Mbi tre mijë mësimdhënës në Kosovë nuk do të financohen nga granti i arsimit gjatë vitit 2026, duke krijuar një barrë financiare prej më shumë se 24 milionë eurosh për komunat, ka njoftuar Instituti GAP në raportin e titulluar “Numri i mësimdhënësve në komuna: tepricë apo nevojë?”.
Sipas analizës, Ministria e Financave, duke u bazuar në rekomandimet dhe normat e Ministrisë së Arsimit, ka përcaktuar financimin e pagave të mësimdhënësve sipas numrit aktual të nxënësve dhe raportit nxënës–mësimdhënës.
Si rezultat, është evidentuar një mospërputhje e madhe mes numrit të mësimdhënësve të raportuar nga komunat dhe atyre të miratuar për financim.
Për vitin 2026, Ministria e Financave ka larguar nga granti i arsimit gjithsej 3,101 mësimdhënës.
“Për 25 komunat e trajtuara në këtë analizë, komunat kanë paraqitur 27,282 mësimdhënës për vitin 2026, ndërsa janë aprovuar 24,200. Si rezultat, 3,082 mësimdhënës, apo rreth 11.3% e numrit të paraqitur, kanë mbetur jashtë financimit të grantit”, thuhet në gjetje.
Instituti GAP paralajmëron se komunat tashmë përballen me dy alternativa: të harmonizojnë numrin e mësimdhënësve me normativat e Ministrisë së Arsimit ose të vazhdojnë t’i mbajnë në punë mësimdhënësit shtesë duke i paguar nga buxhetet komunale ose nga granti i përgjithshëm.
Në aspektin financiar, presioni më i madh bie mbi Komunën e Gjilanit, e cila pritet të përballet me një kosto prej mbi 2.5 milionë eurosh për pagat e mësimdhënësve mbi normë. Pasojnë Gjakova me mbi 2.3 milionë euro, si dhe Peja, Malisheva, Podujeva, Rahoveci, Suhareka, Skenderaj dhe Mitrovica.