Intervistoi: Donat Maloku
Nga 14 shtatori fëmijët në Kosovë do t’i kthehen bankave shkollore, por për dallim nga vitet e kaluara, këtë here duke respektuar masat kundër pandemisë.
Si prindërit ashtu edhe mësimdhënësit, jo pak frikësohen për shëndetin e të vegjëlve, se mos po infektohet me coronavirus.
Media “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) ka realizuar një intervistë me psikologun Epirot Ferati i cili tregon se ç’kujdes duhet të kenë prindërit dhe mësimdhësit pasi të rikthehen nxënësit në shkolla.
Ai tregon edhe kur prindërit duhet t’i dërgojnë fëmijët tek psikologu, si ndikojnë video-lojërat në zhvillimin e fëmijëve, e tema tjera.
Kids of Kosova: Pasi jemi në kohë pandemie, pyetja e parë lodhet me kujdesin ndaj fëmijëve. Shkollat pritet të hapen në Kosovë nga 14 shtatori, por me masa të shtuara për shkak të pandemisë. Ç’kujdes duhet të kenë prindërit, por edhe mësimdhënësit ?
Epirot Ferati: Përshëndetje! Ju falemnderit për kohën që keni nda me e zhvillu këtë bashkëbisedim, shpresoj që të jet e frytshme për lexuesit.
Çdo kohë, e cila imponon kufizim të lirisë së lëvizjes, paraqet shqetësim psiko–fizik te çdo individ, qoftë fëmijë apo i rritur. Liria e lëvizjes është e lidhur ngusht me ndjenjën e pavaresisë, që do të thotë nëse një individi i kushtëzohet liria e lëvizjes, një ngjarje e tillë si përjetim do t’i ngjallë shumë konflikte të brendshme.
Prindërit duhet të kenë kujdes të shtuar për gjendjen emocionale të fëmijeve të tyre. Kjo gjë pa dyshim që nuk është e lehtë me u arrit aq sa është e lehtë me u thanë. Për arsye që gjendja emocionale e fëmijëve varet edhe nga disponimi i prindërve të tyre, çdo shqetësim apo emocion të pashprehur që prindërit e fshehin nga fëmijët dhe mundohen mos ta shprehin, këtë gjë fëmijët e marrin nëpërmjet shqisave dhe nuk dinë se si t’i perceptojnë. Prindërit duhet që të bashkëbisedojnë me fëmijët e tyre për çdo gjë që fëmijët kanë të paqartë dhe janë hezitues. Fëmijëve duhet t’i shpjegohet aspekti morfologjik i fjalorit të përditshmëris, i cili ndryshon dukshëm në një kohë pandemie si kjo e jona. Fëmijët janë të ekspozuar ndaj termeve që më herët ose nuk i kanë dëgjuar ose nuk i kuptojnë. Siç është fjala “pandemic”,” karantinë”, “izolim”, “distancë sociale” etj. Të gjitha këto paqartësi tek fëmijët mund të shkaktojnë turbulencë emocionale, të cilat mund të reflektojnë në stagnim në aktivitetin e përditshëm shkollor, apo ngecje në nxënien e mësimeve, mbyllje dhe mossocializim, agresivitet, dhunë etj.
Prindërit dhe mësimdhënësit duhet të kenë kujdes tek fëmijët përpos pastërtisë fizike në ambiente shoqërore dhe institucione, njiashtu edhe paqtësinë psiko-emocionale të fëmijëve që frekuentojnë aty.
Kids of Kosova: Kur duhet prindërit t’i dërgojnë fëmijët te psikologu?
Epirot Ferati: Se kur duhet prindërit t’i dergojnë fëmijët te psikologu nuk ka ndonjë udhëzim strikt, njiashtu as nuk është në dorë të prindërve që të vendosin se kur fëmijët duhet të këshillohen tek psikologu.
Fëmijët duhet të shoqërohen tek psikologu në momentet e para që prindi nuk e kupton fëmijën e vet, apo kur prindi ka paqartësi në shprehjet emocionale të fëmijës, paqartësi tek sjelljet e fëmijës, apo për çfardo hutie që përjeton në lidhje me shëndetin psiko-fiziologjik të fëmijës.
Dërgimi i fëmijës tek psikologu është vet ndihma që prindi mund t’ia ofroj fëmijës së tij, dhe njëra prej mënyrave më të mira që t’i tregoj se ai (prindi) kujdeset për fëmijën.
Kids of Kosova: Si ndikojnë video-lojërat në zhvillimin psikosocial tek fëmijët?
Epirot Ferati: Lojërat me të cilat fëmijët zbaviten në përditshmërinë e tyre mund të kenë efekt edhe pozitiv edhe negativ. E gjithë kjo varet se si fëmija e shfrytëzon lojën dhe me çfarë loje luan. Fëmijët të cilët kalojnë kohë më shumë se dy orë në ditë para ekranit paraqet shqetësim për arsye që kjo është shenjë edhe e varësisë. Në momentin që fëmija bëhet i varur nga videoloja, që pothuajse secila prej lojërave ka disa karaktere nëpërmjet të cileve zhvillohen ngjarjet, ata (fëmijët) ka gjasa të shumta që të identifikohen me njërin prej karaktereve apo me disa prej tyre dhe të identifikohen me tiparet që shfaqin ato karaktere. Kjo paraqet një shqetësim të madh për arsye që fëmijët në të shumtën e kohës projektojnë atë që ruajnë nëpërmjet memories vizuale, dhe kur karakteret e lojës kanë tipare negative siç janë sjelljet destruktive sociale, agresioni, mungesa e vetkontrollit, mungesë tolerance etj., të njëjtat karaktere do t’i manifestojë edhe fëmija në shtëpi, në shkollë apo në çdo ambient tjetër që gjindet.
Kids of Kosova: Ç’komunikim duhet të kenë prindërit me fëmijët e tyre?
Epirot Ferati: Lloji i komunikimit prind – fëmijë është i rëndësisë jetike për shoqërin. Si diçka e një rëndësie të veçantë kërkon edhe trajtim të kujdesshëm. Kjo është lidhja më e bukur në botë, lidhja më e veçantë të cilën ne e përjetojmë, në këtë lidhje asnjëherë nuk dihet se kush kë po e mëson.
Udhëzim prej njohësve të fushës është që një lidhje e suksesshme prind – fëmijë zhvillohet atëherë kur prindërit ndajnë raport të hapur karshi fëmijës, kur prindërit shfaqin interes për botën e fëmijës, njiashtu kur ata në mënyrë reciproke ndajnë lavdërimet dhe kritikat.
Kids of Kosova: Çfarë ndikon në socializimin e fëmijëve?
Epirot Frati: Çfarë ndikon në socializimin e fëmijëve është një pyetje interesante dhe që të detyron të mendosh. Në rradhë të pare, në socializimin e fëmijëve ndikon personaliteti dhe karakteristikat që fëmijët i zhvillojnë gjatë procesit të rritjes. Ashtu si gjithsecili prej tyre ka personalitet unik, njiashtu edhe forma se si shoqërohen dhe si duan të shoqërohen është e veçantë. Në këtë aspekt ndikon edhe mënyra me të cilën prindërit i pranojnë fëmijët e tyre në rrethin familjar.
Padyshim që gjithashtu një ambient në të cilin fëmija nuk ndjehet i harruar e as i lënë mënjanë, gjithashtu një ambient në të cilin fëmija nuk ndjehet se të tjerët fshehin dhe mbajnë sekrete, ndikojnë që fëmija të ketë jetë sociale të shëndoshë. Kështututje, që fëmija të ketë jetë sociale të shëndoshë duhet të ketë jetë familjare, sepse në mungesë të dinamikave familjare të cilat e plotësojnë fëmijën, ato ndjenja të ndrydhura do t’i shfaqin në ambiente shoqërore në një mënyrë të vrazhdë. Kësisoji, ofrimi i ndjenjës së përkatësisë, pra që fëmija të ndjejë se i përket atij gjiri apo atij vendi shoqërorë, janë përbërës kyç që ndikojnë tek fëmija dhe e drejtojnë për një jetë shoqërore të shëndoshë dhe anasjelltas. (Kids of Kosova)