Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit, këtë vit shkollor janë 604 nxënës më shumë që do të përsërisin vitin shkollor.
Sipas një hulumtimi nga “Save the Childre”, 7 nga 10 fëmijë ndihen të mërzitur apo të dëshpëruar nga kushtet në shkolla. E nxënësit kanë thënë se cilësia e mësimdhënies dhe mungesa e kushteve infrastrukturore ndikojnë në performancën e tyre
2.795 nxënës në arsimin parauniversitar do të përsërisin vitin, meqë kanë ngelur në klasë në vitin shkollor 2021-2022.
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), janë 604 nxënës më shumë se vitin paraprak.
Nga të dhënat e MASHTI-t, 2.068 nxënës përsëritës janë të Arsimit të Mesëm të Lartë, ndërkaq 727 nxënës janë të Arsimit Fillor dhe të Mesëm të Ulët.
Nxënësja në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, Puhiza Shemsedini, ka thënë se një ndër shkaqet që ndikojnë që nxënësit të tregojnë performancë të dobët në shkolla, është mungesa e kushteve infrastrukturore.
Ajo ka thënë se asnjëherë nuk e ka zhvilluar lëndën e kimisë në kabinet. Eksperimentet kimike të paraqitura në libra shkollorë, ajo asnjëherë nuk i ka praktikuar.
Përveç mungesës së kushteve infrastrukturore, sipas saj, edhe cilësia e mësimdhënies nuk është në nivelin e duhur. E krejt këto, thotë ajo, bëjnë që nganjëherë edhe të bie motivimi për mësim.
“Po flas për eksperiencat e mia personale, ka profesorë që ende nuk dinë lëndën që e shpjegojnë, ka profesorë që e kalojnë lëndën në telefon, ka pasur profesorë bile në menaxhment të shkollës që kanë përdorur dhunë psikike ose fizike dhe që ofendojnë ende nxënësit”, ka thënë gjimnazistja, e cila po ashtu është avokuese për të drejtat e fëmijëve në organizatën “Respect Our Rights”.
Sipas një hulumtimi të publikuar në vitin 2022 nga “Save the Children” në bashkëpunim me “Respect Our Rights”, thuhet se 7 nga 10 fëmijë ndihen të mërzitur apo të dëshpëruar nga kushtet në shkolla.
Në Këshillin e Nxënësve të Kosovës kanë thënë se për ngeljen në klasa, përveç mësimdhënësve duhet të fajësohen edhe vetë nxënësit.
Në një intervistë të mëhershme për KOHËN, stafi i institucioneve arsimore në Prishtinë, ka thënë se ngelja e nxënësve është rezultat i mosangazhimit, si dhe i sjelljeve problematike të tyre.
Rilind Gashi, nxënës në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë, ka thënë se shpeshherë marrin vlerësime joreale nga mësimdhënësit.
“Te mësimdhënësit ka që nuk e zbatojnë kurrikulën, janë mësuar të vlerësojnë nxënësit vetëm në një formë prej që janë pranuar në punë, por ka edhe nxënës që janë dembelë”, ka thënë Gashi.
Nxënësit kosovarë, performancë të dobët kanë treguar edhe në testet ndërkombëtare. Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën PISA, ka radhitur Kosovën në vitin 2015 në vendin e 68-të në mesin e 72 vendeve pjesëmarrëse në test. Ndërsa në vitin 2018, në vendin e 77-të në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi, duke ranguar të tretën nga fundi. Kosova në këtë test ka lënë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.
Edhe sivjet nxënësit kosovarë i janë nënshtruar testit PISA. Rezultatet priten të dalin në dhjetor të vitit 2023.
Njohësit e arsimit kanë thënë se vlerësimi i nxënësve nuk është real.
Halim Hyseni, njohës i çështjeve të arsimit, ka thënë se mësimdhënësit nuk kanë trajnim adekuat për të bërë vlerësimin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve.
“Fakulteti i Edukimit prodhon numër enorm të mësimdhënësve të cilët licencohen pa e kaluar aftësimin për të bërë vlerësime objektive të përparimit dhe zhvillimit të fëmijëve. Është një shkencë e veçantë për këtë fushë, dokimologjia, e kjo lëndë nuk zhvillohet në Fakultetin e Edukimit, mu për këtë arsye mësimdhënësit tanë dalin të papërgatitur për vlerësim”, ka thënë Hyseni.
Sipas plan-programit shkollor, nxënësit duhet të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm në fundvit.
Gjimnazistja Puhiza ka thënë se rrallëherë mësimdhënësit e kanë vlerësuar atë në mënyrë të vazhdueshme. Vlerësimi më i zakonshëm që kanë bërë ka qenë ai sumativ. “Mbajtja e evidencës në orë është shumë bazike që ata duhet me bë, mirëpo jo të gjithë mësimdhënësit e bëjnë, fatmirësisht Këshilli i Nxënësve është fuqizuar dhe e ka ngritur zërin drejt këtyre padrejtësive dhe tash të paktën disa mësimdhënës kanë filluar që ta zbatojnë”, ka thënë ajo.
Edhe një raport i publikuar sivjet nga Zyra Kombëtare e Auditorit ka bërë të ditur se procesi i vlerësimit të nxënësve në arsimin parauniversitar është i mangët e joreal. Sipas auditorit, nxënësit vlerësohen në fundvit.
Prania e psikologëve në institucionet arsimore është parë e domosdoshme për ngritjen e performancës së tyre në mësimnxënie. Psikologu, Petrit Thaçi, ka thënë se problemet emocionale mund të çojnë në humbjen e interesimit për mësim. “Nganjëherë moskoncentrimi, mosmbajtja e disiplinës, mungesat e shumta e mosfokusimi, mund të lidhen me probleme të caktuara emocionale, mund të lidhen me probleme të caktuara ndërpersonale, ndërfamiljare, mund të jenë element ekonomik, traumtik”, ka thënë Thaçi, i cili shtoi se prania e një eksperti të shëndetit mental i ndihmon nxënësit të mos e humbin vetëbesimin.
Institucioni edukativo-arsimor në bazë të legjislacionit, duhet të ketë psikologun ose pedagogun, për çdo 1 mijë nxënës. Kosova llogaritet t’i ketë 1 mijë e 58 institucione arsimore publike, ndërsa ka më pak se 90 psikologë të punësuar në shkolla.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, për mospunësimin e psikologëve në shkolla ka fajësuar Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA). Sipas Nagavcit, DKA-të kanë shfrytëzuar grantin për punësimin e kuadrove të tjera.