E enjte, 21 Nëntor, 2024

Flet Meritë Gashi, mësuesja që u zgjodh më e mira në Kosovë: Si u ndjeva kur e mora çmimin dhe mesazhi im për kolegët mësimdhënës

- Advertisement1-

Mësuesja e shkollës fillore “Liria” në Fortesa e Rahovecit, Merita Gashi është zgjedhur mësuesja më e mirë në nivel të Kosovës dhe ka fituar çmimin “Shaban Jashari”, që ndahet çdo 7 mars, duke iu dedikuar festës kombëtare të mësuesit.

Media online “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) ka realizuar një intervistë me mësuesen Merita, e cila tregon si e ka pritur marrjen e këtij çmimi, ç’mesazh jep për kolegët mësimdhënës që synojnë në të ardhmen këtë çmim.

- Advertisement -

Ajo flet edhe për gjendjen e arsimit në komunën nga vjen, për temën e shumëpërfolur për (mos) rrtjen e pagave për mësimdhënësit dhe grevën e paralajmëruar nga SBASHK-u pas 2 prillit.

Lexoni të plotë intervistën nga mësuesja më e mirë në nivel të Kosovës, Meritë Gashi dhënë për “Kids of Kosova & Albanian Kids Education“.

Së pari një prezantim juaji, shkolla ku punoni, përvoja e punës?

Përshëndetje! Unë quhem Merita Gashi, jam nga fshati Fortesë (Bellacërkë), komuna Rahovec. Jam mësimdhënëse e lëndës Gjuhë shqipe në SHFMU “Liria” në Fortesë (Bellacërkë), pra në vendlindje, gjë që më gëzon ky fakt, pasi që kontributin tim e jap në vendlindjen time dhe njëkohësisht më motivon një gjë e  tillë. Puna ime në arsim ka filluar në vitin 2007, së pari si mësimdhënëse e lëndës Edukatë muzikore, ngaqë e kam të kryer shkollën e mesme profesionale të muzikës në Prizren, më pas edhe si mësimdhënëse e lëndës Gjuhë shqipe. Në kohën kur fillova të punoja, njëkohësisht edhe studioja. Pas diplomimit në Fakultetin e Edukimit në Prizren, fillova të jap edhe Gjuhë shqipe. Në vitin 2011, u emërova drejtoreshë e shkollës në shkollën e cekur më lart. Mandatin  katërvjeçar të drejtoreshës së shkollës e përfundova në vitin 2015. Që nga ky vit, jam mësimdhënëse e lëndës Gjuhë shqipe. Në vitin 2019  përfundova studimet  master, drejtimi Mësimdhënie e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Universitetin “Hasan Prishtina” – Fakulteti i Edukimit në Prishtinë, ndërkohë edhe jepja mësim në shkollën ku punoj tash. Pra, përvoja ime në arsim është 14 vjet e 3 muaj, gjegjësisht ky është viti shkollor i pesëmbëdhjetë.

Jeni zgjedhur mësuesja më e mirë në nivel të Kosovës. E keni pritur një çmim të tillë dhe si u ndjetë  kur e pranuat çmimin?

Sinqerisht nuk e kam pritur një çmim të tillë, dhe jo vetëm tash, por asnjëherë. A e dini pse? Sepse kurrë nuk kam punuar për çmime, ngaqë çmimi më i çmuar për mua, janë rezultatet e nxënësve dhe dashuria e tyre ndaj meje dhe ndaj lëndës që e ligjëroj. Në çastin kur është përmendur emri im si mësimdhënëse e dalluar dhe marrjes së çmimit të madh “Shaban Jashari”, vërtet kam pasur emocione të papërshkruara. Imazhi i parë që më është parafytyruar, ka  qenë fytyra e babait tim të ndjerë dhe një gjë e tillë mua më  ka  bërë të ndihem krenare, edhe pse kisha  ndjenja të përziera (gëzim, dhimbje, mall, që shpërthyen në lot). Thjesht, nuk kam fjalë t’i përshkruaj këto ndjenja. Gjithashtu, vlen të ceket që, emocionet kanë qenë edhe  më të veçanta, ngaqë vet ky çmim ka vlerë dhe peshë të madhe për mua, sepse ngërthen ngjarjen e  lavdishme të Shaban Jasharit dhe komplet familjes së tij, pa të cilët ne sot nuk do ta gëzonim lirinë. Përulem para veprës së familjes Jashari! Ndihem e vogël krahas këtij çmimi! Jam shumë krenare për çmimin e fituar dhe këtë çmim ia dedikoj babait tim!

- Advertisement -rrrrrrr

Çdo të thotë për ju ky çmim? Është motivim shtesë për ju?

Ky çmim për mua është gjëja më e vlefshme. Sigurisht që është motiv shtesë, madje motiv përtej motivi. Motivi im i parë ka qenë babai im (edhe ai ka qenë mësimdhënës i lëndës Gjuhë shqipe). Qysh nga dita ime e parë si mësimdhënëse Atë e kam pasur motiv dhe do të vazhdoj ta kem. Motivi i dytë janë nxënësit, pa të cilët nuk do të isha këtu ku jam sot. Tash e tutje, motivi im i tretë, është çmimi i fituar, të cilin do ta mbaj me nder dhe me krenarinë më të madhe.

Çfarë ju thoni kolegëve/eve tuaja që vitet tjera synojnë të marrin titullin e mësuesit/es më të mirë?

Jo vetëm tash, por çdoherë jam munduar të jem bashkëpunuese me kolegët e mi, sidomos ata më të rinj se unë, duke i motivuar që të punojnë, sepse mundi i një mësuesi nuk humbet kurrë, herëdokurdo shpërblehet. Andaj, edhe sot unë mundohem t’i motivoj që të punojnë me nder dhe me përkushtim, dhe që duhet ta kenë së paku një motiv.

Si është gjendja e arsimit në komunën tuaj? Sa jeni të kënaqur me nivelin e nxënësve?

Gjendja e arsimit në Kosovë tashmë dihet, edhe në komunën time ka vështirësi nga më të ndryshmet. Vështirësitë më të mëdha janë ato të mungesës së infrastrukturës, mjeteve të konkretizimit e librave të stërngarkuar. Megjithatë, ne si mësimdhënës, duhet të jemi kreativë me ato mjete që i kemi dhe duhet të japim më të mirën e mundshme nga vetja. E mira nuk ka fund, ndaj them që cilësia në arsim nuk është ashtu siç po paragjykohet, por ka rënie të cilësisë në arsim, edhe  pse pa fajin tonë. Zhvillimi i teknologjisë me shpejtësinë e dritës, ka ndikuar në rënien e cilësisë në arsim. Nuk mund të them që nuk jam e kënaqur me nivelin e nxënësve, sepse vërtet kemi nxënës talentë, të zgjuar dhe të përkushtuar. Mendoj që sa më shumë që përkushtohemi, aq më shumë do të arrijmë suksese.

A e ka vendin e merituar në shoqëri sot mësuesi në Kosovë?

“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë.” Kjo thënie tregon shumë dhe vërtet e kam si qëllim kur e filloj ditën. Thënë të drejtën, është e vërtetë që mësuesi nuk zë vend të merituar  në shoqërinë tonë. Paragjykimet, janë të bujshme në vendin tonë, fatkeqësisht nga njerëz të shkolluar (nëse meritojnë të quhen kështu), të cilët kanë dalë nga duart e mësuesve. Pa mësues, nuk do të kishte as mjekë, as politikanë, as analistë, as ekonomistë, as gjykatës, as kushdo që ka një profesion. Ne jemi shtylla më me vlerë dhe më e shenjtë e një kombi.

Çka do të ndryshoje po të ishe në pozitën e ministres së Arsimit?

Të flasësh prej një pozite tjetër për një pozitë tjetër, sinqerisht është shumë e lehtë, ngaqë gjërat na duken shumë të lehta nga këndvështrimi ynë. Mrekulli nuk do të mund të bëja dhe nuk do të thoja që do të bëja, por do të mundohesha t’i depolitizoja shkollat dhe arsimin në përgjithësi, sepse ky sektor, nuk është politikë, por është edukim dhe arsimim i brezave të rinj, të shoqërisë sonë. Do të mundohesha që të ofroja kushte sa më të mira për të gjithë ata që janë  pjesë e arsimit. Gjithashtu, do të mundohesha që ta ngrija në vendin e duhur epitetin mësues, në shkallën më të dinjitetshme, ashtu siç e meritojmë. Përkrahja e mësuesve dhe bashkëpunimi, do të ishin pjesë e qëllimeve të mia. Pra,  të gjitha këto, besoj që do të ndikonin në rritjen e cilësisë në arsim.

Një pyetje që shpesh shtrohet është rritja e pagave në arsim. A paguhen mjaftueshëm sipas jush mësimdhënësit në vendin tonë?

Duke pasur parasysh gjendjen aktuale, pastaj  pandemia, e cila që dy  vite na ka dëmtuar në çdo aspekt, vërtet edhe pagesa e mësuesit nuk është e kënaqshme, por prapëseprapë unë jam e kënaqur me këtë  pagesë. Mendoj që duhet shikuar gjëra më të rëndësishme, të cilat e ngrisin dinjitetin dhe vlerën e mësuesit, si p.sh. zbatimi i kontratës kolektive, e cila përmban mjaft gjëra të rëndësishme, që do ta ngriste edhe pagën mujore të një mësuesi, atëherë edhe cilësia e arsimit do të rritej.

Për fund, SBASHK po paralajmëron grevë pas 2 prillit. Ç’mendim keni ju, duhet të ketë grevë apo jo?

SBASHK është një organ mjaft i rëndësishëm në sektorin e arsimit, organ ky që u qëndron afër mësuesve dhe lufton për të drejtat e tyre. E kanë me të drejtë që kërkojnë të drejtat e mësimdhënësve, të drejta që i ka përcaktuar ligji, jo ne si mësimdhënës, apo si SBASHK. Megjithatë, mendoj që jemi në një kohë pa kohë për ta filluar grevën, duke  pasur parasysh që e kemi humbur mjaft procesin mësimor. Do të ishte më mirë që të gjendej një mirëkuptim mes Qeverisë apo MASHTI-t dhe SBASHKU-t që të mos arrinte situata deri këtu, se tekefundit fëmijët tanë, e ardhmja jonë, janë ata që bien viktimë, ndërsa faji gjuhet si topi herë andej e herë këndej, duke mbetur jetim tash e sa vite.

Ju falenderoj shumë për ftesën që ma keni bërë dhe për mundësinë që të shpreh falenderime për të gjithë ata që më përkrahën dhe më vlerësuan, që ta marr këtë çmim kaq madhështor, çmim ky që meriton ta marrë çdo mësimdhënës, sepse vërtet në Kosovë ka mësimdhënës shembullorë! Fillimisht falenderoj familjen time, për përkrahjen e vazhdueshme ndër vite! Falenderoj drejtorin e shkollës ku unë punoj për përkrahjen dhe vlerësimin e drejtë ndaj meje! Falenderoj kolegët e mi që më vlerësuan! Falenderime shpreh edhe për Drejtorinë Komunale të Arsimit në Rahovec, që më vlerësuan dhe nuk m’i mohuan vlerat, meritat e mia dhe respektuan 10 kriteret e MASHTI-t! Gjithashtu falenderime pafund shpreh edhe për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, veçanërisht Komisionin e kësaj ministrie për zbatimin e kritereve dhe vlerësimin e dosjes sime! Dhe krejt në fund, “qershia mbi tortë”, falenderoj nga zemra motivin tim, nxënësit e  mi, pa të cilët nuk do ta merrja kurrë epitetin më të çmuar mësuese!

Ishte kënaqësi të intervistohesha nga Ju!

Ju faleminderit!

Gjithë të mirat!

(Kids of Kosova – Albanian Kids Education)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

SBASHK me njoftim të rëndësishëm për mësimdhënësit

SBASHK ka publikuar emrat e pjesëmarrësve nga Komuna e Mitrovicë për trajnimin "Aplikimi i...

Marshimi për vrasjen e 14-vjeçarit, shoqja e klasës së Martinit: Kemi humbur shokun e zemrës

Sot u marshua për 14-vjeçarin, Martin Canin, i cili u vra me thikë të...

Për Festën e Flamurit, më 28 nëntor do të jetë pushim

Ministria e Punëve të Brendshme njofton nëpunësit e Administratës Publike se më 28 nëntor...

Mesazhi prekës i nënës së nxënësit 14-vjeçar që u vra: Martini ishte i mbushur me ëndrra e jetë, ia morën të dyja…

Këtë të enjte, qytetarë të shumtë kanë dalë në protestë, për vrasjen e 14-vjeçarit...