Në një atmosferë festive dhe emocionuese, në ambientet e shkollës , nxënësit e klasës I/1 të shkollës “Pandeli Sotiri”, në Obiliq të udhëhequr nga mësuesja e tyre e përkushtuar Dafina Balaj, kremtuan me madhështi Festën e Abetares – një moment kulmor në rrugëtimin e tyre të parë arsimor, shkruan AlbanianEducation.net.
Festa shënoi përfundimin me sukses të mësimit të të gjitha shkronjave të alfabetit shqip, një arritje e rëndësishme për nxënësit e klasës së parë. Me entuziazëm dhe përgatitje të veçantë, fëmijët sollën një program të pasur artistik, ku u interpretuan poezi, këngë dhe valle që pasqyronin përkushtimin dhe dashurinë për gjuhën shqipe dhe kulturën tonë kombëtare.
Prindër, kolegë mësimdhënës ishin të pranishëm për të përjetuar emocionet e para të këtyre vogëlushëve, të cilët me zërat e tyre të pastër dhe sytë plot shkëlqim dëshmuan se rruga drejt dijes ka nisur me hapa të sigurt.
Mësuesja Dafina Balaj u përshëndet me duartrokitje për angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe përkushtimin në edukimin dhe formimin e nxënësve, duke u bërë jo vetëm mësuese, por edhe udhërrëfyese në rrugën e parë të dijes.
Kjo ditë do të mbetet një kujtim i paharruar për të gjithë – një gur themeli i fortë në rrugëtimin arsimor të secilit nxënës të klasës I/1.