Ka pasur pyetje dhe paqartësi për mësues që janë në punë, kanë fituar një shkallë kualifikimi, por tani nga ZVAP-të nuk lejohen të futen për të përfituar një shkallë më lartë në kualifikim për efekt të pagës.
Në Shqipëri, çdo mësues i sistemit arsimor parauniversitar, pas janarit 2011, ka detyrim ligjor të pajiset me licencë për ushtrimin e profesionit, e cila merret pas provimit të shtetit dhe lëshohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Pa këtë licencë, mësuesi nuk mund të ushtrojë ligjërisht profesionin. Ligji nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, i ndryshuar, përcakton se ushtrimi i profesionit të mësuesit është i rregulluar dhe kërkon licencë të posaçme. Ligji nr. 10171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” , ka përfshirë në kategorinë e profesioneve të rregulluara edhe mësuesit duke filluar nga Janari 2011, ku licenca është kusht për ushtrimin e profesionit. Përmbajtja dhe forma e licencës që fiton kandidati pas provimit të shtetit, përcaktohet nga Udhëzimi nr. 10, datë 3.4.2015 dhe ndryshimet e tij.
Rregullat e licencimit sipas datës së diplomimit dhe hyrjes në punë po i listoj më poshtë në tre raste specifike:
- Të diplomuar para janarit 2011, por të punësuar për herë të parë pas kësaj date, duhet të japin vetëm provimin e shtetit për të legalizuar pozicionin e tyre dhe më pas marrin pjesë në procesin e kualifikimit sipas udhëzimit në fuqi.
- Të diplomuar pas janarit 2011, të futur në punë gjithashtu edhe pse nuk e kanë patur licencën për ushtrimin e profesionit, duhet të japin gjithashtu vetëm provimin e shtetit për të fituar licencën pasi konsiderohet e kryer praktika e punës nëse marrin vërtetim nga ZVAP ose e kanë në librezën e tyre të punës.
- Të diplomuar pas janarit 2011, që ende nuk kanë hyrë në punë regjistrohen për praktikën profesionale dhe pas përfundimit të saj i nënshtrohen provimit të shtetit.
Ligji nr. 69/2012 “Për arsimin parauniversitar” dhe udhëzimet përkatëse nuk parashikojnë parashkrimin e procedurës së licencimit. (dmth të konsiderohet e kryer meqë ke punuar disa vite) Licenca mbetet kusht i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit, pavarësisht viteve të punës apo shkallëve të kualifikimit. Mësuesi pa licencë është në një pozicion të pasigurt, pavarësisht viteve të punës. Administrativisht, shkallët e kualifikimit dhe përvoja e gjatë nuk e zëvendësojnë provimin e shtetit.
Kjo është një nga ato raste ku ligji nuk e njeh kohën si zëvendësues të procedurës. Pra, edhe nëse pas 10 apo 20 vitesh punë, licenca nuk është marrë, ajo mbetet një detyrim dhe ngre një pyetje më të madhe:
A duhet sistemi të njohë përvojën e gjatë dhe kualifikimet e marra si ekuivalent të licencës, apo duhet të mbetet i ngurtë, duke kërkuar provimin e shtetit për të gjithë, pa dallim?
Po e parashtroj si pikë për debat publik rastin kur shteti nuk e ka parashikuar parashkrimin, nëse mund të shihet si një reformë e nevojshme për të mos penalizuar mësuesit me karrierë të gjatë.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara