Një nxënës nga Kosova, ka shkëlqyer në garat shkencore dhe të matematikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bëhet fjalë për Nil Kelmendin, nxënës i klasës së tretë.
Ai u rendit i pari në kategorinë “Best of the Best” në Matematikë dhe i treti në kategorinë “Best of the Best” në Shkencë në garën prestigjioze Neo Science Olympiad, e cila u mbajt nga 10 deri më 15 janar në Orlando.

Nili, nuk shkëlqeu vetëm në fazën finale, por tregoi konsistencë dhe nivel të lartë përgatitjeje gjatë gjithë procesit të garës.
Talenti u rendit i pari në të gjitha fazat parakualifikuese online, duke konkurruar me nxënës nga vende të ndryshme të botës dhe duke dëshmuar përkushtim, disiplinë dhe talent të veçantë në fushat e matematikës dhe shkencës.

Suksesi i Nil Kelmendit, është një dëshmi e qartë se talenti, puna e vazhdueshme dhe mbështetja e duhur mund të sjellin rezultate të mëdha, edhe në moshë shumë të re.