468 vjet më parë, më 20 mars 1554, Gjon Buzuku nisi ta shkruaj librin e parë në gjuhën shqipe “Meshari”, të cilin e përfundoi më 5 janar 1555.
Pikërisht, në ditën e nisjes së shkrimit të veprës letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot, gjimnazi i Prizrenit “Gjon Buzuku” e shënon si Ditë të Shkollës, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Kjo vatër e diturisë ka një histori të bujshme mbi 160 vjeçare, në ngritjen e vlerave edukative dhe arsimore, duke numëruar një varg suksesesh. Nga ky gjimnaz ka dalë jo vetëm pjesa më e madhe e kuadrove të komunës, por disa edhe në qendrat tjera dhe trojet mbarëshqiptare, pasi kanë kryer nivelin e mesëm të shkollimit në qytetin e Lidhjes Shqiptare.
Ndër emrat e mirënjohur, të cilët e kryen gjimnazin në Prizren, ndërsa lanë gjurmë në fushat e tyre janë: Gazmend Zajmi, ish-rektor i Universitetit të Prishtinës, pastaj aktorët Bekim Fehmiu e Leze Qena (tashmë të ndjerë), të cilët rastisi të jenë në një klasë.
Të paktë janë prizrenasit, të cilët nuk kanë shkelur në dërrasat e kësaj vatre të diturisë, që për një kohë, apo derisa u hap Shkolla e Lartë, e më vonë më 2010 edhe Universiteti, pothuajse luajti rolin e tyre.
Profesori shumëvjeçar dhe ish-zv/drejtori i gjimnazit, Beqir Letaj sapo ka botuar monografinë “Gjimnazi i Prizrenit 1855-1968”, duke përmbushur zbrazëtinë e deritashme, për çka meriton përgëzime.
Shkollimi i mëhershëm në Prizren kishte nisur në kohën e pushtimit osman, me shkollat e quajtura “Ruzhdie” e “Didaije”, etj. Gjimnazi shqiptar i Prizrenit, ndërkaq siç është quajtur atëherë, filloi punën me 11 dhjetor 1941. Letaj, tregon se hapja e tij është bërë në bazë të Vendimit të Ministrisë së Arsimit të Mbretërisë Shqiptare, të udhëhequr nga Ernest Koliqi.
“Fillimisht është quajtur Gjimnazi real shqiptar i Prizrenit, ndërsa më pas, në bazë të vendimit të Ministrisë, emri “Gjon Buzuku”, kësaj vatre të diturisë i është dhënë me 9 dhjetor 1942, duke vazhduar me këtë emër deri në qershor 1944, gjatë kohës sa ka qenë Qeveria e Mbretërisë Shqiptare”, thotë ai.
Në mungesë të shkollave në gjuhën serbe, (pasi kuadri serbo-malazez në prill 1941, pas shpërbërjes së Mbretërisë Jugosllave ishte larguar nga Prizreni) në mesin e nxënësve të paktë, të mbetur, ka pasur edhe një numër të atyre serbo-malazezë, që vijonin mësimet shqip.
Drejtori i parë i gjimnazit ishte Kolë Margjini, një profesor nga Prizreni që kishte migruar në Shkodër, për t’u rikthyer sërish. Njëkohësisht, ai mbante edhe disa orë mësimore.
Profesori i parë i gjuhës shqipe ishte Lukë Quni. Mësimdhënës këtu ishte edhe Mehmet Gjevori, pishtar i devotshëm i arsimit shqip, autor i Abetares së parë shqipe në Kosovë, që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit të arsimit dhe përhapjes së dijes në Kosovë.
Disa nga mësimdhënësit tjerë kanë qenë: Lazër Berisha nga komuna e Ferizajt, Kolë Parubi, Kel Gashi, Qazim Sylejmani, Nuri Sherifi, etj.
Në vitin e parë ishte regjistruar një klasë e parë dhe dy klasë të ashtuquajtura Gatimore (nxënësit të cilët kishin mbaruar shkollimin paraprak në gjuhën serbe, është dashur ta përgatisin shkrim-leximin në gjuhën shqipe). Në gjysmëvjetorin e dytë janë bërë dy klasë të para, ndërsa një mbeti Gatimore, pasi nxënësit më të përgatitur ishin transferuar në klasë të rregullta.
Gjatë periudhës 1941/44 kanë vijuar mësimet tri gjenerata.
Për shkak të sigurisë, nga eskalimi i situatës në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore, në qershor 1944, shumica e shkollave në Kosovë i kishin ndërprerë mësimet.
Në këto kushte, profesor Letaj thotë se mësimi për vitin shkollor 1944/45 rifillon, por tash me Vendimin e Ministrisë së Arsimit në Beograd, më 15 mars 1945, për të përfunduar më 31 korrik të atij viti. Gjimnazi në këtë kohë zhvillonte mësimin në dy nivele.
“Për shkak të ndryshimit të situatës politiko-administrative, me pretekstin e mungesës së kuadrove shqiptare, Qeveria e Beogradit vendos ta ndërpresë mësimin në gjuhën shqipe për gjimnazin e lartë shqiptar të Prizrenit (klasa V-VIII). Në të njëjtën kohë ristarton gjimnazi i plotë serb i Prizrenit”, tregon Letaj, duke ju referuar shënimeve.
Për këtë nxënësit e klasës së gjashtë do të shpërndahen në gjimnazin e Prishtinës (13 sosh), disa në Normalen e Gjakovës dhe të tjerët në shkollat profesionale.
Disa nga ish-mësimdhënësit e gjimnazit shqiptar që punuan në periudhën 1941/44 ikën jashtë vendit, ndërkaq u pushkatuan prof. Lazër Berisha (më 1945), dhe Kolë Parubi (1946) me grupin e Marie Shllakut.
Gjenerata e parë e gjimnazit të Prizrenit, që nisi mësimet në vitin shkollor 1941/42 do ta kryejë maturën në Prishtinë, në vitin 1948/49.
Në anën tjetër, siç është thënë në “mungesë” të kuadrove shqiptare, pushteti komunist angazhon personel mësimor sllav, në mesin e tyre edhe rus, për të punuar në gjimnazin e plotë serb, disa prej të cilëve ishin angazhuar edhe në gjimnazin e ultë shqiptar.
Në vitet e 50-ta të shekullit XX, gjimnazi përsëri bëhet i plotë. Drejtor ishte profesori i matematikës Hasan Hakiu (Opoja). Krahas mësimdhënësve të tjerë, në këtë institucion punon edhe Gani Luboteni, më vonë profesor i njohur i Universitetit të Prishtinës, pastaj profesori Qazim Berisha, si dhe arsimtarët: Sherif Thaçi, Masar Randobrava, Ali Vezgishi, etj.
Foto: Maturantë të vitit 1953/54, që vitin shkollor duhet ta kenë nisur më 1946/47
Pjesë e këtij institucioni ishin edhe nxënësit Masar Shporta, Muhamet Shukriu, pastaj folësi i njohur i Radio-Prishtinës, Gjakush Çapari, Masar Randobrava, Ahmed Drini ( ish-kryetar i Këshillit për financim në Prizren, gjatë sistemit paralel të Kosovës, në vitet 1990-ta), etj.
Pas luftës në Prizren, gjimnazi është ndarë në dy pjesë, në atë të shkencave të natyrës (“Gjon Buzuku”) dhe të atë përgjithshëm (“Remzi Ademaj”). Gjimnazi “Gjon Buzuku” vazhdon të jetë ndër shkollat elitare në Kosovë. Pas “Sami Frashërit” të Prishtinës, gjimnazi i Prizrenit është shkolla e dytë për nga numri i nxënësve në vend.
Një kontribut të çmuar në përgatitjen e gjeneratave të reja, pas Luftës së Dytë Botërore e deri tash e kanë dhënë shumë profesorë, duke shndërruar këtë në një “ikonë” të shkollimit prizrenas. Ata janë të shumtë dhe është e pamundur t’i përshkruash në një shkrim si ky. Disa prej tyre tashmë ndodhen në pension, krenarë për punën e bërë dhe respektin e merituar.
U.d i drejtorit, Jeronim Susuri thotë se aktualisht janë mbi 1.200 nxënës, të shpërndarë në 59 paralele, përfshirë ato në terren si në: Gjonaj, Ramajë dhe Reçan. Këtu punojnë mbi 100 mësimdhënës, të gjithë të kualifikuar dhe trajnuar, konform nevojave të reja. Sikur tradicionalisht ende vijojnë mësimet nxënës edhe nga komunat përreth, madje edhe nga fshatra të Gjakovës, si Rogova, etj.
Pos shqipes, mësimi zhvillohet edhe në gjuhët e komunitetit turk e boshnjak.
Mjediset e shkollës janë të mbushura me mirënjohje, diploma e kupa, që dëshmojnë shumë suksese dhe të arritura të nxënësve të kësaj shkolle. /GazetaePrizrenit.net/