Pas publikimit në media të rastit të një mësueseje e cila akuzohet për dhunë dhe sjellje denigruese ndaj nxënësve, gazetarja Juli Ristani ka ngritur shqetësimin për shëndetin mendor të mësuesve në sistemin arsimor.
Në emisionin Dita Jonë në A2 CNN ajo tha se normalizimi i dhunës në klasë, përdorimi i fjalëve demotivuese dhe bullizimi janë tregues alarmantë që kërkojnë vëmendje të menjëhershme. Ajo thekson se shkolla duhet të jetë një hapësirë e sigurt për fëmijët.
“Mendimi i parë që më shkoi në mendje ishte shëndeti mendor i mësueses, që për mua linte për të dëshiruar, sepse mësuesja e kishte normalizuar në klasë dhunën, dackat, atë bullizimin, ato fjalët demotivuese që vetëm ndikojnë për keq te fëmijët. Ja fuste pastaj këngës, domethënë një luhatje të shëndetit mendor. Vërtetë për fëmijët tanë shkollat po plotësohen çdo ditë e më tepër me figurën e sociologut, me figurën e psikologut, me figurën e oficerit të sigurisë nëpër shkolla. Pra, për t’i dhënë atë mesazhin prindërve, fëmijëve, komuniteteve që shkollat janë vend i mbrojtur, vend ku ne i çojmë fëmijët dhe i kemi të sigurt për aq orë sa i lëmë aty”, tha gazetarja në Dita Jonë në A2 CNN.
Gazetarja nënvizon se, ndërsa në shkolla po shtohen figurat e psikologut, sociologut dhe oficerit të sigurisë për të mbrojtur nxënësit, duhet të mendohet edhe për një vlerësim të përvitshëm të shëndetit mendor të vetë mësuesve. Sipas saj, mësimdhënia është një profesion me ngarkesë të lartë emocionale dhe sociale, që kërkon mbështetje të vazhdueshme.
“Unë mendoj që duhet gjetur një zgjidhje, një lloj kontrolli të aspektit të shëndetit jo vetëm fizik, por edhe mendor tashmë të mësuesve. Jo të kryhet në shkollë sepse mësuesi i fizikës do ta marrë vesh që ai i qytetarisë po shkon edhe po merr ndihmë te psikologu, por duke qenë se edhe shërbimi psikologjik është afruar shumë afër qytetarit. Secili nëpër qendrën tonë shëndetësore ka profesionistë të shëndetit mendorë, duke qenë se mësimdhënia, mësuesit janë një profesion që çedon pak shpejt për shkak të ngarkesës që ata kanë, misionit që ata kanë”.
Ajo sugjeron që, ashtu si kërkohen dokumente dhe certifikime të tjera për punësim, të merret në konsideratë edhe një certifikim i rregullt për gjendjen mendore, në mënyrë diskrete dhe profesionale edhe për mësuesit.
“Në këtë aspekt, unë them që duhet bërë ndoshta edhe e përvitshme vlerësimi i tyre i shëndetit mendor. Në çdo vend pune të kërkohet një certifikim i shëndetit tënd fizik, një certifikim i shëndetit tënd mendor dhe të gjithë dokumentet e tjera. Jo gjaku, jo analizat e tjera, jo vërtetimi, jo CV-ja, motivacioni e të tjera. Pra, të gjitha këto kërkojnë. Atëherë le të bëhet edhe kjo e tillë”, theksoi ajo.
Gazetarja foli edhe për çështjen e uljes së prestigjit të figurës së mësuesit. Sipas saj, përveç kontrollit dhe mbështetjes psikologjike, është e domosdoshme rritja e pagave dhe lehtësirave sociale për mësuesit, në mënyrë që ata t’i qasen profesionit me dinjitet dhe përkushtim.
Shënim: Ky artikull bazohet në një intervistë dhe deklarata të publikuara nga gazetarja Juli Ristani në emisionin Dita Jonë, A2 CNN. Përmbajtja raporton zhvillime të rëndësishme në sistemin arsimor dhe është e destinuar për qëllime informative.