E mërkurë, 6 Nëntor, 2024

Flet Venera Ismaili nga “Artpolis”: Pa fuqizimin e grave dhe vajzave nuk mund të jemi pjesë e Evropës  dhe botës përparimtare

- Advertisement1-

Intervistoi: Donat Maloku

Si pjesë e organizatës ku punon për vite, lobon dhe lufton pandërprerë për drejtësi e barazi. Ngreh shqetësimin se në Kosovë pozita e gruas vazhdon të jetë e pakënaqshme (me përmirësime të lehta), pasi në çdo institucion, por jo vetëm vazhdojnë të “fortit”, pra burrat të dominojnë.

- Advertisement -

E thotë hapur se vetëm kur të fuqizohen gratë dhe vajzat, mund të thuhet se Kosova e meriton të jetë pjesë e Evropës  dhe botës përparimtare.

Fjala është për Venera Ismaili, zëdhënëse e organizatës “Artpolis”, e cila në një intervistë për “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) flet për pozitën e gruas kosovare, rolin e saj në vendimmarrje, vrasjet e shumta këtë vit ndaj grave, pra si të ndalohet ky krim që po bëhet dhe çfarë hapa duhet të ndërmarrin institucionet, si dhe ka një mesazh për të gjitha gratë shqitare.

Kids of osova: Së pari a mundeni një preznatim, CV-të shkurtë tuajën, familja?

Venera Ismaili: Jam e lindur në Prishtinë. Jam nënë e dy fëmijëve, Drenit dhe Mjellmës. Kam mbaruar fakultetin, nivelin bachelor, drejtimi Menaxhment dhe informatikë. Shkollën e mesme, gjimnazin, e kam kryer në vitin 1991, pikërisht në vitin kur regjimi i Millosheviqit i mbylli shkollat dhe të gjitha institucionet publike për neve shqiptarët. Pra, kam qenë pjesë e gjeneratës së fundit që mësimet i kemi bërë nëpër shkolla, për periudhën e para luftës. Më pastaj, shtëpitë private u shndërruan në shkolla e fakultete si dhe pasuan largimet nga puna e prindërve tanë. Për këtë arsye, menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme fillova të punoj në një kompani private, me veprimtari rreth teknologjisë informative (hardware dhe software), për ta ndihmuar familjen në ato kohëra të vështira të periudhës së paraluftës. Por krahas punës, studimeve kam qenë aktive edhe në jetën shoqërore, duke qenë pjesëmarrëse e shumë protestave, të organizuara atëherë nga studentët apo organizatat/shoqatat e ndryshme, për të kërkuar të drejtat tona si popull / komb, që të jemi të lirë dhe pa shtypje.

Kjo është jeta që më ka ndjekur gjithmonë, të kërkoj drejtësi kudo që ka munguar. Kjo është ajo që unë bëj edhe tani, përmes organizatës Artpolis, aty ku punoj, të loboj dhe luftoj për drejtësi e barazi, përmes aktiviteteve të ndryshme dhe festivaleve që organizojmë.

Kids of Kosova: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen gratë në Kosovë?

- Advertisement -rrrrrrr

Venera Ismaili: Gratë në Kosovë, gjithmonë janë përballur me sfida të mëdha në jetë. Ato kanë qenë dhe ende trajtohen si qytetare të rendit të dytë në familje dhe shoqëri. Fillimisht janë të paragjykuara dhe të gjykuara nga burrat por edhe nga vetë gratë, për çka do që ato veprojnë apo mendojnë të veprojnë. E them që këtë trajtim e kanë edhe nga vetë gratë sepse ky është rezultat i sistemit patriarkal në të cilin jetojmë ne, ku hierarkia shoqërore dhe klasore dikton lirinë e të shprehurit dhe të vepruarit. Andaj, sipas këtij sistemi shoqëria e jonë kosovare e ka të bazuar edukatën familjare dhe institucionale. Gruaja trajtohet si një objekt apo individ i ‘nevojshëm’ për të krijuar familje apo për të përmbushur “një zbrazëtirë” në ndonjë ndërmarrësi apo plan, por assesi si një bashkudhëtare, planifikuese apo një vlerë shoqërore pa të cilën një popull apo komb nuk mund të arrijë sukseset.

Gratë janë të privuara nga trashëgimia në pronë, i ngacmojnë, abuzojnë, dhunojnë dhe keqtrajtojnë në baza ditore në familje, në rrugë, në punë, në institucionet publike (shkolla, fakultete, etj), dhe në shumë raste kanë përfunduar me fatalitet në dëm të grave; po ashtu martesat e hershme të detyruara, lindjet e shpeshta (pa planifikim familjar), janë edhe disa nga dukuritë tjera që kanë qenë prezente gjithmonë në Kosovë. Në krahasim nga vitet e mëhershme tani ka ndryshime pozitive, sepse së paku tani ka filluar te flitet më shumë dhe më haptas, falë organizatave dhe aktivistëve/eve që kanë punuar shumë në këtë drejtim.

Kids of Kosova: Sivjet janë shënuar shifra alarmante sa i përket vrasjeve të grave.
17 është numri i grave të vrara. Si duhet të ndalet sipas jush ky krim
që po bëhet ndaj grave?

Venera Ismaili: Asgjë nuk mund të ndryshojë për të mirë në Kosovë pa mbështetjen institucionale, duke filluar nga gjykatat: dënimi i merituar i dhunuesve dhe vrasësve të grave dhe mbajtja e dënimit pa lehtësime, trajtimi i lëndëve në gjykata me prioritet, ndjekja penale adekuate nga prokurorët/et dhe puna e tyre profesionale në terren duke hulumtuar dhe paraqitur rastet e dhunës në familje apo kudo; trajtimi i mirë dhe me zell i policisë dhe ndihma profesionale e tyre, në rastet kur gratë lajmërojnë dhunën; bashkëpunim i institucioneve shëndetësore me ato të drejtësisë në rastet e lëndimeve fizike apo mendore të grave; mundësi strehimi për një periudhë afatgjatë apo të pacaktuar për gratë dhe fëmijët e tyre nga dhuna në familje dhe po ashtu fuqizim të atyre grave duke iu mundësuar punësim që të vetëfinancojnë familjen e tyre dhe të përmirësojnë mirëqenien e tyre; Nëpër institucionet edukative, plan programet mësimore të ndryshohen dhe fokus të madh të merr barazia gjinore dhe trajtimi i gruas në shoqëri, sepse e kemi një hendek të madh në këtë drejtim, dhe askush nuk e merr seriozisht këtë dukuri negative. Duhet të përmirësohemi si shoqëri, të respektojmë vlerat njerëzore, të fuqizojmë gratë dhe vajzat, dhe vetëm atëherë mund të themi që jemi popull që e meriton të jemi pjesë e Evropës  dhe botës përparimtare.

Kids of Kosova: Gratë në vendimmarrje është një tjetër sfidë në Kosovë. Pse sipas
jush ndodhë kjo?
 

Venera Ismaili: Kjo është një sfidë tjetër që gratë përballen. Nuk mungon ambicia e dëshira sikurse që mendojnë një pjesë e mirë e popullit, thjesht nuk kanë mundësi të depërtojnë në këtë shoqëri patriarkale, ku mendësia e vjetër që gratë nuk janë për pozita vendimmarrëse është shumë e shprehur.  Kosova është krijuar si vend i mundësive vetëm për anëtarët apo ithtarët e partive politike që sundojnë apo kanë sunduar në shtet përderisa nepotizmi ka hy në çdo pore të vendit ku favorizohen burrat (familjarë) të personave përgjegjës për pozita vendimmarrëse.

Nënçmimi dhe përbuzja që gratë e përjetojnë gjatë rrugëtimit të tyre në karrierë, e bën punën e grave shumë më të vështirë sepse angazhimi i tyre është më i madh se sa i burrave. Gratë në çdo hap duhet të dëshmojnë se janë të denja për ato pozita përtej faktit që duhet të tregojnë sukses, përderisa burrat nuk kanë se çfarë të dëshmojnë. Pra, standarde të dyfishta, në një shtet me sistem demokratik.

Kids of Kosova: Për fund mesazhi juaj për të gjitha vajzat dhe gratë shqiptare?

Venera Ismaili: Gratë duhet ta dinë dhe të vetëdijesohen që janë shumë të zonja, ato janë treguar të forta dhe të fuqishme dhe këtë e kanë dëshmuar në çdo periudhë historike që ka kaluar Kosova. Grave duhet tu njihet kontributi që ato e kanë dhënë në shoqërinë kosovare, në luftë, në ndërtimin e shtetit dhe në përgjithësi. Është koha që tu lëshohet hapësirë për tu zhvilluar. Ato e përbëjnë 50% të popullsisë dhe nisur nga roli që e bëjnë janë shtylla e shoqërisë kosovare.

Mesazhi im konkret është që gratë duhet të caktojnë qëllime në jetë. Gjatë rrugëtimit të tyre mund të hasin në pengesa të cilat duhet ti shohin vetëm si sfida apo probleme që duhet gjetur zgjidhja dhe të vazhdohet tutje deri në cakun e synuar. Mos ta harrojnë përkrahjen dhe ndihmën për njëra – tjetrën, sepse vetëm ashtu mund të fuqizohen dhe të arrijnë qëllimet e tyre në jetë. (KidsofKosova)

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

INTERVISTË| Sakip Kryeziu, drejtor i shkollës “Isa Boletini” në Rahovec: Puna jonë një mision fisnik, MASHT t’i thotë ‘PO’ kërkesave tona

Gazetona Online që merret ekskluzivisht me fushën e arsimit, AlbanianEducation.net ka realizuar një intervistë...

INTERVISTË| Pranvera Qerimi, mësuesja nga Ferizaj: Punën në arsim e nisa më 2022, ndjenjë e veçantë kur e kapa ditarin – s’do ta harroj...

Para dy vitesh nisi punën në arsim. Thotë se nuk do ta harroj kurrë...

INTERVISTË| Selvije Makolli, mësuesja nga Prishtina që pas orarit mëson fëmijët me kancer në Onkologji: Jam e lumtur që po ju ndihmoj

29 vite kontribut të çmueshëm në arsimin shqip si mësuese e matematikës, ku vazhdon...

INTERVISTË| Mirvete Bahtiri – drejtoreshë e shkollës “Zenel Hajdini” në Prishtinë: Të kërkojmë vazhdimisht ngritje të cilësisë në arsim

Intervistë me Mirvete Bahtiri - drejtoreshë e shkollës "Zenel Hajdini" në Prishtinë Sa është e...