e burrave shqiptar ishte edhe kampusi qendror i Universitetit të Prishtinës. Më konkretisht, objekti i Fakultetit Ekonomik dhe Juridik, që ende edhe pas dy dekadave vazhdon të përdoret për mësim nga profesorët e studentët këtyre departamenteve, shërbeu si qendër e përkohshme ndalimi në të cilat keqtrajtoheshin gratë shqiptare të kryeqytetit. Një gjë e tillë ishte raportuar nga organizatat kredibile ndërkombëtare.
Në një intervistë menjëherë pas lufte për “Human Rights Watch”, Sevdie Ahmeti, aktivistja tashmë e ndjerë e shoqërisë civile, kishte përshkruar gjendjen në të cilën e kishte gjetur objektin e Fakultetit Ekonomik e Juridik menjëherë pas luftës. Bazuar në ato se çfarë ajo dhe të tjerët kishin hasur, sipas Ahmetit, ky objekt është përdorur për dhunimin seksual të grave gjatë vitit 1999.
Aty ishin gjetur batanije me njolla gjaku, të mbathura të brendshme të grave, krehër flokësh, e mure të veshura me postorë pornografikë.
“Sipas Sevdie Ahmetit, departamenti i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës mund të jetë përdorur edhe si qendër për përdhunime dhe forma të tjera të dhunës seksuale. Ahmeti dhe hetuesit e tjerë që e shoqëruan atë, gjetën geta, krehër dhe brekë grash të shpërndara nëpër bodrum. Dhoma ishte zbukuruar me fotografi pornografike të grave. Në një dërrasë të zezë në njërën anë të dhomës, ishte shkruar një mesazh në serbisht: “Nëse je i frustruar, zbrazu mes këmbëve të një gruaje”. Batanijet e gjetura në bodrum kishin ato që dukej të ishin njolla gjaku”, citonte HRW rrëfimin e Ahmetit, në raportin e vitit 2000.
23 vite pas lufte, shteti e shoqëria civile pa informacione për dhunimet seksuale gjatë luftës në UP
Mirëpo, vuajtjet e grave në vendet ku sot qindra studentë ndjekin studimet duket të jenë shënuar vetëm në kujtesën e tyre.
Ndonëse për mundësinë e dhunimeve dhe akteve të tjera seksuale gjatë luftës në UP u raportua tash e 22 vite më parë, ende nuk ka asnjë rast të evidentuar zyrtarisht në institucionet kosovare, sikurse as në organizatat e specializuara për trajtimin e viktimave të luftës.
Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës ka thënë se nga të gjithë të trajtuarit deri më tani nuk ka asnjë rast nga ndërtesa e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik.
“Nga rastet e trajtuara deri më tash nuk kemi raste nga Fakulteti Juridik”, thuhet në përgjigjen e Komisionit.
Raste të evidentuara gjatë kryerjes së këtij hulumtimi del se nuk ka as nga organizatat e shoqërisë civile që merren me trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës i thanë Gazetës Online Reporteri.net se deri më tani asnjë viktimë e dhunës seksuale në UP nuk është lajmëruar në zyrat e saj.
“Ne ju njoftojmë që kemi shikuar dhe diskutuar me koleget të cilat punojnë direkt në rehabilitimin dhe trajtimin e rasteve të të mbijetuarve të dhunës seksuale, dhe deri më tani konkretisht asnjë rast nuk është lajmëruar në qendrën tonë për trajtim që ka qenë i dhunuar në Fakultetin Juridik apo në hapësirat e UP-së”, thuhet në përgjigjen e QKRMT-së.
Megjithatë nga kjo organizatë deklaruan se në bazë të të dhënave jo zyrtare është rrëfyer për dhunimet seksuale në hapësirat e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik.
“Sipas disa të dhënave jo zyrtare thuhet që ka pasur dhunime në hapësirat e Fakultetit Juridik, por që ne nuk posedojmë asnjë informatë lidhur me këto raste”, shtuan nga QKRMT për Reporteri.net.
Prokuroria Speciale e Kosovës injoron pyetjet rreth këtyre rasteve, EULEX ‘diplomatikisht’ shmanget nga përgjigja
Gazeta Online “Reporteri.net” ka dërguar pyetje edhe në adresën elektronike të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe të EULEX-it për t’u interesuar nëse ndonjëherë kanë hetuar raportimet për dhunimet seksuale gjatë luftës në kampusin universitar të UP-së.
Përderisa Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigje, EULEX-i pas insistimeve të gazetës e disa ditë hezitimesh është përgjigjur, por pa thënë ndonjë gjë me rëndësi.
“Në dhjetor 2018, EULEX-i e ka përmbyllur dorëzimin e dosjeve të lëndëve policore, prokuroriale dhe gjyqësore tek autoritetet e Kosovës. Për të marrë përgjigje në pyetjet tuaja, ju lutemi kontaktoni drejtpërdrejtë autoritetet e Kosovës”, deklaruan nga EULEX për Reporteri.net.
Pak aplikime për statutin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë
Megjithëse përllogaritet që janë afërsisht 20 mijë gra viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, deri më tani statusin e viktimës e gëzojnë vetëm pak më shumë se 1 mijë persona. Në mesin e tyre ka edhe burra shqiptarë.
Nga Komisioni Qeveritar treguan shifrat e sakta të aplikimeve dhe të grave e burrave që u është njohur ky status, që rezultojnë se nga 1618 aplikime, 1044 janë gra që janë evidentuar si viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, derisa 48 të tjerë burra.
“Sa i përket procesit të aplikimit që nga fillimi i procesit me datë 05.02.2018 e deri më tash kemi pranuar gjithsej 1618 aplikacione, prej tyre 1044 femrave dhe 48 meshkujve i ’u është njohur statusi viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës. Procesi i aplikimit është duke vazhduar normalisht, më këtë rast inkurajojnë të mbijetuarit për të aplikuar në Komisionin Qeveritar për përfitimin e të drejtave të tyre për njohjen e statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës”, sqaruan nga Komisioni Qeveritar për Gazetën Online Reporteri.net.
Vetëm një i dënuar nga gjykatat vendore për përdhunimet gjatë luftës
Përkundër që kanë kaluar mbi dy dekada nga përfundimi i luftës, për krimet seksuale kundër grave e burrave shqiptarë janë hetuar e dënuar shumë pak persona.
Nga Fondi për të Drejtën Humanitare thanë se nga gjykatat vendore të Kosovës vetën një person është shpallur fajtor.
“Lidhur me dhunimet gjatë kohës së luftës në Kosovë, pranë gjykatave vendore të Kosovës janë iniciuar katër (4) raste, ku janë akuzuar 4 serbë dhe 1 shqiptarë. Në këtë moment janë liruar të gjithë të akuzuar vetëm rasti ndaj Zoran Vukotiqit është ende në proces i cili është shpallur fajtor nga shkalla e parë”, tha Amër Alija nga FDH, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Tutje Alija theksoi se në gjykimet kundër eprorëve serbë pranë TPNJ është vërtetuar se gjatë luftës në Kosovë kanë ndodhur abuzimet seksuale.
“Lidhur me rastet e abuzimit seksual sipas ndërmarrjes së përbashkët kriminale janë shpallur fajtor pesë (5) eprorë serbë, për veprimet e vartësve të vetë”, shtoi Alija.
Një rrëfim i gjallë për dhunën seksuale në objektin e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik
Gazeta Online “Reporteri.net” ka arritur të sigurojë një rrëfim ekskluziv të një gruaje nga Prishtina, e cila ishte dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë nga paramilitarët serbë në ndërtesën Fakultetit Ekonomik dhe Juridik të UP.
Në rrëfimin e gjatë të saj, V.B. përshkruan orët më të gjata të jetës së saj dhe mënyrën se si në pranverë të vitit 1999, ajo u dëbua me tërë familjen e saj nga banesa në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës, e më pas u tërhoq prej kolonës nga ushtarët e policët serbë.
Rrëmbimin e V.B. e kundërshtoi bashkëshorti i saj, i cili mbeti i plagosur në këmbën e majtë teksa po luftonte për të shpëtuar gruan e tij nga serbët e uniformuar.
E pas rrëmbimit, atëbotë 23 vjeçja V.B. përfundoi në objektin e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik e ku pohon se u dhunua seksualisht për disa orë nga 12 ushtarë e policë serbë.
“Na shtinë në Fakultet, korrili i shkollës bajke foto me aparat. Na kanë dhunu e rreh se u mundojshim me rezistu, por ishte e kotë. 4-5 orë 12 vetë më kanë dhunu veç mua”, rrëfen V.B. për Gazetën Online Reporteri.net.
Tutje ajo tregon mendimet e para që i erdhën në kokë pasi u lirua nga serbët.
“Kur kanë dhanë urdhër me na lëshu, thash ta mbys vetën”, shton V.B.
Përgjatë rrëfimit, i cili publikohet i plotë nesër në Gazetën Online Reporteri.net, V.B. shpalos bisedën e parë me burrin dhe vjehrrin pas ndodhisë, rikthimin në Kosovë e pasojat që i la kjo ngjarje tragjike e pranverës së 1999.
[VAZHDON …] Gazeta Online Reporteri.net, nesër, në pjesën e dytë të këtij hulumtimi, do të botojë të plotë rrëfimin e kësaj gruaje që i mbijetoi dhunës seksuale, gjatë luftës në Kosovë, brenda ndërtesës së Fakultetit Ekonomik dhe Juridik të UP-së…