Çështja e vaksinimit të fëmijëve me vaksinën anti-COVID është një nga temat që diskutohet jo pak.
Dr. Valbona Stavileci, specialiste e Pediatrisë-Nefrologjisë në një intervistë dhënë për median për fëmijë dhe nëna “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) thotë se prindërit duhet të japin miratimin për vaksinimin e fëmijeve të tyre. Mirëpo institucionet shëndetësore mbajnë përgjegjësi që prindërve t’iu japin informatat e bazuara shkencore, mbi dobitë dhe rreziqet.
Dr. Stavileci tregon se cilat janë dobitë e vaksinimit të fëmijëve, si duhet të mbrohen fëmijët me rrezikshmëri të lartë shëndetësore nga COVID 19? Ajo poashtu tregon kur duhet prindërit domosdoshmërisht të dërgojnë fëmijën tek mjeku, dhe jep një mesazh për nënat që lindin për herë të parë.
Lexoni intervistën e plotë me Dr. Valbona Stavileci dhënë për Kids of Kosova:
Pandemia ka kapluar vendin tonë si edhe krejt botën. Një prej temave që shtrohet është nëse duhet të vaksinohen dhe fëmijët me vaksinën anti-COVID. Cili është mendimi i juaj?
Me lejimin e përdorimit të vaksinës kundër COVID-19 te femijët e moshave nga 12 vjeç që nga muaji Maj 2021 dhe prej 5 vjeç nga data 28 Teor 2021, ne po i afrohemi normalitetit të jetesës para pandemisë. Mendoj që duhet të respektohen vendimet e institucioneve respektive botërore të shendetit. Gjithashtu, vendimet e Institucioneve Shëndetësore Qeveritare tona.
A duhet të jenë prindërit ata në fund që vendosin nëse fëmija i tyre duhet të vaksinohet apo jo?
Prindërit duhet të japin miratimin për vaksinimin e fëmijeve të tyre. Mirëpo institucionet shëndetësore mbajnë përgjegjësi që prindërve t’iu japin informatat e bazuara shkencore, mbi dobitë dhe rreziqet. Përveq fëmijët 16 vjeç që janë kompetent mund të marrin vendim për vete.
Cilat janë dobitë e vaksinimit?
Dobitë e vaksinimit të fëmijëve kundër COVID-19 janë se:
• do të mbrohen nga infektimi me COVID-19, por sidomos që të mos sëmuhen rëndë dhe t’iu rrezikohet jeta.
• me vaksinim përfitojnë të gjithë fëmijët dhe familjarët e tyre,
• nuk do të kenë ankth të sëmundjes,
• i mundësojnë vetes të bëjnë të gjitha gjërat që duan me njerëzit që dojnë: të shkojnë në shkollë, t’i vazhdojnë aktivitetet sportive, t’i takojnë miqtë e tyre.
Si duhet të mbrohen fëmijët me rrezikshmëri të lartë shëndetësore nga COVID 19?
Fëmijët me rrezikshmëri të lartë, në rast të infektimit me COVID-19 mund të zhvillojnë komplikime, prandaj duhet të vaksinohen; Rekomandohet të plotësohet koha e duhur për vaksinim të sigurt sikur: 90 ditë apo më shumë pas kalimit të sëmundjes COVID-19 apo MIS-c. Për personat që kanë marrë terapi: At pasiv specifik apo produkte biologjike (antitruptha monoclonal aop plazmë kovaleshente) – vaksinimi shtyhet për 90 ditë; pas terapisë immunomodulatore të kalojnë 90 ditë. Personat që kanë marrë terapi me antitruptha jo specifik ndaj COVID-19 (psh. Imunoglobulina, RhoGAM), vaksinën mund ta marrim, pa ndonjë afat kohe.
Të kalojmë në një temë tjetër. Në kohë të gripeve, kur duhet prindërit domosdoshmërisht të dërgojnë fëmijën tek mjeku?
-Varësisht nga mosha që ka fëmija dhe shenjat e rrezikut që i ka fëmija. Te moshat <3 muaj çdo temperaturë e lartë është e rendësishme dhe mund të jetë e rrezikshme. Refuzimi i thithjes së gjirit, vjellja e vazhdueshme, kolle, nxirje rreth buzëve, tërheqje e hapsirave ndëmjet brinjëve. Foshnjet dhe fëmijët nëse plotësisht e refuzojnë ushqimin dhe pirjen, nëse janë janë të përgjumur. Për moshat më të mëdha nëse simptomet zgjasin më shumë se 7-10 ditë. Nëse simptomet janë të rënda dhe jo të zakonshme. Nëse pas një periudhe përmisimi, gjendja përkeqësohet me ethe, temperature të lartë, dhimbje të trupit. Dhe nëse kanë ndonjë sëmundje kronike e që mund të rrezikohet nga ftohjet.
Për fund, një mesazh për nënat që lindin fëmijë për herë të parë? Si duhet ta ushqejnë foshnjën?
Menjëherë pas lindjes foshnja vendoset afër nënës me kontakt direkt lekurë më lekurë dhe menjëherë vendoset në gji. Kjo bënë lidhjen emocionale të veçantë ndërmjet tyre që stimulon edhe prodhimin e qumshtit të gjirit të nënës. Gjidhënje ekskluzive në 6 muajt e parë të jetës është e rekomandueshme sipas OBSh-së. /Kidsofkosova.net/.