Gjimnazi “Gjon Buzuku” në Prizren përmes një njoftimi ka thënë se nuk lejohet organizimi i shëtitjeve njëditore në Brezovicë nga ana e nxënësve të shkollës, shkruan AlbanianEducation.net.
Shkolla thotë se çdo aktivitet jashtëshkollor, ekskursion apo vizitë e organizuar duhet të realizohet vetëm në përputhje me udhëzimet administrative në fuqi, me lejen e DKA-së, miratimin e Drejtorisë së shkollës dhe nën përcjelljen e mësimdhënësve përgjegjës.
Njoftimi i plotë:
NJOFTIM
Të dashur nxënës,
Të nderuar prindër,
Të nderuar mësimdhënës – kujdestarë të klasave,
Ditëve të fundit, nga ana e Drejtorisë së shkollës është vërejtur një përpjekje për organizim nga disa nxënës të Gjimnazit “Gjon Buzuku”, për të realizuar një vizitë gjatë vikendit në qendrën e skijimit në Brezovicë. Ky organizim është bërë pa njoftimin, lejen dhe miratimin e Drejtorisë së shkollës.
Ju rikujtojmë se çdo aktivitet jashtëshkollor, ekskursion apo vizitë e organizuar duhet të realizohet vetëm në përputhje me udhëzimet administrative në fuqi, me lejen e DKA-së, miratimin e Drejtorisë së shkollës dhe nën përcjelljen e mësimdhënësve përgjegjës.
Organizime të tilla, pa përmbushjen e këtyre kushteve, mund të paraqesin rrezik për sigurinë dhe shëndetin e nxënësve, për çka shkolla nuk mban përgjegjësi.
Të nderuar prindër dhe mësimdhënës, kujdestarë të klasave, si gjithmonë kërkojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj, me qëllim të parandalimit të organizimeve të paautorizuara dhe për të garantuar sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve tanë.
Me respekt,
Drejtoria e Gjimnazit “Gjon Buzuku” Prizren