Ky shkrim trajton fillimin e vitit shkollor 2025-2026 dhe planifikimin e mësimdhënies në arsimin bazë. Ai përqendrohet në rolin e drejtorit dhe mësuesit në përgatitjen e planeve lëndore, organizimin e mbledhjeve, hartimin e orarit dhe zbatimin e kalendarit mësimor.
Në lidhje me fillimin e vitit shkollor dhe procesin e planifikimit lëndor vjetor dua të shpreh disa mendime rreth punës së drejtorit të shkollës dhe mësuesit në fillim të vitit shkollor 2025-2026. Në bazë të strukturës së vitit shkollor 2025-2026 procesi mësimor në arsimin bazë fillon në datën 8 shtator 2025, ditë e hënë.
Drejtori i shkollës ka detyrimin ligjor të caktojë mësuesit kujdestarë 15 ditë para fillimit të vitit shkollor (neni 66 pika 2 e rregullores së funksionimit të IAP-së), pra në 25 gusht 2025. Gjithashtu këshilli i mësuesve duhet të zhvillojë mbledhjen e parë të paktën 10 (dhjetë) ditë-pune para fillimit të vitit shkollor (neni 64 pika 2 e rregullores së funksionimit të IAP-së) . Për vitin shkollor 2025-2026 mbledhja e parë e këshillit të mësuesve duhet të zhvillohet jo më vonë se data 25 gusht 2025. Në këtë mbledhje mendoj se drejtori duhet të paraqesë dhe shpërndarjen e ngarkesës mësimore për të gjithë mësuesit, duke lënë të hapur diskutimin për klasat e para deri në 31 gusht, datë kur mbyllen regjistrimet e nxënësve të klasës së parë. Në mbledhjen e parë mësuesit japin mendime për formimin e klasave, për orarin mësimor, për tematikat e përafërta të mbledhjeve të zakonshme të këshillit, për veprimtaritë e zhvillimit të brendshëm profesional dhe për çështje të tjera që diskutohen në mbledhje.
Planifikimi është një proces i rëndësishëm i zbatimit të kurrikulës dhe mbështetet në rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare.
Pesë ditë para fillimit të vitit shkollor, mësuesi dorëzon planin lëndor te drejtori i IA-së, si dhe planin lëndor të periudhës së parë. Planifikimi në arsimin bazë përfshin: planifikimin lëndor vjetor të ndarë në tri periudha, planifikimin për secilën periudhë dhe planifikimin ditor. Mësuesi harton planin lëndor sipas Kornizës Kurrikulare, programit përkatës të lëndës ose fushës së të nxënit, pikëpamjeve të tij pedagogjike dhe në përshtatje me nxënësit e tij. Mësuesi mund të bëjë ndryshime në planin lëndor, gjatë vitit mësimor, kur krijohen rrethana të reja. Ndryshimet e bëra miratohen nga drejtori i shkollës dhe pasqyrohen në planin e dorëzuar në drejtori. Plani lëndor i mësuesit shqyrtohet në ekipin lëndor përkatës dhe merr trajtën përfundimtare pas këtij shqyrtimi.
Në bazë të këtij përcaktimi të mësipërm në përputhje me nenin 60 të rregullores së funksionimit të IAP-së drejtori i shkollës kryen aktin e miratimit pasi shqyrtimi i planit lëndor bëhet në ekipin lëndor përkatës. Gjithashtu mendoj që drejtori i shkollës duhet të marrë të gjitha masat që orari mësimor të hartohet sa më shpejt pas mbledhjes së parë, me qëllim që mësuesit të bëjnë një planifikim sa më të plotë dhe të saktë të planit lëndor vjetor dhe atë të periudhës së parë. Në planifikimin e saktë të orëve mësimore të planit lëndor vjetor dhe atë të periudhës së parë mësuesi përveç orarit mësimor mbështetet dhe në kalendarin mësimor të vitit shkollor 2025-2026.
Unë mendoj se nuk ka javë të plota për secilën periudhë, ku ne mësuesit duhet të mbështetemi në hartimin e planit lëndor vjetor, por ka orë të plota në bazë të orarit dhe kalendarit mësimor.
Bashkëngjitur po ju dërgojmë dhe kalendarin mësimor të vitit shkollor 2025-2026.
Marrë nga Portali Shkollor