Shtatori solli fillimin e vitit të ri shkollor në Kosovë, por për shumë nxënës, klasat nuk janë më vende ku mund të mësosh paqësisht.
“Problemi filloi për shkak të bankës. Djali ishte ulur në bankën e dytë dhe dy djem të tjerë të klasës i kërkuan ta lëshonte vendin, por ai nuk pranoi. Djali ishte vetëm kundër dy të tjerëve. Filluan me fjalë, pastaj u shtynë dhe përfunduan me dhunë fizike”, rrëfen kjo nënë për Radion Evropa e Lirë.
“Edhe sot, ata e bullizojnë kohë pas kohe”, thotë ajo.
Tronditja dhe brenga e saj janë të dukshme.
Ajo nuk pranon të zbulojë mënyrën se si ka reaguar udhëheqja e shkollës, nga frika se fëmija mund të jetë përsëri në rrezik.
E, ky rast nuk është i izoluar.
Dhuna mes bashkëmoshatarëve në shkollat në Kosovë dhe përreth tyre është bërë një realitet i përditshëm, ku nxënësit përballen me bullizim, intimidim dhe sulme fizike, ndërsa institucionet shpesh mbeten të pafuqishme për ta ndaluar.
Muajin e kaluar, opinioni u trondit nga rrahja e një 13-vjeçareje në Gjilan nga disa bashkëmoshatare të saj.
Në vitin 2022, Radio Evropa e Lirë raportoi edhe për rastin e vdekjes së një 14-vjeçari, pasi u ther me thikë në një shkollë në Prishtinë.
REL-i pyeti Policinë e Kosovës për incidentet në shkolla këtë dhe vitin e kaluar, por ende nuk mori përgjigje, ndërsa nga të dhënat e mëparshme, fenomeni po rritet.
Dhuna në shkolla në shifra
Në vitin 2023, një studim i publikuar nga një grup ekspertësh – kosovarë dhe të huaj – nxori në pah se nxënësit e shkollave fillore në Kosovë përjetojnë forma të ndryshme dhune – nga shtyrja apo rrahja deri te prekja pa dëshirë.
Sipas të njëjtit raport, shënjestra e viktimave të dhunës dallon mes vajzave dhe djemve.
Sipas një sondazhi që realizoi organizata Save the Children Kosova në vitin 2021, 35 për qind e fëmijëve të anketuar kanë thënë se janë ndier të bullizuar ose të ngacmuar për shkak të pamjes së jashtme, aftësisë së kufizuar, religjionit, orientimit seksual, statusit ekonomik dhe arsyeve të tjera.
Se kjo dukuri është e vazhdueshme, e dëshmon edhe një raport i Avokatit të Popullit i para rreth një dekade.
Në atë hulumtim me 385 nxënës shqiptarë dhe serbë në Prishtinë dhe në Graçanicë, një e treta e tyre raportuan se kishin qenë viktima të ngacmimeve në shkollë gjatë muajve të fundit.
Sipas raportit, 4% thanë se ishin ngacmuar dy ose tri herë në muaj, 7% dy ose tri herë në javë, 2% një herë në javë dhe 5% disa herë në javë.
Institucionet mes përpjekjeve dhe mungesës së veprimit
Për Avokatin e tanishëm të Popullit, Naim Qelaj, situata është alarmante.
Ai thotë se dhuna është e pranishme jo vetëm mes bashkëmoshatarëve, por edhe mes nxënësve dhe mësimdhënësve, megjithëse më së shumti shfaqet ndërmjet vetë nxënësve.
Përveç kësaj, ai thotë se ka një mospërputhje të madhe mes rasteve të raportuara nga shkollat, policia dhe institucionet e tjera – çka tregon, sipas tij, se problemet shpeshherë minimizohen ose nuk dokumentohen siç duhet.
Qelaj thotë se institucionet e sigurisë dhe ato arsimore janë të vetëdijshme për situatën, por se mungojnë veprimet konkrete.
“Shteti duhet të ketë një politikë gjithëkombëtare për ta ndalur këtë problematikë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës pranon se dhuna në shkolla është një problem shqetësues, të cilin ajo e lidh me faktorë individualë, familjarë dhe socialë.
Nga ky institucion thonë se kanë ndërmarrë hapa përmes legjislacionit dhe politikave për mbrojtjen e fëmijëve, përfshirë trajnimin e pikave të kontaktit në shkolla.
“MASHTI, përveçse ka Rregulloren mbi protokollin për parandalim dhe referim të dhunës [21/2013], ka zhvilluar manuale didaktike për ta trajtuar dhe parandaluar dhunën përmes edukimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MASHTI-t për Radion Evropa e Lirë.
Aty nuk jepen hollësi për ndikimin në praktikë të këtyre rregulloreve apo manualeve.
Përndryshe, në Kosovë funksionojnë edhe këshillat drejtues të shkollave, që, sipas ligjit, kanë rol të rëndësishëm në përcaktimin e politikave dhe funksionimin e shkollës.
Por, ndikimi i tyre në praktikë nuk është dhe aq i dukshëm, thotë për Radion Evropa e Lirë kryesuesi i Këshillit Drejtues të Shkollës Fillore “Pavarësia” në Prishtinë, Bujar Pervetica.
Sipas tij, gati asnjë nxënës nuk i shpëton ekspozimit ndaj dhunës psikologjike.
“Pa përjashtim, nxënësit përballen çdo ditë me dhunë psikologjike nga bashkëmoshatarët. Ka raste të izoluara kur edhe mësimdhënësit janë të përfshirë, por ato zakonisht zgjidhen shpejt”, shpjegon ai.
Sipas Perveticës, dhuna shpesh shfaqet si një hierarki e brendshme mes nxënësve, ku më të rriturit ushtrojnë presion mbi më të vegjlit.
“Nxënësit e klasave të teta shpesh përpiqen të vendosin autoritet mbi nxënësit e klasave të gjashta, për shembull”, thotë ai, duke shtuar se pas kësaj fshihet një mungesë e madhe e ndërveprimit institucional.
Ai thotë se shkollat nuk e kanë mbështetjen e duhur as nga prindërit, as nga institucionet, dhe shpesh lihen të përballen vetë me probleme që kërkojnë zgjidhje sistematike.
Qëndrim të ngjashëm ndan edhe sociologu Besim Gallopeni. Ai thotë se mungesa e bashkëpunimit ndërmjet familjes, shkollës dhe komunitetit e bën situatën edhe më të rëndë.
Në shumë raste, viktimat dhe agresorët mbeten të vetmuar, pa mbështetje dhe pa një rrjet sigurie që do të duhej t’i orientonte drejt sjelljeve pozitive, sipas tij.
Kur ky ‘trekëndësh’ mungon, Gallopeni thotë se nxënësit shpesh ndihen të braktisur dhe reagojnë me dhunë ndaj bashkëmoshatarëve.
Gallopeni thotë se zgjidhja nuk mund të vijë vetëm nga një institucion – MASHTI dhe shkollat duhet ta rrisin bashkëpunimin, sipas tij.
“Nevojitet përgatitja e udhëzuesve dhe rregulloreve adekuate, si dhe zbatimi i tyre”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Mësimet nga përvojat ndërkombëtare
MASHTI, ndërkohë, ka paralajmëruar programe të reja edukimi dhe trajnimi për mësimdhënësit dhe psikologët shkollorë, por mbetet të shihet nëse këto iniciativa do të përkthehen në rezultate konkrete në terren.
Raportet e organizatave të ndryshme joqeveritare tregojnë se fushatat e ndërgjegjësimit, të zhvilluara ndër vite, nuk kanë arritur të japin efekte të qëndrueshme.
Sipas një raporti të Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), të publikuar në vitin 2019, pothuajse një në tre nxënës (32%) është ngacmuar nga bashkëmoshatarët e tij në shkollë të paktën një herë gjatë muajit të fundit.
Në Evropë, ashtu si edhe në Amerikën e Veriut, ngacmimi psikologjik është lloji më i zakonshëm i ngacmimit.
“Fëmijët që perceptohen si ‘ndryshe’ në çfarëdo mënyre, kanë më shumë gjasa të ngacmohen”, thuhet në këtë raport.
Bazuar në studimet e rasteve të gjashtë vendeve që kanë pasur sukses në uljen e dhunës dhe ngacmimit në shkollë – Esvatini, Italia, Xhamajka, Libani, Republika e Koresë dhe Uruguai – dhe dy vendeve që kanë mbajtur nivele të ulëta me kalimin e kohës – Holanda dhe Suedia – ekzistojnë disa faktorë që kontribuojnë në përgjigje efektive kombëtare, thuhet në raportin e UNESCO-s.
Në mesin e tyre është udhëheqja politike dhe angazhimi i nivelit të lartë, së bashku me një kuadër të fuqishëm ligjor dhe politik, që adreson dhunën kundër fëmijëve dhe ngacmimin në shkollë.
Pastaj vijnë partneritetet dhe bashkëpunimi mes palëve të interesuara në komunitetin shkollor, përfshirë: drejtorët e shkollave, mësuesit, stafin tjetër, prindërit dhe nxënësit, autoritetet lokale dhe profesionistët në sektorë të tjerë.
Si faktorë me ndikim pozitiv përmenden, gjithashtu, trajnimi dhe mbështetja për mësuesit dhe kujdesi dhe mbështetja për nxënësit e prekur. /REL