E martë, 26 Nëntor, 2024

Gjykata ia refuzon si të pabazuar propozimin e Rrahman Jasharajt

- Advertisement1-

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka refuzuar si të pabazuar propozimin e kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, për caktimin e masës së sigurimit ndaj analistit Ylli Hoxha dhe gazetarit Ermal Panduri, në rastin ku nga këta të fundit kanë kërkuar 50 mijë euro kompensim dëmi për shpifje e fyerje.

Në aktvendimin e 10 marsit 2023, thuhet se pas vlerësimit të të gjitha provave dhe theksimeve të palëve ndërgjyqëse, gjykata e shkallës së parë pa paragjykuar vlerësimin meritor të çështjes kontestimore, ka dalë në përfundim se propozimi për caktimin e masës së sigurisë nga ana e propozuesit Jasharaj është i pabazuar.

- Advertisement -

Tuje, në aktvendim thuhet se gjykata po ashtu ka vlerësuar edhe se aprovimi eventual i masës në drejtim të paditësve jo vetëm që do ta paragjykonte vlerësimin meritor të kësaj çështje kontestimore, por edhe do ta kufizonte lirinë e shprehjes.

Gjykata në aktvendim lidhur me propozimin e propozuesit/paditësit Jasharaj ku ka kërkuar që t’iu ndalohet kundërshtarëve të sigurimit përmendja e emrit dhe mbiemrit të tij dhe që t’u ndalohet çfarëdo opinioni që ndërlidhet me pozitën e propozuesit në SBASHK nëpër profilet e tyre në rrejtet sociale, si dhe në RTV-Dukagjini, ka vlerësuar se ky propozim është në kundërshtim me nenin 16, paragrafi 2 i Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes (LCKSHF).

“Kufizimi eventual i një mediumi apo personave të cilët kanë cilësinë e opinionistit apo moderatorit të emisionit të caktuar që të mos publikojë kurrfarë lajmi apo deklaratë për një person të caktuar që ushtron funksion me interes publik është në kundërshtim edhe me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ)”, thuhet në aktvendim.

Tutje, gjykata ka vlerësuar se caktimi masës së sigurimit që kundështarëve të sigurimit t’iu ndalohet çfarëdo veprimi për shitjen, tjetërsimin apo fshehjen e sendeve të paluajtshme dhe sendeve me vlerë mbi 3 mijë euro deri në vlerën e kërkesëpadisë, përveç se nuk është bërë i besueshëm ekzistimi i rrezikut të tillë, në këtë fazë të procedurës do të prejudikonte në masë të madhe zgjidhjen e çështjes kryesore.

Në fund të aktgjykimit, theksohet se vendosja për masën e sigurisë së kërkesëpadisë nuk ka të bëjë me vendosjen përfundimtare të çështjes, por ka të bëjë me kushtin e vënë nga neni 297 i LPK-së lidhur me bërjen të besueshme se ekziston rreziku se pa caktimin e masës së tillë pala kundërshtare do të mund ta pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës.

Ndryshe, sipas padisë së 23 nëntorit 2022, Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut, ka ushtruar padi ndaj analistit Ylli Hoxha dhe ndaj gazetarit Ermal Panduri, për shpifje dhe fyerje.

- Advertisement -rrrrrrr

Në padi thuhet se paditësi konsideron se i padituri Hoxha në emisionin “Debat Plus” në RTV-Dukagjini me titull “Shtatori i Grevave” i datës 1 shtator 2022, si dhe emisionin e 13 shtatorit 2022 “Grevës nuk i shihet fundi”, i ka shkaktuar dëm jomaterial, dhimbje të mëdha shpirtërore, gjendje të rënduar emocionale, frikë e pagjumësi dhe ankth, pasi që e ka fyer rëndë si kryetar i SBAShK-ut, duke e quajtur “Langue të Kadri Veselit”, për më tepër thuhet se e ka quajtur jopërparimtar, jo të avancuar.

Tutje, sipas padisë thuhet se paditësi i ka dërguar kërkesë më shkrim më 8 nëntor 2022 të paditurit Hoxha, që të kërkojë falje publikisht në RTV Dukagjini pasi që në këtë medium është shkaktuar shpifja dhe fyerja dhe përgjegjësia i mbetet të paditurit Panduri si moderator i emisionit që ta obligonte të paditurin Hoxha që të tërheq fyerjen dhe shpifjen. Mirëpo, sipas padisë paditësi ende nuk ka marrë përgjigje në këtë kërkesë.

Po ashtu, sipas padisë, Hoxha dhe Panduri në bashkëveprim kanë përdorur studion e RTV Dukagjini, kanë kryer shpifje dhe fyerje ndaj paditësit Jasharaj, me përhapjen e fakteve të pavërteta se kinse ky i fundit nuk është njeri i PAN-it, është njeri i PDK-së.

Andaj, mbi këtë bazë paditësi kërkon të aprovohet në tërësi si e bazuar padia e tij, si dhe të detyrohen të paditurit që në emër të dëmit material t’ia paguajnë shumën e përgjithshme prej 50 mijë euro si dhe t’i paguajnë shpenzimet procedurale.

Përmes kësaj padie, Jasharaj ka bërë edhe propozimin për caktimin e masës së sigurisë, duke kërkuar nga gjykata që kundërpopozuesve t’iu ndalohet përmendja e emrit dhe mbiemrit të propozuesit dhe çfarëdo opinioni që ndërlidhet me pozitën e tij në SBASHK, në RTV Dukagjini, në profilet e tij sociale, portale, gazeta, radio apo televizione.

Gjithashtu, propozuesi i ka kërkuar dhe propozuar gjykatës që po ashtu kundërporozuesve t’iu ndalohet çfarëdo veprimi për shitjen, tjetërsimin apo fshehjen e sendeve të paluajtshme dhe sendeve me vlerë mbi 3 mijë euro, deri në vlerën e kërkesëpadisë me efekt juridik deri në përfundim me aktgjykim përfundimtar të kësaj çështje juridiko-kontestimore. /BetimipërDrejtësi

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

PREMTIMI: Rritje e pagave 200 euro që në javë të parë, mësim tërëditor e 80 çerdhe

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka shpalosur sot në Vushtrri, programin e kësaj partie...

Në prag të 28 Nëntorit, LIRI iu dërgon dhurata nxënësve të klasës së parë në shkollën “Rasim Kiçina” në Drenas

Kompania LIRI nga Prizreni edhe në muajin e Nëntorit, që njihet si muaji i...

Pensionohet profesori Enver Veliu nga Rahoveci

Është pensionuar profesori Enver Veliu nga Rahoveci, shkruan AlbanianEducation.net. Njoftimi i DKA në Rahovec: Sot, 25...

Pensionohet mësuesja Haxhere Gërguri-Berisha nga Fushë Kosova

Është pensionuar mësuesja Haxhere Gërguri-Berisha, nga shkolla "Zejnel Salihu" në Bardh të Madh, shkruan...