Nxënësit e shkollës fillore “Hysni Zajmi” në Vrellë të Istogut janë gëzuar me një donacion të veçantë në fillim të këtij viti shkollor.
Falë kontributit të Gramos Bicaj, me vendbanim në Zvicër, dhjetëra nxënës përfituan çanta shkollore, duke u ndihmuar kështu në përballimin më të lehtë të nevojave shkollore.
Ky gjest human dhe solidar është një dëshmi e kujdesit të Bicaj për arsimin dhe për gjeneratat e reja në vendlindjen e tij.
Çantat janë shpërndarë tek nxënësit nga vëllai i tij, Granit Bicaj, i cili gjithashtu kontribuoi në realizimin e këtij donacioni.
Drejtoria e shkollës “Hysni Zajmi” shpreh mirënjohje të thellë për këtë veprim bujar, i cili ka lënë gjurmë pozitive tek nxënësit dhe prindërit e tyre. Të tilla ndihmesa janë shumë domethënëse dhe inkurajuese për komunitetin, sidomos në zonat rurale.
“Faleminderit sinqerisht për kontributin e çmuar, i cili do t’u shërbejë nxënësve tanë në rrugëtimin e tyre drejt dijes,” – thuhet në postimin e shkollës.