Intervistoi: Donat Maloku
Ndërsa kemi hyrë në vjeshtë dhe po shkojmë drejt dimrit, e moti bëhet më i ftohtë, gjendja e lëkurës sonë bëhet e irrituar dhe më e thatë.
Për të kuptuar se si duhet të mirëmbahet lëkura gjatë kësaj kohe, “Kids of Kosova” (www.kidsofkosova.net) ka realizuar një intervistë me dermatologen e njohur, Shkëndije Dobruna.
Ajo në këtë intervistë tregon se sa kujdeset kosovarët për lëkurën, ç’farë kujdesi duhet gjatë stinës së vjeshtës, ç’trajtime prefereohen gjatë kësaj periudhe, çfarë kremëra duhet të përdoren etj.
Kids of Kosova: Jeni dermatologe shumë e njohur. A kujdesen kosovarët për lëkurën apo e konsiderojnë ende si “lluks”?
Dr. Shkëndije Dobruna: Është interesant, kujdesi ndaj lëkurës nuk është në nivel të duhur, por është në rritje e sipër. Në anën tjetër, meqenëse ndryshimet në lëkurë janë të dukshme, shumë shpejt reagojnë edhe në ndryshimet më të vogla për të cilat shpesh planikojnë apo edhe kompleksohen.
Kids of Kosova: Cfarë kujdesi duhet të kemi ndaj lëkurës në stinën e vjeshtës dhe dimrit?
Dr. Shkëndije Dobruna: Në këtë periudhë nevojitet mirëmbajtja e përshtatshme sipas natyrës, tipit të lëkurës, profesionit, shprehive dhe problemit eventual.
Kids of Kosova: Cilat janë trajtimet që rekomandohen gjatë kësaj periudhe?
Dr. Shkëndije Dobruna: Meqenëse gjatë verës për shkak të ekspozimit në diell shpesh edhe pa mbrojtës, lëkura dëmtohet, trashet, humb lagështinë, preferohen trajtime që janë më agresive me qëllim ripërtrirjeje. Trajtimet në formë pilingu, trajtimet laserike, apo trajtimet e kombinuara të njohura për Dermatologun.
Kids of Kosova: Cilat janë kremrat(hidratues dhe jo vetëm) më të përshtatshëm që duhet të përdoren, për të mbrojtur lëkurën ndaj ditëve të ftohta?
Dr. Shkëndije Dobruna: Kremrat hidratues janë të nevojshëm për çdo lëkurë. Është mirë që një person të ketë të vlerësuar lëkurën nga Dermatologu, për të pas të qartë se çfarë lëkure ka, nëse ka ndonjë problem për të cilin duhet kujdes i posaqëm, apo thjesht të marrë informatë se si duhet të kujdeset për tipin e tij lëkurore.
Kids of Kosova: Jemi në muajin e ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit, por përveç tij edhe melanoma (kanceri i lëkurës) është i përhapur. Si dallohet që ka diçka qe nuk shkon me nishanët tanë?
Dr. Shkëndije Dobruna: Ndonjëherë ndryshimet e nishaneve vështirë vërehen fillimisht, ( 30 % të rasteve nga ta zhvillohet Melanoma Malinhe) ndonjëherë në lëkurën e shëndoshë mund të fillojë një ndryshim i ri, me karajter malinj, prandaj përcjellja e lëkurës, nishaneve apo ndryshimeve të reja, është e domosdoshme.
Kids of Kosova: Një problem që paraqitet tek jo pak persona janë edhe njollat kafe që krijohen sidomos në periudhën e verës. Çfarë rekomandohet për t’i hequr?
Dr. Shkëndije Dobruna: Njollat jane ndryshime lëkurore që janë të lidhura edhe me probleme të brendshme. Pranaj ndonjëherë ato duhet të trajtohen si nga brendësia ashtu dhe nga jashtë.
Kids of Kosova: Cilat janë kërkesat e të rinjve, përsa i përket estetikës së fytyrës dhe çfarë i sugjeroni ju më së shumti? Çfarë këshilla ju jepni për të pasur një lëkurë të shëndetshme?
Dr. Shkëndije Dobruna: Kryesisht kërkesat e të rinjëve janë të kenë lëkurën e pastër pa puqra (akne). Por jo të gjithë mund ta kenë, meqë është e lidhur me gjenetikën, moshën apo probleme të brendshme. Nëse një i ri, ka lëkurën pa probleme, i sygjerohet: pastrimi i rregullt, mirëmbajtja me kremëra adekuat, mbrojtja nga dielli, ushqimi i duhur dhe gjumi i mjaftueshëm. (Kidsofkosova.net)