Në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, sot u zhvillua një aktivitet përkujtimor me rastin e vizitës së Fadil Aliu, anëtar i familjes Hertica, e cila gjatë viteve ’90 vuri në dispozicion shtëpinë e saj për zhvillimin e procesit mësimor, duke mundësuar funksionimin e kësaj shkolle në një nga periudhat më të vështira për arsimin në vend.
Aktiviteti nisi me shfaqjen e një videoje të përgatitur në kuadër të fushatës së lëndës Trashëgimi Kulturore për monumentet historike, e realizuar nga kryetarja e Këshillit të Nxënësve, Anisa Rrukiqi.
Më pas, para nxënësve dhe stafit arsimor, Aliu prezantoi librin e tij të sapobotuar kushtuar shtëpive-shkollë, me theks të veçantë në shtëpinë e familjes Hertica, duke vënë në pah rëndësinë historike dhe arsimore të këtij kontributi për komunitetin dhe për institucionin arsimor. Me këtë rast, ai u dhuroi pjesëmarrësve nga një kopje të librit.
Njoftimi i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë:
Sot, në shkollën tonë u zhvillua një aktivitet i rëndësishem me rastin e vizitës së z. Fadil Aliu, anëtar i familjes Hertica, familje e cila në vitet ’90 vuri në dispozicion shtëpinë e saj të sapondërtuar për zhvillimin e procesit mësimor, duke mundësuar funksionimin e gjimnazit tonë në një periudhë të vështirë për arsimin në vend.
Aktiviteti u hap me shfaqjen e një videoje të përgatitur në kuadër të fushatës së lëndës së Trashëgimisë Kulturore për monumentet historike, e realizuar nga kryetarja e Këshillit të Nxënësve Anisa Rrukiqi.
Më pas, z. Fadil Aliu para nxënësve dhe profesorëve ,prezantoi librin e tij të sapo botuar kushtuar shtëpive-shkollë, me theks të veçantë në shtëpinë e familjes së tij, duke paraqitur rëndësinë historike dhe arsimore të këtij kontributi për komunitetin dhe për gjimnazin tonë. Në shenjë dhurate, ai u dhuroi nxënësve dhe mësimdhënësve nga një kopje të librit.
Në përmbyllje të aktivitetit, drejtori i shkollës, z. Betim Sylejmani, i ndau z. Fadil Aliut një mirënjohje në shenjë falënderimi për kontributin e familjes Hertica në ruajtjen e vazhdimësisë së arsimit gjatë asaj periudhe të vështirë kohore.
Po ashtu, nxënësit e Klubit Medial realizuan edhe një episod podcasti, në të cilin shtjellohet më gjerësisht historia e shtëpisë-shkollë dhe kontributi i kësaj familjeje për arsimin.