Fiqiri Çifliku kritikon Maturën Shtetërore, duke e konsideruar një ritual ku parregullsitë janë normalizuar. Ai thekson nevojën për një reformë të thellë që fokusohet në zhvillimin e aftësive kritike dhe etikës, dhe kërkon një ndryshim të thellë për të rikthyer besimin në sistemin arsimor.
Ka rënë perdja e një tjetër “Maturë Shtetërore”. Por jo vetëm si një mbyllje simbolike e një procesi testimi, por si një metaforë e një sistemi që mbyll sytë para sfidave strukturore dhe zërave që kërkojnë ndryshim.
Procesi, ky term i rëndomtë që u përdor sërish si mburojë për të justifikuar çdo parregullsi u “mbrojt” këtë herë me një fjali që, për ironi, është kthyer në simbol të mosveprimit: “Nuk e cenon procesin”. Rrjedhja e tezave, shpërndarja para kohe, përhapja me shpejtësinë e Wi-Fi në portale, mesa duket nuk përbëjnë më skandal. Thjesht “nuk e cenojnë procesin”. Dhe kështu, rrëmuja që dikur do bënte lajm, tashmë është bërë rutinë.
Në këtë shfaqje vjetore, nxënësit janë aktorët e lodhur që dinë tekstin përmendësh, por që asnjëherë nuk dinë fundin e skenarit. Mësuesit janë figurantët që zbatojnë udhëzime që ndryshojnë nga emaili në email. Ndërsa institucionet janë regjisori që nuk del kurrë në skenë, sepse refuzon të përgjigjet kur duartrokitjet mungojnë.
Matura Shtetërore nuk është më një akt vlerësimi për aftësitë akademike. Është kthyer në një ritual të përvitshëm ku stresi tejkalon qëllimin, ku përqendrimi është tek menaxhimi logjistik, e jo te përmbajtja dhe ndershmëria e vetë procesit. Kjo është një barrë e padrejtë jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit, për prindërit, për vetë sistemin që humbet kuptimin e rolit të tij.
Ne jemi dëshmitarë të një paradoksi të zgjatur: nga njëra anë, kemi profesionistë të fushës që kërkojnë reformë të thelluar, nga ana tjetër, një indiferencë institucionale që e sheh çdo thirrje për ndryshim si shqetësim të përkohshëm. Dhe më e rënda: jemi mësuar me këtë ritëm. Me normalizimin e parregullsive. Me faktin që “rrjedhjet” e provimeve nuk përbëjnë më skandal, por vetëm “zëra”.
E kuptoj: ndoshta para testimeve është e vështirë të ndryshosh, të sqarosh, të vendosësh rregulla të reja. Por pas tyre? Kur do të jetë momenti për t’u ulur dhe për të folur? Kur do jetë koha për të parë në sy një sistem që prodhon stres, pabarazi dhe një ndjenjë të thellë mosbesimi?
Pikërisht tani është momenti të themi qartë: ky sistem testimi ka nevojë për reformim të thellë, jo për rregullime kozmetike. Duhet të rikthejmë debatin për atë që vërtet duam të matim: të kuptuarit kritik, aftësitë për t’u përballur me situata reale, bashkëpunimin dhe etikën në të nxënë. Në të kundërt, do vijojmë të prodhojmë maturantë që nuk janë përgatitur për jetën, qytetarë të lodhur nga një sistem që i teston përtej dijes, në durim, mosbesim dhe ndjesinë e padrejtësisë.
Vitin e kaluar, i kam ngritur këto shqetësime publikisht. Ato u pritën me interes në qarqet akademike dhe në publik. Por pa asnjë përgjigje nga vendimmarrësit. Asnjë reflektim, asnjë hapje dialogu. Vetëm heshtje. Dhe kjo heshtje, më shumë se çdo fjalë tjetër, është treguesi më i qartë se sa e mbyllur është qasja institucionale ndaj rishikimit të vetvetes.
Në këtë fazë, nuk bëhet fjalë për një reformë të thjeshtë procedurale. Bëhet fjalë për një kthesë konceptuale, një riorientim të thellë që duhet të nisë sot. Përndryshe, çdo qershor do të bëhemi pjesë e së njëjtës shfaqje, me të njëjtën skenografi lodhjeje dhe zhgënjimi.
Institucionet duhet të dëgjojnë, jo si akt formal, por si mjet bashkëpunimi. Në çdo qytet të këtij vendi ka mësues, pedagogë, studentë, ekspertë të cilët kanë ide, modele, propozime konkrete. A do i dëgjojmë? A do i marrim seriozisht? Apo do vijojmë me dogmën e vetëpëlqimit që e ka lënë sistemin arsimor në një krizë të thellë besimi?
Në emër të ndershmërisë, transparencës dhe shëndetit mendor të të rinjve tanë, është koha të themi: mjaft. Nuk kërkohet perfeksion, kërkohet drejtim. Dhe ky drejtim nis me një hap të thjeshtë, duke pranuar si fillim se jemi në krizë. Pastaj mund të ndërtojmë të renë, së bashku.
“Kur një sistem nuk i dëgjon më ata që preken prej tij, nuk kemi mungesë idesh, kemi tepri heshtjeje.”
© Portali Shkollor-