Një arritje e jashtëzakonshme në fushën e shkencave mjekësore vjen për Dr. Fjolla Zhubi që ka mbrojtur me sukses temën e doktoraturës (PhD) në universitetin prestigjioz Semmelweis University në Budapest, duke shënuar një moment kulmor në karrierën e saj profesionale.
Mbrojtja publike e doktoraturës përbën një nga arritjet më të rëndësishme të saj, krahas specializimit në Mjekësi Interne dhe Kardiologji. Ky sukses është rezultat i një rrugëtimi disa-vjeçar, i cili nisi në vitin 2020 dhe u karakterizua nga përkushtimi i lartë, sfida të shumta dhe hulumtime shkencore të nivelit të avancuar.
Në këtë rrugë akademike, Dr. Zhubi thekson rolin kyç të mentorëve të saj, Attila Kovács dhe Alexandra Fábián, për mbështetjen profesionale, udhëzimin e vazhdueshëm dhe përkushtimin e tyre gjatë gjithë procesit kërkimor.



Ajo ka shprehur mirënjohje të veçantë edhe për Semmelweis University, duke e cilësuar si një institucion me standarde të larta akademike dhe mundësi të mëdha për zhvillim profesional.
Një falënderim i sinqertë nga ana e saj i është dedikuar edhe familjes, për mbështetjen dhe besimin e palëkundur përgjatë gjithë këtij rrugëtimi të suksesshëm.
Ndryshe, Dr. Fjolla Zhubi vjen nga një familje e njohur në Mitrovica, duke qenë vajza e mjekes Luljeta Zhubi dhe profesorit e trajnerit Nexhat Zhubi.