Ditët e fundit shumica e mediave në Kosovë raportuan se si drejtoresha e një shkolle në Prizren ju ndalë pagat mësimdhënësve që kanë mungesa të shumta.
Fjala është për drejtoreshën e shkollës së Mesme “Ymer Prizreni”, në Prizren, Myvedete Gavazaj. Media online “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) pjesë e së cilës është edhe “Albanian Education Today” ka realizuar një intervistë me drejtoreshën Gavazaj, e cila tregon në detaje se nga kur merr një vendim të tillë dhe si e presin mësimdhënësit ndalesën që ju bëhet në paga.
Drejtoresha Gavazaj ka treguar edhe sa nxënës i ka shkolla që udhëheq, çfarë profile ka, sa është e vështirë që një grua të udhëheq një shkollë të mesme, poashtu flet për paralajmërimin për grevë në arsim nga fundi i shkurtit…
Lexoni intervistën e plotë me drejtoreshën e shkollës së mesme profesionale “Ymer Prizreni” në Prizren, Myvedete Gavazaj”:
Jeni drejtoreshë e shkollës së mesme profesionale “Ymer Prizreni” në Prizren. Sa nxënës ka shkolla juaj? Cilat janë profilet?
– Jam drejtoreshë e SHMLP ”Ymer Prizreni “ në Prizren. Shkolla “Ymer Prizreni”, në qendër ka 616 nxënës, ndërsa në paralelet e ndara në Gjonaj, Romajë dhe në Reqan ka 103 nxënës. Pra, gjithsej janë 719 nxënës. Në shkollën tonë mësimi zhvillohet në tri gjuhë, shqipe, boshnjake dhe turke.
Në shkollën e mesme profesionale janë këto drejtime dhe profile:
Ekonomi: – Kontabilitet me tatime, Banka dhe financa, Tregti me pakicë dhe shumicë, Shpedicion dhe logjistikë, Administrim biznesi, Asistent financiar dhe Marketing dhe shitje;
Juridik: – Asistent i administratës, Asistent juridik, Asistent dhe shërbime të zyrës;
Hoteleri: – Asistent i hotelerisë, Asistent restoranti, Asistent i mikpritjes hoteliere, Asistent i turizmit dhe i udhëtimeve;
Teknologji ushqimore: – Teknologji ushqimore;
Agrobiznes: – Agrobiznes.
Sa është e vështirë që një grua të drejtojë një shkollë të mesme?
– Së pari ju falënderoj për pyetjen dhe për interesimin lidhur sfidat me të cilat përballet arsimi në Prizren, konkretisht në shkollën në të cilën punoj dhe e menaxhoj unë.
Detyrën për ta udhëhequr këtë shkollë e kam marrë në qershor të vitit 2014.
Kam mbi 16 vjet në arsim dhe mbi 6 vjet në drejtimin e shkollës. Problematikat e shkollës i kam njohur drejtpërdrejt si në shkollën kur kishte rreth 2500 nxënës, ashtu edhe me numrin më të vogël me rreth 800 nxënës.
Të drejtosh një institucion, i cili ka në varësi një numër relativisht të madh nxënësesh, staf pedagogjik, nxënësish të përgatitjeve të ndryshme arsimore që nga klasat e 10-ta e deri te klasat e 12-ta ,maturantët, është e pamundur të mos përballesh me çështje të cilat edhe mund të jenë të mundimshme. Por përvoja e gjatë, edhe si mësimdhënëse, edhe në krye të kësaj detyre, më ka lehtësuar për t’iu qasur dhe për të zgjidhur çdo çështje që ka të bëjë me kompetencat si drejtuese e shkollës.
Në fillim të këtij misioni drejtues, më është dashur të kuptoj thellësisht problematikat, dhe më pas, në bashkëpunim me kolegët të bëjmë përpjekje maksimale për t’i vënë ato në rrugën e zgjidhjes bazuar në zbatimin korrekt të legjislacionit. Nuk është e lehtë të drejtosh këtë institucion, por duke bashkëpunuar me stafin profesional dhe me mësimdhënësit jem munduar të realizojmë ato çfarë na obligon plani mësimor dhe programi i punës.
Duke u bazuar në udhëzimet administrative, në rregulloret e arsimit dhe në Ligjin Parauniversitar që kanë të bëjnë me çështjen e arsimit në përgjithësi, falë komunikimit, bashkëpunimit dhe korrektësisë në raport edhe me komunitetin, po përpiqemi të sfidojmë çdo çështje që ka të bëjë më procesin mësimor.
Përtej gjithë sfidave e vështirësive jemi dëshmitarë edhe për pengesat që ka mundur të sjellë edhe pandemia e shkaktuar nga Covid 19, megjithatë edhe kësaj pengese i kemi përballuar, duke zbatuar qëndrimet dhe rekomandimet nga organet kompetente.
Me përpjekjet e mia, të Këshillit Drejtues, të stafit mësimdhënës, me bashkëpunimin tonë të ngushtë edhe me komunitetin, natyrisht edhe me përkrahjen e Drejtorisë së Arsimit, me vizionin për një të ardhme më të ndritur për një sukses më të mirë, kemi arritur të kemi një cilësi dhe performancë në procesin e mësimdhënies, duke sjellë disiplinë në punë, aftësimin e nxënësve për të punuar në grup dhe në mënyrë të pavarur, vëzhgim sistematik të njohurive të nxënësve, bashkëpunim të ngushtë në kolektiv dhe zhvillim profesional të tyre, komunikimi etik, rritja e cilësisë së higjienës në shkollë, bashkëpunim me prindër, e shumë të tjera.
Në media është raportuar se ju keni paralajmëruar mësimdhënësit që mungojnë se do t’i ndalni pagën? Sa është e vërtetë kjo?
– Kjo është e vërtetë. Kështu kemi vepruar njëjtë edhe vitet paraprake. Këtë e bëjmë për shkak të ruajtjes së disiplinës në punë, duke qenë transparentë, pavarësisht se mungesat mund të jenë të arsyeshme apo jo. Kjo nuk nënkupton ndëshkimin e mësimdhënësve, sepse orët e tyre edhe mund të zëvendësohen me ndonjë mësimdhënës adekuat për lëndët përkatëse. Arsyetimi i mungesave bëhet, qoftë përmes vërtetimit për pushimet mjekësore, qoftë përmes lejeve të kërkuara paraprakisht, për ditë të caktuar apo, eventualisht edhe për ndonjë orë mësimore.
Nëse po, si e kanë pritur mësimdhënësit paralajmërimin tuaj? A keni biseduar me mësuesit që kanë shumë mungesa, çfarë arsyetime kanë dhënë?
– Për mësimdhënësit nuk ishte diçka e papritur, sepse në vazhdimësi kemi publikuar dhe publikojmë shkresa në interes të procesit mësimor. Megjithatë, mësimdhënësit, si edhe më parë, ata që kanë pasur ndonjë mungesë i kanë sjellë si: – vërtetimin e mjekut, ndonjë rast vdekje, lindja e fëmijëve dhe rastet e tjera të përcaktuara sipas Kontratës Kolektive, me Aktin e Brendshëm dhe sipas Kontratës së Punës.
SBASHK-u po paralajmëron grevë në fund të muajit shkurt, nëse nuk miratohet ligji i pagave, si e keni parë këtë?
Ne jemi zbatues të qëndrimeve dhe rekomandimeve të cilat na vijnë nga Drejtoria e Arsimit, nga Ministria e Arsimit dhe nga organet relevante që kanë të bëjnë me çështjet e arsimit. Mirëpo, duke e ditur se ka disa mangësi ligjore që kanë të bëjnë me çështjen e arsimit, ne do të përkrahim çdo nismë që është në të mirë të procesit mësimor.
Për fund, si është gjendja e arsimit në Kosovë?
– Gjithmonë ka mundësi të jetë më mirë, dhe mendojmë se, reformat nuk duhet të kenë të ndalur. Të kemi qasje më me përgjegjësi, të marrim përvoja nga shoqëritë që arsimin e kanë më të avancuar, dhe bashkë me kohën, të ecim me rezultate përkrah shteteve më të zhvilluara demokratike. /Kids of Kosova/