E premte, 20 Shtator, 2024

Fakultetet e edukimit nxjerrin kuadro pa shkathtësi në mësimdhënie

- Advertisement1-

Përgatitja pedagogjike e mësimdhënësve të rinj në fakultetet e edukimit është e mangët, thuhet në një studim shkencor të publikuar së fundmi. Studimi nxjerr si konstatim se në fakultete përqendrimi kryesor është te njohuritë lëndore. Edhe drejtorë shkollash ankohen se mësimdhënësit e rinj nuk janë mjaftueshëm të përgatitur

Fakultetet e Edukimit që funksionojnë në kuadër të universiteteve publike në Kosovë janë të fokusuara në ofrimin e njohurive lëndore për studentët, e më pak në zhvillimin e shkathtësive pedagogjike, është një nga gjetjet e studimit shkencor të projektit QATEK, që ka për synim rritjen e cilësisë së edukimit për mësimdhënësit e rinj.

- Advertisement -

Në studimin e 2021-tës, rezultatet e të cilit janë publikuar së fundmi, është theksuar se afërsisht programet përfshijnë 70 për qind njohuri lëndore dhe 30 për qind njohuri pedagogjike.

Kritika për mospërfshirjen e lëndëve që ndihmojnë në zhvillimin e njohurive pedagogjike ka shprehur edhe Berat Morina, i cili ka dy vjet që është i angazhuar si mësimdhënës i lëndës së historisë në shkollën fillore e të mesme “Ismail Qemali” në kryeqytet.

Ai ka thënë se mësimdhënien dhe zhvillimin e shkathtësive pedagogjike i ka përvetësuar nëpërmjet trajnimeve që i ka ndjekur e jo gjatë studimeve në njërin nga universitetet publike.

“Realisht sa u përket aftësive lëndore, profesionale, në Fakultet i kemi marrë, por nëse kemi menduar ne të jemi edhe mësimdhënës, kjo pjesë te ne ka munguar”, ka thënë Morina. “Tash që i kemi kaluar këto sfida, na është dashur t’i ndjekim trajnimet pedagogjike për mësimdhënie, kështu që mendoj se kishte qenë mirë që universiteti të mendojë për këtë pjesën pedagogjike”.

Edhe drejtori i shkollës “Hilmi Rakovica”, Skender Halimi, ka dhënë kritika për nivelin e kuadrove që nxjerrin institucionet e arsimit të lartë. Ai ka thënë se këto institucione nuk kanë arritur t’ua zhvillojnë shkathtësitë se si realizohet një orë mësimore.

“Kur vijmë te pjesa e planifikimit me të cilën do të ballafaqohen ata, e shohim që kanë mangësi te kjo pjesë. Duhet ne si shkollë, edhe pse e kemi obligim edhe moral t’i ndihmojmë… Neve do të na lehtësohej puna shumë sikur ata mësimdhënës të vinin të përgatitur”, ka theksuar drejtori Halimi.

- Advertisement -rrrrrrr

Studimi i realizuar në kuadër të projektit QATEK ka theksuar se për të rritur performancën e mësimdhënësve të rinj, duhet që lëndët me njohuritë pedagogjike të rriten për të paktën 50 për qind, ku përfshihen njohuritë për proceset e mësimdhënies dhe mësimnxënies, si dhe njohuritë kurrikulare.

Projekti i financuar nga fondet e Bashkimit Evropian ka nisur në vitin 2020 dhe ka përfunduar në fillim të këtij viti. Në studim janë përfshirë Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës, ai i Universitetit të Gjilanit, i Universitetit të Mitrovicës, si dhe Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Gjakovës.

Studimi ka vlerësuar se sa reflektohen kompetencat e kornizës evropiane për mësimdhënësit e rinj në programet e fakulteteve. Ky hulumtim është fokusuar në tre komponentë: atë të njohurive dhe të kuptuarit, shkathtësive për mësimdhënie dhe në vlerat e profesionit të mësimdhënies.

Mangësi janë vërejtur në përgatitjen e mësimdhënësve mbi kurrikulën mësimore, e mungesën e hapësirave për përdorimin e teknologjisë si mjet për procesin e të mësuarit.

Dekani në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Blerim Saqipi, i cili ka qenë pjesë e realizimit të këtij studimi, ka thënë se tani është koha të reflektohet mbi gjetjet.

“Jemi munduar që në një masë të caktuar këto mësime të reflektohen në përmbajtje të programeve. Për shembull, kemi rritur komponentin e punës praktike që studentët tanë të kenë mundësinë edhe më shumë se deri tani të jenë në shkollë dhe t’i ushtrojnë, jo vetëm t’i mësojnë, por edhe t’i ushtrojnë shkathtësitë e caktuara”, ka thënë Saqipi.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në universitetet e tjera publike, përkitazi me adresimin e mangësive që janë theksuar në studim, por kanë munguar përgjigjet.

Në studim nuk është përfshirë edhe Universiteti i Prizrenit, ndonëse ofron programe në fushën e edukimit. Në këtë universitet kanë theksuar se duhet të punohet në përmirësimin e programit të studimeve për mësues dhe edukatorë në kontinuitet, por nuk e vlerësuan të nevojshme rritjen e lëndëve që përfshijnë njohuritë pedagogjike.

Udhëzimi i ri administrativë për procesin e licencimit dhe karrierën në mësimdhënie, i miratuar në qershor të vitit të shkuar, parasheh që studentët t’i nënshtrohen një provimi shtetëror për t’i matur njohuritë e tyre lëndore dhe shkathtësitë pedagogjike, para se të ushtrojnë profesionin e mësimdhënësit.

/ Marrë nga Koha.net

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Armend Perolli, nxënësi shembull nga Prizreni: Punoi gjatë verës dhe nuk shkoi në pushime – me paratë që dhuroi u blen materiale shkollore për 12...

Një shembull i jashtëzakonshëm vije nga një nxënës i klasës së pestë të shkollës...

Shkencëtari kosovar Besnik Krasniqi, përfshihet në listën e shkencëtarëve më me ndikim në botë

Një arritje e jashtëzakonshme për shkencën kosovare ka ardhur këtë vit, pasi Profesori Besnik...

Këshilla për mësuesit dhe prindërit që të organizojnë mbledhje të frytshme në shkollë

Organizimi i një mbledhjeje të frytshme mes mësuesve dhe prindërve për të diskutuar mbarëvajtjen...

14 persona pre e mashtrimit të mësueses nga Peja

Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesën për masën e paraburgimit ndaj mësimdhënës, Gjylfidane...