Fjolla Bërbatovci ka arritur një sukses të rëndësishëm në rrugëtimin e saj akademik dhe profesional, duke fituar titullin e doktoreshës më 3 korrik 2026. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo përmes një postimi emocionues në rrjetet sociale, ku ndau rrugëtimin e saj plot sfida, sakrifica dhe përkushtim, shkruan AlbanianEducation.net.
Në mesazhin e saj, Dr. Fjolla Bërbatovci shprehet mirënjohëse ndaj Zotit, familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e mbështetën gjatë viteve të studimeve, duke theksuar se ky sukses është rezultat i punës së palodhur dhe besimit të njerëzve më të afërt.
Ajo rrëfen se vendimi për t’u bërë mjeke lindi në vitin 2009, pas humbjes së babait nga një tumor në tru. Sipas saj, kjo ngjarje e dhimbshme u shndërrua në motivimin më të madh për t’iu përkushtuar mjekësisë dhe për t’u dhënë shpresë njerëzve në momentet më të vështira të jetës së tyre.

Postimi i saj:
Nga data 03/07/2026 mbaj me krenari titullin Dr. Fjolla Bërbatovci. 🤍
Në këtë moment kaq të rëndësishëm të jetës sime, ndjej se kam detyrimin dhe privilegjin të falënderoj të gjithë ata që më kanë qëndruar pranë në çdo hap të këtij rrugëtimi.
Falënderimi i parë i takon Zotit, i cili ma bëri të mundur ta realizoj ëndrrën e fëmijërisë. Faleminderit mamit, Besarbit, Doruntines, Drilones, familjes sime të gjerë, shoqërisë dhe secilit që ishte pjesë e këtyre viteve plot sakrifica, sfida dhe emocione.
Në vitin 2009 unë mingrra e humba babin nga një tumor në tru, që nga ai moment i thashë mamit: “Kur të rritem, dua të bëhem një nga ata njerëz që u japin shpresë dhe ndihmë të tjerëve në momentet e tyre më të vështira.” Mami ka qenë gjithmonë mbështetja ime më e madhe, krahu im i djathtë dhe personi që nuk dyshoi asnjëherë në aftësitë e mia. Me shumë guxim më nisi vetëm 16 vjeçe për studime jashtë vendit, duke besuar tek unë edhe kur rruga dukej e vështirë.
Sot, ndonëse mami përballet me sfida shëndetësore dhe kujtesa nuk është më si dikur, në sytë e saj shoh krenarinë dhe lumturinë më të madhe. Shikoj gëzimin e një nëne që sheh pëllumbeshen e saj më të vogël ta bëjë realitet ëndrrën që ajo personalisht e kishte si fëmijë.
Gjatë gjithë këtyre viteve, para çdo provimi, nuk u ndalen asnjëherë lutjet e familjes sime, axhës, grave te axhave, hallave, burrave të hallave dhe të gjithë njerëzve të mi të dashur. Dashuria, mbështetja dhe besimi juaj ma kanë lehtësuar çdo sfidë dhe çdo emocion.
Ju falënderoj nga zemra, sepse bëtë që në asnjë moment të mos e ndieja mungesën e përqafimit të babit dhe më dhatë forcën për të vazhduar përpara.
Sot mbyllet një kapitull i rëndësishëm i jetës sime, por jam e bindur se e ardhmja ruan sfida dhe suksese edhe më të mëdha.
Premtoj se do të jem një mjeke me ndërgjegje, përkushtim dhe dinjitet, ashtu siç jam edukuar që nga fëmijëria.
Faleminderit nga zemra të gjithëve!
E juaja, Dr. Fjolla Bërbatovci