Intervistoi: Donat Maloku
Betejat më të vështira në jetë ndonjëherë kthehen në fitore. Kështu ka ndodhur edhe me Fitore Zenelaj, 30-vjeçaren nga Prizreni, e cila është një prej grave që u prek me sëmundjen e kanceri, por fatmirësisht e mposhti atë, dhe sot zhvillon jetë krejt normale.
Znj. Fitore në një intervistë për “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) ka treguar se kur e kuptoi qe u prek nga kjo sëmundje, si e luftoi atë dhe ka një mesazh për të gjitha vajzat dhe gratë në këtë muaj të ndërgejgjësimit kundër kancerit të gjirit.
Kids of Kosova: Së pari a bën një prezantim, të flisni për vetën, familjen?
Fitore Zenelaj: Unë jam e martuar dhe kam 3 vajza, Deboren 9 vjeçare, Ardoren 7 vjeçare dhe Arjen 5 vjeçare. Jetoj në Prizren.
Kam të regjistruar Fakultetin e Infermierisë në Kolegjin AAB. Jam moderatore në grupin vullnetar “Familja dhe Shëndeti”.
Kids of Kosova: Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për luftimin e kancerit. Ju jeni shembull si e keni mposhtur këtë sëmundje. A mund tës na tregoni kur e kuptuat që keni këtë sëmundje dhe si reaguat?
Fitore Zenelaj: Sëmunjen e kuptova kur me doli gjandra.Intuita më thoshte që është diçka jo e mirë, ndërsa mjekët nuk dyshuan për shkak të moshës dhe historisë familjare. Pas 5 muajve në kontrollën e dytë më thanë të bëjë biopsinë e cila rezultoi të jetë karcinoma duktale.
Reagimi im ishte krejt normal, e dija që do t’ia dalë, kisha besim në vetvete dhe nuk u frikësova për asnjë çast.
Kids of Kosova: Si e fituat betejën ndaj kësaj sëmundje?
Fitore Zenelaj: Me vullnetin e madh për të jetuar, me përkrahjen e familjes, dhe me dashurinë që më dhanë vajzat çdo ditë. Jeta është shumë e bukur për të rënë pre e sëmundjes. Ne duhet ta kemi sëmundjen në dorë dhe ta menaxhojmë dhe jo ajo neve.
Kids of Kosova: Cili është apeli juaj për të gjitha gratë që janë të prekura nga kanceri, por edhe te gratë tjera?
Fitore Zenelaj: Apeli im kryesor është të kujdesemi për vetën, sepse sidomos gratë shqiptare ndikohen shumë nga të tjerët dhe mundohen që për shkak të kushteve e rrethanave të mënyrës së jetesës të kujdesen për të tjerët dhe nuk iu kushtojnë vetvetës kohë. Unë tani zgjohem në mëngjes, ha mëngjes, dal eci pastaj filloj ditën me gjëra të tjera. Mos u stresoni, rritni durimin dhe rrini sa më larg njerëzve që ju nxisin nervozizëm.
Kids of Kosova: Për fund, sa po ndihmojnë institucionet e vendit gratë e prekura me këtë sëmundje? A mund të bëjnë më shumë?
Fitore Zenelaj: Sa i përket institucioneve, unë personalisht nuk kam vërejtje, që nga fillimi deri më tani kam kaluar shumë mirë. Po mund të bëjnë më shumë sigurisht, duhet marrë masa për ndërgjegjësimin e grave. Ne e dimë që zbulimi i hershëm shpëton jetë. Ne pasi nuk kemi sigurim mjekësor dhe ne nuk shkojmë tek mjeku asnjëherë pa pasur dhimbje. (Kids of Kosova)