Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pasi që sot nuk ka filluar procesi mësimor.
“Sot në vend të urimit, duhet të dërgojmë mesazh reflektimi, shkaku i grevës dhe mosfillimit të procesit mësimor, duke ftuar palët e përfshira në këtë çështje që bojkotin e procesit mësimor ta zëvendësojnë me dialog”, ka shkruar ajo në Facebook.
Më tej, e para e shtetit, ka thënë se sindikatat duhet të jenë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor.
“Fillimi i procesit mësimor për nxënësit tanë duhet të jetë i pakushtëzuar. Secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë së sistemit arsimor”, ka thënë Osmani.
Ajo më tej, ka bërë të ditur se zyra e saj ka kontaktuar të gjitha palët për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, që ka në fokus interesin e nxënësve dhe gjithë sistemit arsimor.
“Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t`ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t`ia zë vendin dialogu!“, ka shkruar Osmani.