E premte, 26 Korrik, 2024

Flet sociologu, Ferdi Kamberi: Pozita e fëmijëve dhe grave në Kosovë nuk është e kënaqshme

- Advertisement1-

Intervistoi: Donat Maloku

Në Kosovë është miratuar Ligji  për mbrojtjen e fëmijëve, por ky ligj si edhe shumë të tjerë në shumicën e rasteve mbetet veç në letër, pra nuk zbatohet.

- Advertisement -

Se të drejtat e fëmijëve nuk respektohen sa duhet, e thotë edhe sociologu i njohur Ferdi Kamberi. Sipas tij fëmijët në Kosovë nuk gëzojnë një mirëqenie sociale, dhe ballafaqohen me situatën socio-ekonomike dhe shpeshherë ju duhet të ndërprenë shkollimin dhe të bëjnë punë të ndryshme për të mbajtur familjen.

Sociolgu Kamberi në një intervistë për “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) tregon se a ka dështuar shteti të ofrojë mbrojtje për fëmijët, sa respektohet të drejtat e grave, si dhe flet për çështje tjera.

Kids of Kosova: Si është pozita e fëmijëve sot në Kosovë? Sa ju respektohen të drejtat?

Ferdi Kamberi: Çështja e të drejtave të fëmijëve është sublime dhe tepër e rëndësishme për familjen, komunitetin, shoqërinë dhe vetë shtetin, për shkak se fëmijët janë e ardhmja e asaj shoqërie apo atij shteti. Kosova si shtet ende është në fazën e tranzicionit dhe ballafaqohet me situata kaotike të cilat kohë pas kohe shpërfaqin probleme të natyrave sociale dhe jo vetëm. Kështu, raportet e ndryshme sidomos ai nga KOMF flasin se “Kosova ka arritur një rezultat prej 0,520 nga totali 1.0 i mundshëm duke ruajtur kështu rezultatet e një qeverisjeje të ngjashme të raportuar në Indeksin e Mbrojtjes së Fëmijës 1.0 të publikuar vitin e kaluar”, që do të thotë se është një progres i vogël në raport me shtetet e zhvilluara. Andaj, mund të themi se pozita e fëmijëve sot në Kosovë nuk është edhe aq e kënaqshme, ndoshta edhe si rezultat i një mori faktorëve të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejtë ose tërthorazi në këtë kontekst. Të drejtat e fëmijëve nuk respektohen edhe aq, pavarësisht faktit se së fundi ka hyrë në fuqi edhe Ligji për mbrojtjen e fëmijëve. Fëmijët në Kosovë nuk gëzojnë një mirëqenie sociale, ashtu sikurse moshatarët e tyre, fëmijët në Kosovë ballafaqohen me situatën socio – ekonomike dhe shpeshherë janë ata/ato që duhet të ndërprenë shkollimin dhe të punojnë punë të ndryshme për të mbajtur familjen, kjo sidomos më shumë vërehet tek komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas, të cilët janë më së shumti të margjinalizuar. Po ashtu, fëmijët ballafaqohen edhe mungesë të edukimit, shkollimit, mungesë të infrastrukturës kulturore dhe sportive, bullizëm, dhunë, drogë, alkool, si dhe çështje të tjera. Po ashtu, shpeshherë fëmijët kanë qasje edhe ndaj produkteve të reklamimit siç janë duhani dhe alkooli, pavarësisht faktit që një gjë e tillë është e ndaluar me legjislacionin vendor. Ndaj, mund të themi se pozita e fëmijëve në Kosovë, aktualisht është në një mesatare dhe se të drejtat e tyre respektohen deri diku.

Kids of Kosova: A ka dështuar shteti të ofrojë një përkujdesje më të mirë për fëmijët?

Ferdi Kamberi: Shteti konsiderohet si mekanizëm institucional i cili ka për obligim që të kujdeset për të gjithë qytetarët e tij pa dallime. Në këtë segment, shteti i Kosovës ballafaqohet me shumë probleme, madje politikat ditore shpeshherë janë ato të cilat determinojnë edhe mediet tona nacionale dhe jo temat ose fushat tjera me interes të përgjithshëm shoqëror. Nga ky kontekst, mund të shohim edhe interesimin e çështjes për promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe kujdesin ndaj tyre, sepse tek e fundit nuk mund të zhvillohen dhe promovohen të drejtat e fëmijëve vetëm më datë 01 Qershor, por ato duhet të jenë në vazhdimësi dhe kjo duhet të jetë që nga familja e cila është agjens i parë i socializimit e deri tek vet shteti. Sido që të jetë, nuk mund të themi se shteti ka dështuar që të ofroj një përkujdesje, sepse në fund të fund ka krijuar një Kushtetutë e cila është akti më i lartë juridiko politik, ka inkorporuar një sërë konventash, aktesh, dokumentesh ndërkombëtare, ka krijuar legjislacion primar dhe sekondar, si dhe dokumente të tjera, por problemi qëndron tek zbatimi i tyre. Pra, me fjalë të tjera, për të ekzistuar një politikë e mirë publike, ajo duhet të gjej zbatim dhe zbatimi vie nga monitorimi dhe analiza e zbatimit të legjislacionit.

- Advertisement -rrrrrrr

Kids of Kosova: Sipas jush cilat janë 3 hapat që duhet të marrin institucionet për të përmirësuar pozitën fëmijëve në Kosovë?

Ferdi Kamberi: Konsideroj se institucionet e vendit tani më kanë miratuar edhe Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, ligj ky i cili qysh herët ka qenë mese i nevojshëm për të krijuar një pozitë më të volitshme për ta. Në këtë segment, është i rëndësishëm së pari, një analizë e përgjithshme e çështjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë, përfshirë këtu sfidat dhe problemet, si dhe fokusin edhe tek pakicat tjera kombëtare. Së dyti, duhet të krijohen akte të tjera nënligjore të cilat derivojnë nga vetë ligji për të drejtat e fëmijëve, si dhe së treti nevojitet monitorim më i madh nga institucionet e vendit, por edhe nga organizatat e shoqërisë civile, si dhe mekanizmat tjera institucional për legjislacionin e krijuar, në këtë kundërtën ai legjislacion nuk mund të jetë funksional. Një çështje tepër e rëndësishme është edhe vetëdijesimi i shoqërisë për të drejtat e fëmijëve, si dhe përkrahja e shtetit (institucioneve të vendit) për familjet sipas kategorive të ndryshme. Shembull nëse një familje ka një fëmijë, shteti duhet të subvencionon, nëse ka dy, tre e më shumë, kjo shumë duhet të rritet, sepse kjo ndikon edhe në rritjen e natalitetit i cili aktualisht është 2.5 fëmijë, përderisa në të kaluarën ka qenë 5.5. Kategoritë të tjera të cilat shteti duhet t’i ketë parasysh janë edhe fëmijët me nevoja të veçanta, sidomos ata/ato përballen me infrastrukturë të dobët rrugore, kanë probleme të theksuara në banesat e tyre dhe pozita e tyre është goxha e rëndë. Pra, institucionet duhet të krijojnë politika publike të cilat përkrahin familjet me fëmijë dhe një gjë e tilla reflekton në dy aspekte kryesore: e para e rrit natalitetit për të cilët jemi të shqetësuar për plakjen e popullsisë dhe rënien e tij dhe e dyta ndikon dukshëm në ngritjen e pozitës së fëmijëve, sepse familjet tani më tani buxhet enkas për fëmijë dhe mund t’ju plotësojnë kushtet dhe nevojat e tyre bazë.

Kids of Kosova: Cili është ndikimi i mediave jo vetëm në përmirësim të jetës së fëmijëve, por në përgjithësi për një familje të shëndoshë?

Ferdi Kamberi: Mediet janë agjensi i katërt i socializimit dhe si të tilla janë produkt i globalizimit, të cilat janë masivizuar në shekullin XIX. Sipas McLuhan masivizimi i mediave është “sikurse uji që është domosdoshmëri për peshkun, po ashtu edhe komunikimi masiv është për njeriun. Këtë ndikim të medieve te njeriu e kuptojmë vetëm kur mbesim pa këto mjete, ashtu sikur peshku e kupton që është i lagur vetëm nëse mbetet pa ujë”. Ndërsa, filozofi i njohur Francis Bakon theksonte se mediat janë pushtet i katërt pas atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Kjo do të thotë se mediet kanë ndikim jashtëzakonisht në edukimin e masës, por edhe futjen e problemeve apo përçarjen e saj. Në këtë segment, ndikimi i medieve është i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së fëmijëve, sidomos përmes lansimit të programeve edukativo – arsimore, kuizeve, informatave edukuese, pastaj aktiviteteve të ndryshme sportive, kulturore apo sociale, për shkak se ngritin motivin e fëmijëve dhe sipas teorisë së modelit social të Bandurës, një gjë e tillë mund të jetë modelim për fëmijët të tjera, sepse ata/ato nuk selektojnë, por imitojnë atë çka e shohin dhe e shndërrojnë në normë apo sjellje. Kjo le të nënkuptohet se edukimi medial është i rëndësishëm për edukimin e fëmijëve, familjes, komunitetit dhe vetë shoqërisë. Përmes medieve ne ‘bombardohemi’ nga një mori informatash dhe ato luajnë rol jo vetëm në jetën tonë sociale, por edhe atë ekonomike, politike dhe psikologjike. Prandaj, është mese e rëndësishme që mediet të luajnë një rol konstruktiv në zhvillimin dhe lansimin e programeve të cilat kanë synim edukimin e shoqërisë përmes vlerave të mirëfillta, por jo devalvimin e tyre ashtu siç është duke ndodhur me një pjesë të mediave.

Kids of Kosova: Po pozita e gruas në shoqërinë kosovare cila është? Sa respektohen të drejtat e tyre?

Ferdi Kamberi: Kur flitet për pozitën e gruas në shoqërinë kosovare, mund të themi se ajo është e kënaqshme deri diku, sepse gruaja edhe në të kaluarën, por edhe në të tashmen kanë qenë promotor i zhvillimit të familjes dhe shtetit. Megjithatë, ajo shpeshherë nuk e ka vendin e duhur ashtu siç duhet të ketë. Një gjë e tillë ndërlidhet me shumë segmente, sepse shembull sipas të dhënave gratë aktualisht gëzojnë vetëm 17% të ndarjes së pasurisë nga prindërit, gjë që është goxha e ulët në raport me shoqëritë tjera. Po ashtu, gratë sterotipizohen goxha shumë, shpeshherë ndaj grave përdoret gjuhë seksiste dhe fyese, madje ka paragjykime dhe stereotipa ndaj grave të cilat merren edhe me politikë. Po ashtu, pozitat vendimmarrëse të grave nuk janë të kënaqshme, 30% e parlamentit të Kosovës përbëhet nga gratë dhe një gjë e tillë është arritur vetëm si kuotë gjinore me një vendim nga ish misioni i OKB-së në Kosovë, ndërsa nga 38 kryetarë të komunave asnjë grua nuk është kryetare. Megjithë faktin e hyrjes në fuqi të ligjit për barazi gjinore, ku kërkohet buxhetimi gjinore dhe pozita e barabartë me burrat 50 me 50, gratë prapë se prapë ballafaqohen me shumë sfida dhe probleme, ndoshta kjo ka të bëjë edhe me faktin e asaj që shoqëria kosovare është një shoqëri konservatore dhe me tipare të një patriarkale. Një gjë e tillë tregon se si shoqëri brenda 1 viti kemi diku rreth 1200 raste të dhunës në familje, që është numër i lartë në raport me numrin e popullsisë, pastaj ato shpeshherë ngacmohen seksualisht në punë, në rrugë dhe askush nuk jep përgjegjësi. Gratë po ashtu, sfidohen dhe ballafaqohen edhe me një mori probleme të natyrave të ndryshme, gjë që tregon se duhet bërë përpjekje dhe veprime konkrete për përmirësimin e pozitave të tyre.

 

Kids of Kosova: Pozita e tyre në vendimmarrje a është e kënaqshme apo duhet të përmirësohet?

Ferdi Kamberi: Pozita e grave në vendimmarrje nuk është edhe aq e kënaqshme dhe një gjë e tillë duhet të përmirësohet sa më shpejtë e mundur për shkak se gratë janë pjesë e jetës dhe procesit jetësor të familjeve dhe shoqërisë tonë. Një gjë e tillë duhet të ndodhë që nga familja e cila është bërthamë e shoqërisë, pastaj edhe në media, nga institucionet, politika, në ekonomi, si dhe në sfera të tjera të jetës publike.

Kids of Kosova: Sa e ngritin gratë deputete zërin për gratë kosovare? A duhet të jenë më të zëshme për t’i mbrojtur ato?

Ferdi Kamberi: Deri më tani kemi qenë dëshmitarë të asaj që gratë deputete shumë pak e kanë ngritur zërin për gratë në përgjithësi dhe shpeshherë ato më shumë kanë mbrojtur interesat e partive politike se sa të grave. Mendoj se gratë deputete kanë një ndikim social dhe duhet të jenë më të zëshme për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të vet grave.

Kids of Kosova: Çfarë duhet të bëjë shteti veçanërisht për nënat që rrisin fëmijë por janë të papuna?

Ferdi Kamberi: Roli i shtetit është jetik për zhvillimin e shoqërisë dhe në këtë segment, shteti duhet që të krijoj politika stimuluese për gratë të cilat janë të papunësuara dhe rrisin fëmijët, në mënyrë që ato do të mund të gëzojnë benefite, mirëpo një gjë e tillë duhet të përfshijë të gjitha kategoritë qofshin ato të punësuara apo jo. Një gjë e tillë është prezentë sidomos në vendet e BE-së siç janë: Gjermania, pastaj shtetet skandinave si: Suedia, Finlanda, Norvegjia apo Danimarka, etj. Pra, me fjalë të tjera mund të themi se shteti krijon politika publike, sidomos se si nënat e papuna mund t’i rrisin fëmijët dhe mund të kenë një integrim social, kjo arrihet përmes stimulimit financiar, pastaj subvencioneve për biznese të vogla (start up), etj. (Kids of Kosova)

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

INTERVISTË| Pranvera Qerimi, mësuesja nga Ferizaj: Punën në arsim e nisa më 2022, ndjenjë e veçantë kur e kapa ditarin – s’do ta harroj...

Para dy vitesh nisi punën në arsim. Thotë se nuk do ta harroj kurrë...

INTERVISTË| Selvije Makolli, mësuesja nga Prishtina që pas orarit mëson fëmijët me kancer në Onkologji: Jam e lumtur që po ju ndihmoj

29 vite kontribut të çmueshëm në arsimin shqip si mësuese e matematikës, ku vazhdon...

INTERVISTË| Mirvete Bahtiri – drejtoreshë e shkollës “Zenel Hajdini” në Prishtinë: Të kërkojmë vazhdimisht ngritje të cilësisë në arsim

Intervistë me Mirvete Bahtiri - drejtoreshë e shkollës "Zenel Hajdini" në Prishtinë Sa është e...

INTERVISTË: Isa Zenuni, drejtor i shkollës “Jahë Salihu” në Molliq të Gjakovës: Performanca e mësimdhënësve të bëhet nga inspektorët e arsimit

Gazeta Online AlbanianEducation.net që i dedikohet fushës së arsimit ditë më parë publikoi një...