Gjimnazi i Specializuar Matematikor ka njoftuar se është hapur konkursi për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë për vitin shkollor 2026-2027, shkruan AlbanianEducation.net.
Të drejtë konkurrimi kanë vetëm nxënësit e shkëlqyeshëm, të cilët kanë përfunduar arsimin e detyrueshëm dhe nuk janë më të vjetër se 17 vjeç.
Të drejtë aplikimi kanë kandidatët nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, të cilët konsiderojnë se kanë prirje dhe interes për matematikë.
Njoftimi:
NJOFTIM PËR HAPJEN E KONKURSIT PËR APLIKIM DHE REGJISTRIM NË KLASËN E DHJETË, viti shkollor 2026-27
Konkurs për regjistrimin e nxënësve në klasën e X-të në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë
Viti shkollor 2026/2027
Gjimnazi i Specializuar Matematikor në Prishtinë njofton të gjithë nxënësit e interesuar se është hapur konkursi për regjistrimin në klasën e X-të për vitin shkollor 2026/2027.
Të drejtë konkurrimi kanë vetëm nxënësit e shkëlqyeshëm, të cilët kanë përfunduar arsimin e detyrueshëm dhe nuk janë më të vjetër se 17 vjeç. Të drejtë aplikimi kanë kandidatët nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, të cilët konsiderojnë se kanë prirje dhe interes për matematikë.
Nxënësit që kanë përfunduar klasën e IX jashtë Republikës së Kosovës obligohen të bëjnë nostrifikimin e dëftesave në MASHTI, para se të aplikojnë për regjistrim.
Aplikimi
Aplikimi për regjistrim bëhet online përmes platformës:
https://edukryeqyteti.org
Afati i aplikimit është:
07, 08 dhe 09 korrik 2026
Pas aplikimit online, kandidatët duhet të paraqesin në shkollë kopjet e dokumenteve gjatë të njëjtit afat, nga ora 09:00–16:00.
Dokumentet e nevojshme
Kandidatët duhet të dorëzojnë:
* Fletaplikimin (i cili gjenerohet pas aplikimit online në postën e juaj elektronike e-mail);;
* Kopjet e dëftesave të klasave VI, VII, VIII dhe IX;
* Ekstraktin e lindjes (pranohen edhe dokumentet e gjeneruara nga platforma e-Kosova).
Shënim:
Kandidatët nuk janë të obliguar t’i tërheqin dokumentet origjinale nga shkolla ku janë pranuar. Për fazën e aplikimit mjafton dorëzimi i kopjeve të dokumenteve. Dokumentet origjinale dorëzohen vetëm pas përfundimit të testit pranues, nga kandidatët që fitojnë të drejtën e regjistrimit.
Kriteret e regjistrimit
Të gjithë kandidatët i nënshtrohen testit pranues, i cili organizohet nga Gjimnazi i Specializuar Matematikor.
Rangimi i kandidatëve bëhet me gjithsej 100 pikë, të shpërndara si vijon:
1. Suksesi i përgjithshëm në arsimin e mesëm të ulët – 20 pikë
* Suksesi i shkëlqyeshëm – 5 pikë për secilën nga klasat VI, VII, VIII dhe IX;
* Suksesi shumë i mirë – 4 pikë për secilën nga klasat VI, VII, VIII dhe IX.
2. Nota nga lënda e Matematikës – 20 pikë
* Nota 5 – 5 pikë për secilën nga klasat VI, VII, VIII dhe IX;
* Nota 4 – 4 pikë për secilën nga klasat VI, VII, VIII dhe IX.
3. Rezultati nga Testi i Arritshmërisë në Matematikë – 20 pikë.
4. Rezultati në Testin Pranues – 40 pikë.
Testi pranues është kriteri vendimtar për regjistrim. Rezultati i arritur në këtë test, përcakton rangimin përfundimtar dhe jep verdiktin përfundimtar për pranimin ose mospranimin e kandidatit në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë.
Provimi pranues
Testi pranues do të mbahet më:
10 korrik 2026 (e premte), ora 10:00, në lokalet e Gjimnazit të Specializuar Matematikor në Prishtinë.
Rezultatet e pranimit do të shpallen në shkollë po atë ditë.
Kandidatët e pranuar do të dorëzojnë dokumentet origjinale pas shpalljes së rezultateve, ndërsa kandidatët që nuk pranohen mund t’i tërheqin dokumentet e tyre duke filluar nga 13 korriku 2026.
⸻
Mirë se vini në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë – shkolla ku talenti, përkushtimi dhe puna shpërblehen me mundësi për zhvillim dhe sukses.