Në verë, prindërve u duhet të kujdesen për çdo rrezik që u kanoset fëmijëve. Ja si duhet të veproni kur fëmijët qëndrojnë gjithë ditën në plazh.
Nëse po planifikoni të shkoni me pushime me familje, ndoshta do t’ju nevojiten disa këshilla, që do t’ua lehtësojnë rrugën dhe do t’ju ndihmojnë ta zgjidhni më mirë vendin. T’i çosh fëmijët në plazh është gjithmonë një përvojë e mrekullueshme. Mes lojërave, qetësisë, ujit, diellit, dita kalohet shumë bukur. Por pavarësisht bukurisë që të ofron stina e verës, duhet bërë edhe kujdes, sepse nxehtësia dhe dielli mund të na e prishë ditën. Ndaj duhet të dini se cilat janë rreziqet e plazhit dhe gjithmonë t’i shmangni, siç thotë edhe një fjalë e urtë: “Më mirë të parandalosh, sesa të kurosh”.
Fillimisht mendoni për zgjedhjen e një date, pastaj nisuni një natë para, për të shmangur trafikun ose herët në mëngjes, për të shmangur radhët e gjata dhe bllokimin e trafikut nën diellin e nxehtë. Po ashtu, fëmijët duhen mbajtur freskët në makinë dhe në mungesë të ajrit të kondicionuar, në xhamat e dritareve vendosni lecka të lagura, për të pritur të nxehtin. Nëse keni fëmijë të vegjël, mos harroni të përgatisni një shishe me qumësht dhe me kamomil. Shumë i dobishëm për të mbajtur të ftohtë temperaturën e trupit. Mund ta përdorni për fëmijët dhe pjesën tjetër të familjes. Pelenat, biberonët, lodrat duhet t’i mbani në dorë jo në valixhe. Në makinë mos rrini të heshtur, por kalojeni kohën duke luajtur ose duke kënduar.
Këshillat që duhet të ndiqni në det:
Nxirja
Është një ndër fenomenet më të zakonshme dhe për ta arritur mjafton të mos i lini fëmijët të ekspozohen në diell pas orës 11:00 të paradites. Nëse nuk keni mundësi të largoheni në drekë nga plazhi, atëherë duhet t’u zgjidhni lodra që të luajnë nën çadër.
Vala e të nxehtit
Rritja e temperaturave, sidomos në plazh, duhet luftuar me pije të ftohta. Prandaj këshillohet që të vegjëlve t’u jepni shpesh ujë, kos, t’i lani në det, në mënyrë që të përballojnë të nxehtin.
Djegiet nga dielli
Dihet që kremi duhet vendosur në lëkurë shumë herë në ditë. Por si t’ia bëjmë kur fëmijët nuk duan? Ftojeni për të luajtur dhe luani me dënime: nëse humbet, do të marrë si dënim lyerjen me krem. Nëse humbisni ju, do t’ju lyejë ai me krem.
Rreziqet e syve
Kripa, rëra dhe dielli mund të jenë armiqtë e syve të fëmijëve, ndaj është e këshillueshme që edhe të vegjlit të mbajnë syze, ndërsa në darkë një shpëlarje me ujë e kamomil do t’i qetësonte.
Dispepsia
Ushqimi në plazh është shumë i rëndësishëm: nuk duhet të ketë bollëk, por të jetë pak e saktë dhe t’i japë fëmijës energjitë që i nevojiten. Pra përgatisni vakte të lehta dhe mos harroni mes vaktet, që duhet të jenë fruta ose akullore.
Vëmendje!
Në fund, bëni kujdes me korrentet dhe dallgët e detit. Mos ia ndani asnjëherë sytë fëmijës, sidomos kur lahet. Mënyra më e mirë për ta bërë është ta shoqëroni në breg, ose të laheni me të. Nuk do të rrezikojë dhe do të kënaqet më shumë. Pushime të mbara!