Gjashtë profesorë të UP-së nuk u avancuan edhe pas rishqyrtimit të aplikimit të tyre

- Advertisement5 -

Aplikimet e disa profesorëve të Universitetit të Prishtinës për avancim me tituj akademikë nuk janë miratuar në mbledhjen e senatorëve më 28.01.2026, edhe pas rishqyrtimit të tyre. Ata vijnë nga Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti Filozofik dhe Fakulteti i Arteve.

- paragrafi 1 -

KALLXO.com merr vesh nga burimet se gjashtë profesorë përfunduan duke u rizgjedhur në pozitën që veçse janë, kurse avancimi i një profesoreshe të Fakultetit të Edukimit nuk është e qartë nëse është refuzuar apo është rizgjedhur, si dhe avancimi i një profesori tjetër nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore u votua të rishqyrtohet.

- Advertisement - M1

Fatin e njëjtë nuk e kanë gjashtë profesorë të tjerë, të cilët arritën të avancohen pasi janë rishqyrtuar nga trupa këshillëdhënëse e rektorit.

Trupa këshillëdhënëse e rektorit i vlerëson aplikimet për avancim, emërim, pasi ato të shqyrtohen në komision vlerësues dhe Këshill të Fakultetit.

4 me 2, raporti i avancimit të profesorëve në Filozofik

- Advertisement - m2

Arsim Sinani dhe Anton Vukpalaj janë rizgjedhur në thirrjen e profesorit asistent.

Aplikimet e tyre synonin avancimin në profesor të asociuar dhe në mbledhjen e Senatit më 17.12.2025 ishin kthyer për rishqyrtim në Këshill të Fakultetit Filozofik.

Në rastin e profesorit Sinani, edhe pse Këshilli i Fakultetit ka rikonfirmuar se punimet shkencore të tij janë të fushës, trupa këshillëdhënëse e rektorit ka thënë se për shkak të natyrës së ngushtë profesionale nuk ka mundur të konstatojë se punimet janë apo nuk janë të fushës.

Kurse, në rastin e profesorit Vukpalaj, trupa këshillëdhënëse e rektorit ka rikonfirmuar se punimet shkencore të tij nuk përputhen me përkufizimet e dhëna në Rregulloren për avancim të personelit akademik të UP-së dhe sipas tyre, nuk ka dëshmi të vlerësimit “peer review” (vlerësim nga ekspertë të fushës- proces që e aplikon një revistë shkencore para publikimit të punimit).

Zamira Hyseni dhe Liridona Jemini-Gashi janë avancuar në profesorë të rregullt. Kurse, në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 17.12.2025, ishte votuar rishqyrtimi i avancimit të tyre pasi ishte kërkuar të verifikohej mentorimi i doktoratës.

Edhe aplikimet e kandidateve Albina Drançolli dhe Kujtime Boshtrakaj-Camaj për avancim në profesorë të asociuar ishin votuar të rishqyrtohen në Këshill të Fakultetit Filozofik për të njëjtën arsye.

Prorektori Avni Hajdari kishte deklaruar më 17.12.2025 për aplikimin e Drançollit se “Monografinë e ka pothuajse identike në bazë të titullit me doktoratë. Me Rregullore kërkohet t’i ketë ndryshe”.

Trupa këshillëdhënëse e rektorit ka verifikuar se kapitujt, monografitë nuk janë identike me doktoratën dhe kështu është votuar avancimi i të dy profesoreshave në profesorë të asociuar.

Profesorët e Mjekësisë që nuk u avancuan 

Ilir Tolaj është rizgjedhur profesor i asociuar, kurse Nexhmedin Shala është rizgjedhur në profesor asistent.

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=59&loc=https%3A%2F%2Fkallxo.com%2Flajm%2Fgjashte profesore te up se nuk u avancuan edhe pas rishqyrtimit te aplikimit te tyre%2F%3Ffbclid%3DIwY2xjawPxvWNleHRuA2FlbQIxMABicmlkETF6S0hvV3hCSTJUNURlQ0tJc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHvhg1W Enz pz77V5k7p15FU meOI8kwHdyY9oSLuwR5jYNCmIg PKypg6 k aem eC9LN1OLQQWJSri2AjfHeQ&referer=https%3A%2F%2Fl.facebook

Aplikimet e tyre për avancim që të kthehen për rishqyrtim në Këshill të Fakultetit të Mjekësisë ishin votuar më 17.12.2025.

Në rastin e Tolajt, trupa këshillëdhënëse e rektorit ka gjetur se nuk ka dëshmi për mentorim dhe nuk është avancuar në profesor i rregullt.

Kurse, në rastin e Shalës, trupa këshillëdhënëse ka gjetur se ende nuk e ka kaluar periudhën katërvjeçare si profesor asistent, duke u bazuar në një vendim të datës 31.10.2022. Si dhe kanë përmendur se nuk i plotëson kushtet e përcaktuara me Rregullore të avancimit të personelit akademik të UP-së sa i përket punimeve shkencore. Shala nuk është avancuar në profesor të asociuar.

“Ka gjithsej vetëm dy punime të tipit case report [raporte rasti].” – thuhet në raportin e trupës këshillëdhënëse të rektorit për aplikimin e Nexhmedin Shalës.

Me Rregulloren e re për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, avancimin dhe rizgjedhjen e personelit akademik në UP, të miratuar më 30.04.2025, një nga punimet shkencore që kërkohen në procesin e avancimit mund të barasvlerësohet me dy raporte rasti.

raportet e rastit
Rregullorja e UP-së e datës 03.06.2025, faqe 51.

Aplikimi i FSHMN-së që u kthye në rishqyrtim

Aplikimi i Eliot Bytyçit për avancim në profesor të asociuar është kthyer në rishqyrtim në Këshill të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Kështu ka rekomanduar trupa këshillëdhënëse e rektorit dhe është votuar nga senatorët.

Burime të KALLXO.com thonë se Bytyçi ishte vlerësuar nga komisioni i Fakultetit për rizgjedhje në profesor asistent.

Një avancim në Edukim, e një tjetër që nuk dihet 

Adhurim Rasimi është avancuar në profesor të asociuar. Aplikimi i tij për avancim ishte diskutuar në mbledhjen e Senatit më 17.12.2025, kur edhe ishte votuar për t’u shqyrtuar në Këshill të Fakultetit të Edukimit.

Në këtë rast, dekani Blerim Saqipi kishte thënë se është bërë një lëshim teknik dhe se ai i tejkalon kriteret me punimet e tjera për thirrjen në profesor të asociuar.

“… në monografi, nëse e kuptova drejt… mungon nëse recensentët janë doktorë shkence apo jo. Unë bisedova edhe me kryetarin e komisionit sot edhe me profesorin. E shikova dosjen fizike. Profesori në dosjen fizike e ka vendosë librin komplet, por në dosjen elektronike e ka skenu faqen e parë. Unë e kam librin këtu me vete, janë dy recensentë, profesorë të universitetit me thirrje të rregullt dhe të asociuar. Kjo do të kalonte edhe ashtu- besoj nuk mund t’ia mohonte në mbledhjen e ardhshme- po kërkoj nëse mund ta votojmë sot, pse jo.” – kishte deklaruar Saqipi më 17.12.2025.

Trupa këshillëdhënëse e rektorit ka konstatuar se nga disa dëshmi shtesë që janë sjellë, konfirmohet se libri i Rasimit është shqyrtuar nga të paktën dy recensentë.

Kurse, për Fatlume Berisha-Sejdiun, sipas burimeve të KALLXO.com, rekomandimi i trupës këshillëdhënëse të rektorit që të rizgjedhet në thirrjen e profesoreshës së asociuar i mori 13 vota për e 17 abstenuan. Si dhe pretendohet se nuk u dha sqarim nëse u refuzua avancimi i saj.

KALLXO.com merr vesh se në votimin për avancimin e Berisha-Sejdiut është kërkuar të mos votojë senatorja Eda Vula, pasi ka qenë kryetare e komisionit vlerësues në Fakultet dhe gjithashtu bashkautore e një punimi shkencor me të. Pra, thuhet se Vula e ka lëshuar sallën e mbledhjes së Senatit dhe nuk ka votuar në këtë rast.

Kurse, më 17.12.2025, senatorët kishin votuar që aplikimi për avancim i Berisha-Sejdiut në profesor të rregullt të kthehet për rishqyrtim në Këshill të Fakultetit të Edukimit.

Në atë kohë, dekani Saqipi kishte thënë se e ka shikuar edhe vetë këtë aplikim dhe kishte sqaruar se një punim i Berisha-Sejdiut ka qenë i publikuar në një revistë që ishte pjesë e listës së Beall-it (listë e revistave shkencore grabitqare), ndërsa e kanë kuptuar se është fjala për një revistë tjetër, por që ka uebfaqe tjetër.

Eda Vula, senatorja nga Fakulteti i Edukimit, kishte thënë se në komision vlerësues kanë shikuar që revista është në Scopus nga viti 2018.

“Ne nuk kemi pasë të dhëna të tjera, përveç listës së Beall-it që thotë se është revistë legjitime. Jemi referuar në këto të dhëna. Siç tha edhe dekani, jemi të hapur- se nuk besoj që as vetë kandidatja, që është një kandidate që vërtetë ka një potencial- do të pranonte që të zgjidhet me dilema. Prandaj, nëse na lejoni do ta rishyrtojmë” – kishte thënë Vula më 17.12.2025.

senati 28.01.2026 2 720x405 1
Mbledhja e Senatit të UP-së, 28.01.2026, Foto: UP

Dy profesoresha të Arteve nuk avancohen

Besa Luzha dhe Mjellma Goranci nuk janë avancuar në mbledhjen e Senatit të UP-së më 28.01.2026.

Luzha është rizgjedhur profesoreshë e asociuar, kurse Goranci në profesoreshë asistente.

Sipas informacioneve të KALLXO.com dhe duke u bazuar në raportin e trupës këshillëdhënëse të rektorit, thuhet se Luzha nuk i plotëson kushtet e përcaktuara me Rregulloren për avancim të personelit akademik në UP.

Ndërsa, për Mjellma Gorancin, trupa këshillëdhënëse e rektorit ka konstatuar se nuk i përmbush kriteret e nevojshme për avancim.

“Veçanërisht në lidhje me aktivitetin artistik, si dhe mosaplikimi për procedurat dhe dorëzimi i paplotësuar i dokumentacionit përkatës të parashikuar në thirrjen për avancim” – thuhet në raportin e trupës këshillëdhënëse të rektorit.

Kurse, Rreze Kryeziu-Breznica është avancuar në profesoreshë e asociuar në Fakultet të Arteve.

Më 17.12.2025, në lidhje me aplikimin për avancim të Gorancit, prorektori Adem Beha kishte thënë se kanë pasur pak telashe, sepse i ka munguar i gjithë dokumentacioni i kërkuar në bazë të Rregullores së UP-së për avancim të personelit akademik.

“Mungon futja e të dhënave- si diploma e kështu me radhë- dhe dokumentet përcjellëse… Propozimi i Zyrës së Rektorit është që kandidati të kthehet në Këshill të Fakultetit” – ka thënë Beha më 17.12.2025, dhe pastaj senatorët e kishin votuar të kthehet për rishqyrtim ky aplikim.

Në mbledhjen e Senatit më 28.01.2026 njëzëri është miratuar edhe teksti i betimit për doktorët e shkencës, që do lexohet dhe nënshkruhet nga të diplomuarit në ceremonitë solemne të diplomimit.

UP më 02.02.2026 njoftoi se ceremonia solemne ku do të betohen doktorët e shkencës pritet të zhvillohet më 12.02.2026. Kjo do të jetë hera e parë që UP praktikon një ceremoni të tillë.

Në anën tjetër, UP ka nisur procesin e avancimit të personelit akademik nga data 30.09.2025 duke aplikuar Rregulloren e re për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, avancimin dhe rizgjedhjen e personelit akademik në UP, të miratuar më 30.04.2025.

Sipas nenit 155 të Statutit, për titullin profesor asistent kandidati duhet t’i plotësojë këto kushte: të ketë gradën e doktorit të shkencës; të ketë së paku dy publikime në revista ndërkombëtare shkencore si autor i parë ose korrespondent, por së paku në njërin punim duhet të jetë autor i parë.

Kurse, rizgjedhja në këtë titull mund të bëhet vetëm nëse kandidati ka së paku një punim shtesë si autor i parë ose korrespondent të publikuar pas emërimit në titullin aktual.

Për profesor të asociuar kandidati duhet t’i plotësojë kushtet, sipas nenit 156 të Statutit: të ketë gradën e doktorit të shkencës; të ketë një kapitull të zgjedhur të botuar në një tekst të botuar nga shtëpi botuese kredibile ndërkombëtare ose një libër për përdorim të studentëve ose monografi; të ketë të paktën tri punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore të publikuara pas emërimit në titullin aktual, si autori parë ose korrespondent, nga të cilat së paku një si autor i parë.

Rizgjedhja në profesor i asociuar bëhet vetëm nëse kandidati ka publikuar një punim shtesë si autor i parë ose korrespodent të publikuar pas emërimit në titullin aktual.

Për profesor të rregullt, kandidati duhet t’i ketë dy kushtet e para të profesorit të asociuar si dhe sipas nenit 157 të Statutit kushtet e tjera: katër punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore të publikuara pas emërimit në titullin paraprak, si autor i parë ose korrespondent, nga të cilat së paku dy si autor i parë; pjesëmarrje e rregullt në konferencat ndërkombëtare dhe kombëtare; mentorim i suksesshëm i së paku tri temave master.