“Pranimi i çdo gjëje, pa vlerësimin e saj, është shkaku më i madh i të gjitha gabimeve dhe fatkeqësive.”
Inteligjenca artificiale, lajmet e rreme dhe aftësia digjitale për të vlerësuar informacionin, si një reflektim rreth peshkimit nga informacioni i rremë për rezultatet e PISA, të publikuar nga një Portal.
Lidhja mes Inteligjencës Artificiale (IA), lajmeve të rreme, dhe aftësisë digjitale për të vlerësuar informacionin është një sfidë globale. IA ka revolucionarizuar mënyrën si krijohet, shpërndahet dhe konsumohet informacioni. Çdo individ ka mundësi të krijojë tekste, imazhe dhe video që ngjajnë reale, por në fakt janë të rreme. Kjo e bën sfiduese dallimin mes të vërtetës dhe mashtrimit.
Nga ana tjetër algoritmet e rrjeteve sociale, të drejtuara po nga IA, shpesh favorizojnë përmbajtjen që gjeneron më shumë angazhim (siç janë lajmet e bujshme ose emocionale, shpesh të rreme) mbi informacionin e saktë dhe të vërtetë.
Në këtë mjedis, aftësia digjitale nuk është më thjesht të dish si të përdorësh një kompjuter ose telefon të zgjuar. Ajo merr një rëndësi të madhe dhe shndërrohet në aftësinë kritike për të verifikuar se kush e ka shkruar, apo cili është burimi i informacionit?
Kërkon aftësi për të bërë vlerësimin e përmbajtjes nëse qëndron logjikisht, ka prova mbështetëse dhe një përpjekje për të kuptuar se cili është qëllimi i fshehur i këtij lajmi?
Shembulli, për gjoja rezultatet e PISA-s, ende të pashpallura, është një ilustrim i shkëlqyer i asaj që mund ta quajmë “peshkim nga informacioni” ose “kurth informacioni”. Një burim i pasaktë ose i rremë nxjerr “rezultate ekskluzive” të PISA-s para shpalljes zyrtare.
Ky lloj lajmi synon të shfrytëzojë pritshmërinë dhe interesin e lartë publik për një ngjarje të rëndësishme. Njerëzit, veçanërisht ata që janë të interesuar (prindër, mësues, politikëbërës), janë më të prirur të klikojnë dhe të besojnë.
Në këtë rast individi duhet të demonstrojë aftësinë për të njohur kontekstin (A ka një datë zyrtare shpalljeje?), për të verifikuar burimin (A është ky burimi zyrtar i PISA/OECD?), dhe për të rezistuar ndaj emocioneve të momentit për të besuar një titull të bujshëm.
Meqenëse jemi tek PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve) që synon të vlerësojë se sa mirë janë të përgatitur 15-vjeçarët për të përballuar sfidat e jetës reale, sistemi arsimor duhet të gjejë rrugë dhe metoda të edukojë brezin e ri dhe atë që tashmë e ka kaluar këtë moshë, për të siguruar që kjo aftësi specifike të formësohet tek çdo përdorues.
Është nevojë urgjente që sistemi arsimor të kalojë vërtetë nga “të mësuarit e fakteve” në “të mësuarit e vlerësimit të fakteve. Në epokën e IA-s dhe dezinformimit, rezistenca ndaj lajmeve të rreme nuk është më një luks, por një aftësi themelore e qytetarisë digjitale.
Ajo që po përpiqem të theksoj është se duhet të punojmë për të siguruar aftësi digjitale për të vlerësuar informacionin, si një aftësi thelbësore. Pikërisht kjo po bëhet një fushë e re vlerësimi për PISA-n. OECD ka njoftuar një vlerësim të ri për PISA 2029, të fokusuar në Media dhe Aftësinë e IA.
Ky vlerësim ka për qëllim të masë nëse studentët janë të përgatitur të angazhohen në mënyrë proaktive dhe kritike në një botë ku prodhimi, pjesëmarrja dhe rrjetet sociale ndërmjetësohen gjithnjë e më shumë nga mjetet digjitale dhe IA.
Aftësitë specifike të përmendura në kuadrin e ri përfshijnë, identifikimin e paragjykimit dhe dezinformimit, dallimin e përmbajtjes së manipuluar dhe vlerësimin e besueshmërisë dhe qëllimit pas informacionit.
Shqetësimi sa duket është tashmë në qendër të vëmendjes së planifikuesve globalë të arsimit. Edukimi i ardhshëm do të matet jo vetëm nga ajo që di një nxënës, por edhe nga sa mirë ai/ajo mund të filtrojë, analizojë dhe kritikojë fluksin masiv të informacionit digjital të prodhuar nga IA. Deri në 2029 mbeten 3 vite, dhe është e nevojshme të fillojmë tani pasi nuk mund të konsolidojmë aftësitë digjitale me goditje të përqendruar. Si i thonë që në gusht nga një grusht. Në këtë kuptim e kemi detyrueshme të ecim me hapin e kohës me të vërtetë, jo për Instagram…
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara