Firdeus Kasaj, 19-vjeçari nga Tirana, ka shndërruar pasionin për teknologjinë në një histori frymëzimi. Që 13 vjeç, ai krijoi aplikacione për bankat shqiptare, ndërsa sot sfidon kufijtë me projekte ndërkombëtare. Me përkushtim, ai synon të frymëzojë të rinjtë dhe të ndërtojë të ardhmen teknologjike të vendit.
Firdeus Kasaj, një 19-vjeçar nga Tirana, është një emër i njohur në botën e teknologjisë dhe inovacionit. Me një pasion të pashuar për informatikën dhe një vizion për t’i dhënë Shqipërisë një vend në hartën globale të teknologjisë, ai ka arritur të krijojë aplikacione për kompani të mëdha dhe të sfidojë standardet ndërkombëtare – që në moshë fare të re. Dashuria e Firdeusit për teknologjinë nuk lindi rastësisht.
“Në moshën 7-vjeçare shikoja babain tim, një inxhinier informatike, duke rregulluar laptopë me kaçavida,” kujton ai.
Por, ndërsa babai rregullonte, Firdeusi eksperimentonte, shpesh duke thyer pjesët. “Ishte mënyra ime për të mësuar.”
Ky kuriozitet fëminor u kthye shumë shpejt në aftësi konkrete. Në moshën 13-vjeçare, Firdeusi punësohej për të krijuar aplikacione për sistemet bankare në Shqipëri – një arritje që për shumë të tjerë do dukej e pamundur.
“Kur fillova të punoja, kolegët e mi ishin mbi 30 vjeç dhe shpesh më shikonin me dyshim. Por kjo më motivoi edhe më shumë që të provoja vlerën time,” thotë ai.
Duke avancuar profesionalisht, Firdeusi nuk ndaloi së sfiduari veten. Ai krijoi aplikacionin BLIDE.APP, i cili u vlerësua për qëllimin e tij social: ndihma për personat me aftësi të veçanta. Me këtë projekt, ai fitoi vendin e parë fillimisht në një konkurs kombëtar dhe më pas triumfoi në një garë evropiane mes 15 shtetesh.
“Nuk ishte thjesht një fitore për mua, por një dëshmi që edhe një i ri nga Shqipëria mund të arrijë suksese në nivel ndërkombëtar,” thekson Firdeusi.
Firdeusi kishte mundësinë të studionte me një bursë të plotë në Universitetin e Vjenës, në degën e Inteligjencës Artificiale. Por ai zgjodhi të qëndrojë në vendlindje.
“Nëse të gjithë të rinjtë largohen, kush do të investojë në Shqipëri? Unë besoj se mund ta sjellim Evropën këtu,” thotë ai me bindje.
Programet e Firdeusit janë të shumta, por misioni i tij shkon përtej inovacionit teknologjik. Ai dëshiron të frymëzojë të rinjtë shqiptarë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të besojnë në potencialin e vendit. “Unë nuk do të ndalem. Dua të sfidoj kompanitë më të mëdha në botë dhe të krijoj një platformë për të rinjtë që ndajnë të njëjtën pasion si unë,” përfundon ai.
Firdeus Kasaj është një provë e gjallë që, me pasion dhe këmbëngulje, çdo ëndërr mund të bëhet realitet – dhe kjo, pa harruar rrënjët dhe vendin që na ka dhënë identitetin tonë.