Remzije Makolli Ahmeti, është një shkrimtare e njohur ku shkruan libra të personalizuar për fëmijë.
Ajo në një intervistë për Kids of Kosova dhe Albanian Education Today ka treguar se nga ideja për të shkruar libra të tillë, sa janë të interesuar prindërit që fëmijët të kenë libra të personalizuar, sa lexojnë sot fëmijët, dhe si i sheh librat shkollor, por jo vetëm.
Lexoni intervistën e plotë:
Kids of Kosova: Zonja Remzije, a mund të na thoni diçka për veten tuaj? Punët e mëhershme e deri më tani tek librat e personalizuar për fëmijë?
Remzije Makolli Ahmeti: Fillimisht dua t’ju falënderoj juve për mundësinë për median tuaj online për fëmijë. Ka mbi dhjetë vite që unë jam kyqur në tregun e punës. Kam punuar me disa organizata humanitare për fëmijë. Në kompaninë Kujtesa Net SH.P.K, kam qenë menaxhere e llogarive të arkëtueshme për pesë vite me radhë. Për dy vite e gjysmë kam qenë këshilltare politike e Ministrit në Ministrinë e Diasporës.
Kids of Kosova: Si lindi ideja për të shkruar libra të personalizuar për fëmijë?
Remzije Makolli Ahmeti: Unë qysh e vogël kam pasur dëshirë të merrem me shkrime dhe të lexoj libra të ndryshëm. Pasi u bëra nënë vet, kisha kohë të qëndroja më shumë me fëmiun tim. Tani jam nënë e dy fëmijëve, Arinit dhe Reas. Ideja më lindi nga nipi im Aroni, i cili një ditë duke shetitur në parkun e Gërmisë më tha” Tete pse nuk po ma shkruan mua një libër me kafshë”? Dhe unë menjëherë u përgjigja: “Ta shkruaj, pse jo”? Dhe kur u ktheva në shtëpi bisedova me bashkëortin për një ide të tillë dhe ai me inkurajoi ta provoj. Fillova të shkruaj dhe t’ju them të drejtën nuk e kisha menduar asnjëherë se sa emocionuese ishte të shkruaje për dikë, për historinë apo dëshirat e dikujt. Doli një libër për mrekulli. Atëherë e printova dhe ia dhurova nipit tim. Ai u gëzua shumë. Nga aty fillova pastaj të shkruaj.
Kids of Kosova: Sa lexojnë sot fëmijët?
Remzije Makolli Ahmeti: Nuk mund të them se nuk lexojnë fare por mund të them se interesimi krahasuar me periudhën e mëhershme është dukshëm më i ulët. Natyrisht se këtu ka ndikuar edhe zhvillimi i hovshëm i teknologjisë. Unë nuk mendoj se teknologjia duhet të shkëputet nga jeta e fëmijëve, por duhet të kemi kujdes se si e shfrytëzojnë fëmijët. Në vend se telefoni apo kompjuterët të përdoren për të shikuar video që nuk janë pothuajse fare edukuese, atëherë të shfrytëzohet më shumë për lexim dhe të kenë kontroll nga prindërit në mënyrë që të shikojnë video edukuese.
Kids of Kosova: Si i shihni librat e sotëm shkollor?
Remzije Makolli Ahmeti: Mendoj se librat e sotëm shkollor janë shumë të ngarkuar me terminologji që është vështirë e kuptueshme edhe për të rriturit e lëre më për fëmijët. Përveç terminologjisë së papërshtatshme, edhe gabimet ortografike nuk janë të pakta. Nëse flasim për abetaren, mendoj se ajo abetarja e vjetër të cilën e kemi pasur, ka qenë më e kuptueshme dhe më e qartë. Mendoj se Ministria e Arsimit duhet t’u kushtojë më shumë vëmendje teksteve shkollore, e sidomos ato për fëmijët e vegjël.
Kids of Kosova: Sa janë të interesuar prindërit për të pasur libra të personalizuar për fëmijët e tyre?
Remzije Makolli Ahmeti: Interesimi i prindërve është shumë i madh sepse ata mund t’ua lexojnë fëmijëve të tyre librin e tyre ku ata janë vetë përsonazhe të librit. Këto libra ngjallin shumë emocione si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit. Ka pasur shumë raste ku prindërit kanë qajtur nga emocionet kur kanë lexuar librin për fëmiun e tyre.
Kids of Kosova? Si bëhen këto libra, me porosi apo?
Remzije Makolli Ahmeti: Po. Këto libra bëhen me porosi nga prindërit apo kushdo që dëshiron të bëjë porosi të tilla. Zakonisht dërgohen deri 10 fotografi të ndryshme. Pastaj të dhënat e fëmijëve si: emri, mbiemri, pesha e lindjes, gjatësia e lindjes (gjërat që ju kujtohen), dëshirat dhe talentet e fëmijëve dërgohen tek unë dhe pastaj unë e shkruaj tregimin bazuar në të dhënat që mi dërgojnë.
Kids of Kosova: Çfarë ju rekomandoni fëmijëve që të lexojnë?
Remzije Makolli Ahmeti: Fëmijëve u rekomandoj të lexojnë libra të cilë janë edukativ dhe të kërkohen libra në librari për moshat e tyre.
Kids of Kosova: Mesazhi juaj për prindërit?
Remzije Makolli Ahmeti: Prindërve u rekomandoj që sa më shumë ti nxisin fëmijët e tyre të lexojnë libra dhe t’u qëndrojnë afër gjatë mësimit. Për fëmijët që janë të vegjël , t’u lexojnë sa më shpesh para gjumit dhe kurdo që ata gjejnë kohë sepse kështu zhvillojnë mendjen e fëmijëve.
Kids of Kosova: Për fund, ku mund të bëhen porosi për libra të personalizuar?
Rremzije Makolli Ahmeti: Porositë mund të bëhen në faqen time në facebook apo Instagram “Libra nga Rema”.
Kids of Kosova: Faleminderit shumë për këto informacione.
Remzije Makolli Ahmeti: Faleminderit edhe juve për intervistën. /KidsofKosova.net