Facebook mund të përballet me një gjobë të konsiderueshme, pasi mbikëqyrësi i saj europian i të dhënave filloi hetimin për të treguar se si Instagram ekspozoi detajet e kontakteve dhe informacionet private të miliona fëmijëve.
Telegraph zbuloi se Komisioneri i Mbrotjes së të Dhënave të Irlandës (DPC) ka filluar dy hetime të ndara, që tregojnë se Instagram bëri publike adresat e email-it dhe numrat e telefonit të përdoruesve nën moshën 18 vjeç.
Nëse Instagram zbulohet se ka thyer ligjet e privatësisë, rregullatori Irlandez, si autoriteti kryesor i Facebook për mbrojtjen e të dhënave në Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar, ka fuqinë ta gjobisë atë me miliarda dollarë.
DPC hapi hetimet e dyfishta muajin e kaluar në përgjigje të pretendimeve se aplikacioni në pronësi të Facebook kishte vënë fëmijët në rrezik piraterie dhe ekspozim pedofilie, duke zbuluar detajet e tyre të kontaktit.
Të gjithë përdoruesit e Instagram janë në gjendje të ndryshojnë llogaritë e tyre personale në Instagram, në ato të krijuara për bizneset, të cilat ndryshe nga profilet personale, u japin atyre statistika të tilla si sa të popullarizuara janë fotot dhe videot e tyre.
Sidoqoftë, kalimi në një llogari biznesi do të thotë gjithashtu, që detajet personale të kontaktit të përdoruesit të shfaqen publikisht në profilin e tyre, duke lejuar këdo të kontaktojë përdoruesit jashtë aplikacionit. Problemi qëndron kur këta përdorues janë fëmijë.
Çdo profil mund të kthehet në një llogari biznesi, pa asnjë lloj verifikimi apo kontrolli nëse me të vërtetë po zhvillohet një biznes.
Instagram ka një moshë minimale prej 13 vjeç, por tashmë dihet se ai nuk i verifikon në mënyrë rigoroze moshat, duke bërë që në aplikacion të ndodhen fëmijë edhe shumë më të rinj në moshë se 13.
David Stier, një shkencëtar amerikan i të dhënave, i cili zbuloi për herë të parë boshllëkun, vlerëson se rreth 5 milionë fëmijëve, u janë ekspozuar të dhënat e tyre personale në këtë mënyrë.
Rregullatori Irlandez nisi hetimet e tij në fund të shtatorit pas një ankese nga Z. Stier.
Sipas ligjeve europiane të mbrojtjes së të dhënave, çdo hetim mund të rezultojë në një gjobë deri në 4 “copë” të të ardhurave vjetore të Facebook.
Graham Doyle, një nënkomisar në DPC, tha:
“DPC ka monitoruar në mënyrë aktive ankesat e marra nga individë në këtë zonë dhe ka identifikuar shqetësime të mundshme në lidhje me përpunimin e të dhënave personale të fëmijëve në Instagram, të cilat kërkojnë shqyrtim të mëtejshëm.”
/Marrë nga Anabel.al